Kërko

Vatican News
Vangelo della V domenica dell'Anno A Vangelo della V domenica dell'Anno A 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së 5-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Nё Ungjillin e kёsaj sё diele, Krishti përvijon tiparet e dishepujve, që impenjohen të ndjekin gjurmët e Birit të Zotit. Ata janë ‘kripa e tokës’, që i jep asaj shije, e janë ‘drita e botës’, për ta shndritur atë. E Jezusi e vë theksin jo në prestigjin, që mund t’u japë kjo dritë, por në çka na bën bij të dritës: veprat e jetës sonë.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës,kësaj radhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të dielës së 5-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik.

Edhe në këtë të diele, Ungjilli vijon me mësimet e Jezusit për ata që duan të jenë dishepuj e ndjekës të Tij, e thotë: “Kush vjen pas meje do ta ketë dritën e jetës”. Thirrja për ta ndjekur konkretisht Jezusin, duke mishëruar programin e Lumnive ungjillore në jetën e përditshme, u drejtohet të gjithëve. E të gjithë ithtarëve të vet, Jezusi u kërkon të jenë “kripa e tokës e drita e botës”.

Nё Ungjillin e dielës sё 5-tё gjatё vitit kishtar, marrё nga Fjalimi i Malit, Jezusi shpjegon kush janё tё krishterёt: thotё se janё – duhet tё jenё – “kripё e tokёs dhe dritё e botёs”. Njё ndёrmarrje e jashtёzakonshme kjo.

"Ju jeni kripa e tokës ... Ju jeni drita e botës”. Këto fjalë të Jezusit pasojnё shpalljen e Lumnive, pjesa e parë e Predikimit tё tij në Mal. Jezusi thotë për vetveten: "Unë jam drita e botë. Kush vjen pas meje, nuk do të ecë në errësirë" (8,12). Ai është kripa që jep shije, që i jep kuptim jetës mbi tokë, Ai është "drita e vërtetë që ndriçon çdo njeri" (Gjn 1,9). E ne, dishepujt e Tij, jemi "kripë dhe dritë", vetëm nëse jeta jonë është "e lidhur" me Jezusin.

Imazhet e përdorura nga Jezusi, në Ungjillin e kësaj së diele, na tregojnë se si duhet të jemi në botë. Ungjilli i kёsaj sё diele nga Mateu, na rikujton, kёshtu, misionin qё Jezusi, gjatё predikimit nё mal, ua besoi dishepujve tё Tij tё tё gjitha kohёve, pra edhe ne, pёrmes metaforёs sё dritёs e tё kripёs.

Nё Ungjillin e kёsaj sё diele, Krishti përvijon tiparet e dishepujve, që impenjohen të ndjekin gjurmët e Birit të Zotit. Ata janë ‘kripa e tokës’, që i jep asaj shije, e janë ‘drita e botës’, për ta shndritur atë. E Jezusi e vë theksin jo në prestigjin, që mund t’u japë kjo dritë, por në çka na bën bij të dritës: veprat e jetës sonë.

Ashtu si Isaia profet, në Leximin I, reagon kundër formalizmit fetar, duke treguar ato vepra për të varfërit, që janë drita e vërtetë e fesë, ashtu edhe Jezu Krishti shpall se dishepulli i Tij shndrit vetëm nëse vepron për lavdi të Hyjit.

Në qendër të jetës është vetëm Zoti: asnjë protagonizëm për të krishterët, asnjë përpjekje për të pasur nderime e bujë. Veprat e jetёs sё pёrditshme, nëse kryhen për dashuri, e shndrisin botën, por nuk i bëjnë hije dritës Hyjnore, që shndrit çdo njeri. Ashtu si Shën Pali në Leximin II, tё krishterёt nuk shohin e nuk duhet tё shohin tjetër, veçse Jezusin e kryqëzuar e vetëm prej Tij orientohet çdo vendim, gjest e nismё.

Tё jetёsh kripё, pёr t’i dhёnё shije botёs; tё jetёsh dritё, pёr tё ndriçuar edhe errësirën mё tё thellë. Ky, pra, ёshtё kuptim qё ka misioni dhe dëshmia e vёrtetё e tё krishterit, pёr çka na flet Ungjilli i kësaj sё diele nga Mateu, duke na nxitur si besimtarë tё kemi si synim dijen, vlerën tejet tё lartё, qё përfshin nё vetvete shijen e kripës dhe vezullimin e dritës, pa tё cilёn njeriu do tё ecte nёpёr jetё si i verbër.

Dishepujt e Krishtit, janё tё thirrur t’i japin shije tё re botёs, ta rruajnë nga prishja, me dijen e Zotit, e cila ndriçon plotësisht nё fytyrën e tё Birit, Jezu Krishtit, sepse ёshtё Ai drita e vёrtetё, qё ndriçon çdo njeri ( Gjn 1,9). Tё bashkuar me Tё, tё krishterët mund tё rrezatojnë, nё mes tё errësirës sё indiferencës e tё egoizmit, dritën e dashurisë sё Hyjit, dije e vërtetё, qё i jep kuptim gjithё jetës e veprës sё çdo njeriu.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së 5-të gjatë vitit kishtar ‘A’

                                                                                             Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i pare (Is 58,7-10)

Lexim prej librit të Isaisë profet
Kështu thotë Zoti: “Ndaje bukën tënde me të uriturin, pranoji në shtëpinë tënde skamnorët e të Pashtëpitë. Kur ta shohësh të zhveshurin, vishe dhe mos e përbuz farefisin tënd. Atëherë do të zbardhë porsi agimi drita jote, shërimi yt do të vijë më shpejt para teje do të ecë drejtësia jote e do të përcjellë lavdia e Zotit. Atëherë do të thërrasësh e Zoti do të të dëgjojë, do ta thërrasësh e ai do të përgjigjet: »Këtu jam!” Nëse do ta zhdukësh prej mesit tënd zgjedhën gishtin paditës dhe fjalën e keqe, nëse do t’ia japësh kafshatën tënde të uriturit, nëse do ta ngish të uriturin, atëherë në errësirë do të shndritë drita jote, terri yt do të jetë porsi mesdita. Fjala e Zotit!

Psalmi 112 (111)
Refreni: I drejti shkëlqen porsi dritë

Lum ai njeri që e druan Zotin,
Ka lindur për të drejtët një dritë në errësirë:
I ëmbël është njeriu që përdëllen e huajon,
punët e veta i kryen me ndërgjegje,

Ai askurrë nuk do të bjerë poshtë.
nuk i trembet lajmit të keq.
E patrandshme është zemra e tij
me shpresë në Zotin,

Të fortë e ka zemrën, nuk do të trembet
Është dorëdhënë, u fal skamnorëve;
drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve,
balli i tij ngallit për nder.

Leximi i dytë (1Kor 2,1-5)

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit Apostull drejtuar Korintasve
Edhe vetë, o vëllezër, kur erdha në mesin tuaj, nuk erdha për t’ju kumtuar misterin e Hyjit me fjalë të larta e me urti të stërholluar, sepse nuk desha në mesin tuaj të di tjetër përveç Jezu Krishtit - dhe Atë të kryqëzuar. Edhe vetë u paraqita në mes jush i ligshtë, me frikë e me tmerr të madh. Fjalët e mia e predikimi im nuk ishin (fjalime) të stërholluara që mbushin mendjen me fuqi të urtisë njerëzore, por ishin dëftim i Shpirtit Shenjt dhe i fuqisë, që feja juaj të mos themelohej në dijen e njerëzve, por në fuqinë e Hyjit.
Fjala e Zotit

Ungjilli (Mt 5, 13-16)

Lexim prej Ungjillit të Shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: »Ju jeni kripa e tokës. Po qe se kripa prishet, me çka mund të kripet? S’vlen më për asgjë, përveç të hidhet jashtë e ta shkelin njerëzit.
Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit. As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi. Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.« Fjala e Zotit!

07 shkurt 2020, 17:51