Kërko

Vatican News
Vaticano, statua di San Pietro Vaticano, statua di San Pietro 

Më 22 shkurt, Kisha kremton festën e Katedrës së Shën Pjetrit

Katedra, është selia e përhershme e papës dhe e ipeshkvijve. Vendoset në Kishën-nënë të dioqezës (në Katedrale). Katedra e Shën Pjetrit tregon pozitën e prijësit në kolegjin apostolik, sipas vullnetit të vetë Krishtit, i cili i besoi Pjetrit detyrën të kulloste grigjën, dmth t’i printe popullit të Zotit, Kishës. Pjetri e kryen detyrën që Krishti ia caktoi para se të kryqëzohej, por edhe pasi u ngjall.

R.SH. - Vatikan

Festa e Katedrës së Shën Pjetrit, ripohon vlerën e Primatit të Pjetrit në Kishë, duke kërkuar lutjen e besimtarëve për këtë “detyrë të lartë” që ka pasardhësi i shën Pjetrit apostull. Festa e Katedrës së Shën Pjetrit simbolizon autoritetin e ipeshkvit të Romës, i thirrur për një shërbim të veçantë ndaj tërë Popullit të Zotit. Menjëherë pas martirizimit të Shën Pjetrit e Palit, Kishës së Romës iu njoh roli i parisë në mbarë bashkësinë katolike, rol që vërtetohet e pohohet qysh në shekullin II nga Shën Injaci i Antiokisë e nga Shën Ireneu i Lionit.

Të kremtosh “Katedrën e Shën Pjetrit” do të thotë t’i japësh asaj një domethënie të thellë shpirtërore e të pranosh një shenjë të privilegjuar të dashurisë së Zotit, Bariut të mirë e të amshuar, i cili dëshiron ta mbledhë mbarë Kishën e vet e t’i prijë në udhën e shëlbimit. Katedra e Ipeshkvit të Romës përfaqëson jo vetëm shërbimin e Tij ndaj bashkësisë romake, por misionin e prijësit të mbarë popullit të Zotit.

Ky shërbim i veçantë e i posaçëm i Ipeshkvit të Romës është ripohuar nga Koncili II i Vatikanit. “Në bashkimin kishtar, -lexojmë në Kushtetutën dogmatike mbi Kishën – me të drejtë, pra ligjërisht ekzistojnë edhe Kisha të veçanta, të cilat kanë tradita të veta, ndërsa primati i Katedrës së Pjetrit mbetet i paprekur, kryeson tërë Kishën në bashkimin universal të dashurisë (krh Shën Inj. Ant., Ad Rom., Pref.), mbron pluralizmin e ligjshëm kishtar, e njëkohësisht mbikqyr tiparet e veçanta të Kishave lokale, që të mos jenë në dëm të bashkimit, por përkundrazi, madje t’i shërbejnë këtij qëllimi (Lumen gentium,13).

Një detyrë e tillë e posaçme shërbimi e Bashkësisë romake dhe e ipeshkvit të saj, zë fill nga fakti se në këtë qytet derdhën gjakun e tyre Apostujt Pjetri e Pali, përveç një numri të madh martirësh. Rikthehemi, kështu, tek dëshmia e gjakut dhe e dashurisë. Prej këndej, katedra e Shën Pjetrit është shenjë e autoritetit; autoritet i Krishtit, bazuar mbi fenë e mbi dashuri.

Festa e Katedrës së Shën Pjetrit, pra, tërheq vëmendjen e mbarë botës katolike mbi figurën e Shën Pjetrit dhe misionin e tij të veçantë që i besoi Krishti. Në të vërtetë historia na flet për dy katedra të Shën Pjetrit: para udhëtimit dhe martirizimit të tij në Romë, selia e magjisterit të Shën Pjetrit ishte në Antioki. E liturgjia i kremtonte këto dy seli të ndryshme në dy data të ndryshme: më 18 janar (në Romë) e më 22 shkurt (në Antioki). Pas rishikimit të Kalendarit liturgjik u vendos që të dyja përkujtimet të kremtohen në një datë të vetme, më 22 shkurt.

Festa – shkruhet në Mesharin Romak – me simbolin e Katedrës, vë në dukje misionin e Pjetrit si mësues e bari, besuar nga vetë Krishti, mision që vijon ta kryejnë pasardhësit e tij e që është fillesë e themel i dukshëm i bashkimit të Kishës.

Katedra, në kuptimin e ngushtë të fjalës, është selia e përhershme e papës dhe e ipeshkvijve. Vendoset në Kishën-nënë të dioqezës (prej këndej edhe emri i saj katedrale) Është simbol i autoritetit të ipeshkvit dhe i misionit të tij ipeshkëvnor në Kishën vendase. Ndërsa katedra e Shën Pjetrit tregon pozitën e prijësit në kolegjin apostolik, sipas vullnetit të vetë Krishtit, i cili i besoi Pjetrit detyrën të kulloste grigjën, dmth t’i printe popullit të Zotit, Kishës.

Pjetri e kryen detyrën që Krishti ia caktoi para se të kryqëzohej, por edhe pasi u ngjall. Kryeson zgjedhjen e Matisë dhe i flet në emër të të gjithëve turmës që rend për ta dëgjuar para çenakullit, ditën e Rrëshajëve, ashtu edhe para sinedrit. Vetë Erodi Agripa e di mirë se zhdukja e prijësit do t’i jepte një goditje për vdekje Kishës së sapolindur. 

Në se prania e Shën Pjetrit në Antioki provohet në mënyrë të pakundërshtueshme, për ardhjen e Apostullit në Romë në vitet e para të Perandorisë së Klaudit, nuk kemi prova po aq të sigurta. Megjithatë mund të themi se lulëzimi i krishterimit në kryeqytetin e perandorisë, që vërtetohet nga Letra e Shën Palit drejtuar Romakëve rreth vitit 57, nuk do të mund të kuptohej pa praninë e një misionari të klasit të parë.

Pavarësisht nga data kur shkeli në Romë, ardhja dhe martirizimi i Shën Pjetrit në Qytetin e Amshuar vërtetohet nga tradita shumë të lashta, të pranuara edhe nga studiuesit jo katolikë. E këtë e vërtetojnë në mënyrë të pakundërshtueshme edhe gërmimet që u bënë më 1939 me urdhër të papës Piu XII në Kriptën e Vatikanit, nën Bazilikën e Shën Pjetrit, rezultatet pozitive të të cilave u pranuan në mënyrë të njëzëshme.

Në kuadrin e festës së Katedrës së Shën Pjetrit, sot pasdite në Romë u mbajt Asambleja solemne e Rrethit të Shën Pjetrit, shoqatë e lashtë, themeluar në vitin 1869 nën papninë e Piut IX për të ndihmuar papën në veprimtaritë e tij, sidomos në mbështetje të nevojtarëve. Ndërmjet nismave të njohura të Rrethit, kujtojmë atë që njihet me emrin “Oboli i Shën Pjetrit”.

22 shkurt 2020, 10:11