Kërko

Jeruzalemi Jeruzalemi 

Toka Shenjte, Koordinimi i ipeshkvijve: zgjidhje politike, që i respekton të gjitha palët

Në një deklaratë, në fund të shtegtimit të solidaritetit me të krishterët e Gazës, të Ramallahut dhe të Jeruzalemit, ipeshkvijtë e Koordinimit për Tokën Shenjte kërkojnë njohjen e shtetit palestinez, respektimin e sigurisë së Izraelit dhe të drejtën e secilit për të jetuar i sigurt, duke hedhur poshtë me vendosmëri aktet e dhunës, ose shkeljen e të drejtave të njeriut.

R.SH. - Vatikan

Ipeshkvijtë e Koordinimit të Tokës Shenjte, që përfunduan shtegtimin e tyre vjetor të solidaritetit me të krishterët e Gazës, Ramallahut dhe Jeruzalemit Lindor, u bëjnë thirrje sot qeverive të kontribuojnë “në gjetjen e një zgjidhjeje të re politike, bazuar mbi dinjitetin njerëzor për gjithë” banorët e rajonit. Në një deklaratë, në fund të vizitës, prelatët theksojnë se kjo zgjidhje duhet të “përcaktohet përfundimisht nga popujt, që po dialogojnë në Tokën Shenjte”. Për 15 nënshkruesit e deklaratës, edhe vendet e tjera duhet të luajnë rolin e tyre e “të nxisin zbatimin e ligjit ndërkombëtar; të ndjekin udhëzimet e Selisë së Shenjtë në njohjen e shtetit të Palestinës;të kenë parasysh kërkesat e Izraelit dhe të drejtën e të gjithëve për të jetuar në siguri; të mos mbështesin politikisht, ose ekonomikisht, ngulimet izraelite dhe; të hedhin poshtë me vendosmëri aktet e dhunës, ose shkeljet e të drejtave të njeriut”.

Ipeshkvijtë kërkojnë respektimin e së drejtës ndërkombëtare

         Koordinimi i Tokës Shenjte kujton se ipeshkvijtë vendas katolikë, në një mesazh të fundit, “denoncojnë paaftësinë e bashkësisë ndërkombëtare për të kontribuar në promovimin e drejtësisë dhe të paqes në vendin ku lindi Krishti” dhe i fton qeveritë të “bëjnë më shumë për të zbatuar ligjin ndërkombëtar dhe për të mbrojtur dinjitetin njerëzor”, pasi, në disa raste, edhe ato vetë kanë qenë bashkëfajtore në konflikt. Ipeshkvijtë  e Koordinimit vënë në dukje se kushtet e jetesës në Tokën Shenjte janë gjithnjë e më të paqëndrueshme, veçanërisht në Cisjordani, ku “mohohen edhe të drejtat më themelore, përfshirë lirinë e lëvizjes”. Ndërkaq, “në Gazë, vendimet politike të të gjitha palëve kanë çuar në krijimin e një burgu të hapur, në shkeljen e të drejtave të njeriut dhe në një krizë të thellë humanitare”. “U pritëm nga familje, që sot kanë si përparësi mbijetesën e përditshme. Aspiratat e tyre janë pakësuar deri në nevojat më thelbësore, si energjia elektrike dhe uji i pijshëm”, që mungojnë vzhdimisht, denoncojnë ipeshvijtë e Koordinimit për Tokën Shenjte, “të prekur nga sakrifica e murgeshave, laikëve dhe meshtarëve, që përkushtohen aktivisht në të gjitha fushat, duke u përpjekur të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për të gjithë, përmes shërbimeve themelore, si arsimi, puna dhe ndihma për njerëzit më të brishtë”.

17 janar 2020, 17:13