Kërko

Vatican News
Shkronja "N", që do të thotë "nazareas", simboli i të krishterëve të persekutuar në Lindjen e Mesme Shkronja "N", që do të thotë "nazareas", simboli i të krishterëve të persekutuar në Lindjen e Mesme 

Raporti “Open Doors” 2020: diskriminohet një e teta e të krishterëve në botë

Përndjekjet prekin 260 milion njerëz, në 73 vende. Kritike, gjendja në Korenë e Veriut dhe në Sahel, ndërsa vazhdojnë të zvogëlohen bashkësitë e Irakut dhe të Sirisë. Fatmirësisht, është ulur numri i vrasjeve.

R.SH. - Vatikan

Një ndër tetë të krishterë në botë persekutohet për shkak të fesë. Është fjala për 260 milion vetë. Këto janë të dhënat e “World Watch List” 2020, listës që përpilohet nga organizata joqeveritare “Open Doors” (Dyer të Hapura). Raporti u paraqit sot, në Dhomën e Deputetëve të Italisë. Në të, analizohen ngjarjet botërore, nga 1 nëntori 2018 deri më 31 tetorin e vitit 2019, në njëqind vende, që potencialisht konsiderohen të prekura nga fenomeni i diskriminimit të të krishterëve. Të dhënat tregojnë se numri i të diskriminuarve në nivelin “e lartë”, “shumë të lartë” dhe “ekstrem”, është rritur me 15 milion.

Bie numri i të krishterëve të vrarë

         Fatmirësisht, numri i të krishterëve të vrarë është zvogëluar (nga 4.305 në 2.983 viktima), por mbetet e rrezikshme Nigeria, për shkak të sulmeve nga fiset Fulani dhe nga islamikët e Boko Haramit. Republika e Afrikës Qendrore, ku vijon lufta, renditet e dyta, ndërsa Sri Lanka, ku për Pashkët e vitit 2019 humbën jetën mbi 200 vetë, zë vendin e tretë.

Të përjashtuar nga jeta publike dhe të persekutuar në jetën private

         “Vdekjet dhe vrasjet janë ulur, por është shifër që ndryshon nga viti në vit, prandaj, luhatet tej mase”, shpjegon Cristian Nani, drejtori i organizatës “Dyer të Hapura”. Mbetet gjithnjë konstante, rritja e presionit kundër të krishterëve në jetën private dhe në atë publike. “Sipas parametrave të ndryshëm, që analizojmë - diskriminimi, dhuna, përjashtimi nga puna, nga shëndetësia dhe nga trajtimi mjekësor, ligjet që nuk pranojnë ekzistencën e të krishterëve, ose ligjet kundër kthimeve në fe tjetër”, sqaron Nani, “shihet një rritje e presionit në shumë shtete. Në të paktën 73 vende, të krishterët i nënshtrohen një niveli të lartë persekutimi”.

Koreja e Veriut dhe Afganistani: dy vendet më të rrezikshme

         Raporti nxjerr në pah 11 vende, ku përndjekja e të krishterëve cilësohet si “ekstreme”. Në vendin e parë, për të tetëmbëdhjetin vit radhazi, është Koreja e Veriut, ku sipas “Open Doors”, 50-70 mijë të krishterë janë internuar në kampet e punës së detyruar, për shkak të fesë. Pastaj, vijnë vendet, ku luftohet prej vitesh, karakterizuar nga një përmasë e rëndësishme fundamentaliste islamike, si Afganistani, Somalia dhe Libia, ndjekur nga Pakistani ku, në vitin e çlirimit të Asia Bibit, mbetet akoma në fuqi ligji kundër blasfemisë.

Keqësohet situata në Sahel

         Për herë të parë, Burkina Faso dhe Kameruni hyjnë ndër 50 vendet e para për diskriminimin ndaj të krishterëve, duke dëshmuar kështu, situatën e vështirë në zonën e Sahelit, ku veprojnë të paktën 27 grupe xhihadiste. Në veri të Burkina Fasos, janë mbyllur më se 200 kisha. “Një nga pikat thelbësore në rendin e ditës së këtyre lëvizjeve është pikërisht eleminimi i pranisë së krishterë”, nënvizon Nani: “Mbërrijnë në fshatrat e veriut të Burkina Fasos, duke u dhënë një ultimatum 3-ditor familjeve të krishtera që të ikin nga ai vend. Nëse kjo nuk ndodh pas tri ditësh, ata i vrasin”.

Në Irak e Siri, të krishterët ka rrezik të zhduken

         Në Lindjen e Mesme, persekutimi i të krishterëve vijon prej vitesh. Në Irak, para luftës së vitit 2003, kishte 1.5 milion të krishterë. Sot, ka rreth 200 mijë e kthimi i tyre në Pllajën e Ninives, pas dëbimit të Shtetit Islamik, është i vështirë, për shkak të mungesës së sigurisë. Në Siri, në luftë që prej 9 vitesh tashmë, të krishterët kanë kaluar nga mbi 2 milion vetë në 744 mijë.

Mbi 8 mijë abuzime me gratë e krishtera

         Në përgjithësi, janë mbyllur, ose sulmuar rreth dhjetë mijë kisha, ndërsa regjistrohen mbi tetë mijë raste abuzimi me gratë e krishtera, për shkak të diskriminimit fetar. “Kjo është vetëm maja e ajsbergut”, pohon drejtori i “Open Doors”, “sepse nuk jemi ende në gjendje t’i ndjekim si duhet këto fenomene, siç është ai i martesave të detyruara”. Sipas vlerësimeve, “të paktën 23 gra të krishtera dhunohen seksualisht çdo ditë”.

Amerika Latine

Në fund të Raportit, gjendja në Amerikën Latine, ku meshtarët dhe besimtarët, që sfidojnë krimin e organizuar, në vende si Kolumbia dhe Meksika, rrezikojnë jetën.

16 janar 2020, 17:27