Kërko

Vatican News
Nigeri Nigeri  (AFP or licensors)

Një meshtar nigerian: “Evropa të na ndihmojë për të ndalur shfarosjen e të krishterëve”

Të krishterët janë ankuar vazhdimisht për mungesën e ndërhyrjes nga ana e qeverisë së Muhammadu Buhari, e paaftë të garantojë sigurinë dhe të parandalojë dhunën e madje, edhe masakrat kundër të krishterëve.

R.SH. - Vatikan

“Ne të krishterët e Nigerisë jemi vërtet të persekutuar. Çdo ditë, vëllezërit tanë masakrohen në rrugë”. Në një video, dërguar sot nga Maiduguri i Nigerisë veriore, për Fondacionin papnor “Ndihmë për Kishën që vuan” (Acs), meshtari Joseph Bature Fidelis shpreh gjithë dhimbjen e tij për të krishterët në Nigeri, ku, këto ditë, ka shqetësim të madh për fatin e katër seminaristëve të Kaduna-s, rrëmbyer mbrëmjen e 8 janarit nga njerëz të paidentifikuar. Emrat e të rinjve, që frekuentonin seminarin “Bariu i Mirë”, janë Pius Kanwai (19 vjeç), Peter Umenukor (23 vjeç), Stephen Amos (23 vjeç) dhe Michael Nnadi (18 vjeç).

         Edhe ky akt i dhunshëm është pjesë e shkallëzimit dramatik të problemeve, që filluan më 26 dhjetorin e vitit të kaluar, me publikimin e videos së ekzekutimit brutal të 10 të krishterëve nga ana e terroristëve të Provincës së Afrikës Perëndimore të Shtetit Islamik. “Që atëherë situata ka degjeneruar”, denoncon don Joseph, duke bërë një thirrje të zjarrtë: “I kërkoj qeverisë së Italisë, vend ku kam studiuar, dhe të gjitha qeverive evropiane, të ushtrojnë presion mbi qeverinë tonë që të bëjë diçka për të na mbrojtur”.

         Të krishterët janë ankuar vazhdimisht për mungesën e ndërhyrjes nga ana e qeverisë së Muhammadu Buhari, e paaftë të garantojë sigurinë dhe të parandalojë dhunën e madje, edhe masakrat kundër të krishterëve. Sipas don Fidelis, është e nevojshme mbështetja dhe ndërhyrja e qeverive evropiane. “Përndryshe, ka rrezik të shfarosemi - thekson ai. - Populli ynë vuan shumë. Ju lutem, na ndihmoni, mos heshtni para kësaj shfarosjeje të madhe, që po vijon në heshtje”.

         Duke dëgjuar thirrjen e don Joseph e, sidomos, duke menduar për katër seminaristët e rrëmbyer, Fondacioni “Ndihmë për Kishën që vuan”, njofton se bashkë me lutjen do t’u japë mbështetje konkrete seminareve të vendit, veçanërisht seminarit të Maidugurit në dioqezën nga flet don Joseph. Ai frekuentohet nga 53 seminaristë e, siç tregon meshtari, ndodhet në një zonë ku vihet në rrezik jeta, vetëm sepse je i krishterë.

15 janar 2020, 16:52