Kërko

Arbëreshë në Radio Vatikan, së bashku me ipeshkvin e Eparkisë së Ungrës, imzot Donato Oliverio Arbëreshë në Radio Vatikan, së bashku me ipeshkvin e Eparkisë së Ungrës, imzot Donato Oliverio 

Në kishën e arbëreshëve në Romë: Papa Benedikti XIV dhe Kisha Italo-shqiptare

Të shtunën, më 18 janar, në kishën e arbëreshëve të Romës, në via del Babuino, në orën 17.30, do të mbahet një takim, me temë: ““De Fide Catholica” në “Etsi pastoralis” të Benediktit XIV dhe Kisha Italo-shqiptare: implikimet liturgjiko-baritore”.

R.SH. - Vatikan

Një ditë pasi gjithë bota shqiptare do të kremtojë përvjetorin e 552-të të vdekjes së Heroit Kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, të shtunën, më 18 janar, në kishën e arbëreshëve të Romës, në via del Babuino, në orën 17.30, do të mbahet një takim, me temë: ““De Fide Catholica” në “Etsi pastoralis” të Benediktit XIV dhe Kisha Italo-shqiptare: implikimet liturgjiko-baritore”.

Relator, diakoni Giampiero Vaccaro e moderator, prof. Domenico Morelli. Ikur nga territoret shqiptare pas vdekjes së Kastriotasit, arbëreshët kanë mbijetuar, me gjuhën dhe traditat e tyre, sidomos falë Kishës së ritit bizantin, në të cilën bëjnë pjesë shumica e tyre. Roli i saj, në marrëdhënie me Kishën e ritit latin e me Papët e kohës, do të vihet në dukje në takimin e së shtunës.

Etsi Pastoralis

“Etsi pastoralis”, për ata që nuk e dinë, është bulë e Papës Benedikti XIV, që ndikoi në historinë e arbëreshëve të Italisë. Në kohën kur u publikua bula, arbëreshët ishin organizuar tashmë në territoret italiane dhe kishin hapur kolegjet e tyre në Romë, në Kalabri e në Sicili. Kjo epokë e re pasonte një periudhë të gjatë, në të cilën, pavarësisht nga vështirësitë, njerëzit dhe kleri arbëresh u kishin qëndruar besnikë rrënjëve të tyre, duke ruajtur formën e ritit bizantin në kremtimet liturgjike. Por, ky lulëzim i arbëreshëve nuk shihej me sy të mirë nga ata, që dëshironin të eliminonin traditën bizantine në Kishën Romake, siç thuhet në faqen zyrtare të Eparkisë së Ungrës (http://www.webdiocesi.chiesacattolica.it/pls/cci_dioc_new/v3_s2ew_consultazione.mostra_pagina?id_pagina=13799).

I nxitur prej tyre, më 26 maj 1742, Papa Benedikti XIV emetoi bulën “Etsi Pastoralis”. Ajo përmbante direktiva të tipit liturgjik, siç ishte futja e “Filioque”-s në simbolin nikeas-kostandinopojan, që do të thuhej në Liturgjinë lindore; direktiva të tjera të tipit kanonik, siç ishte pamundësia e burrit për të ndjekur ritin lindor të gruas së tij, e cila ishte e detyruar të respektonte ritin latin të bashkëshortit; nga ana tjetër, gruaja e ritit latin nuk duhej të ndiqte ritin lindor të bashkëshortit, nëse ai i përkiste atij; fëmijët duhej të ndiqnin ritin e babait, përveç rastit kur gruaja e ritit latin do të ngulte këmbë për t’i edukuar në ritin e saj, etj.. Së fundi, “Etsi Pastoralis” vendosi epërsinë e ritit latin mbi atë bizantin.

Në një lexim të parë, “Etsi Pastoralis” paraqitet si ligj në kundërshtim të qartë me ritin bizantin, por, siç theksoi Papa Benedikti XV dy shekuj më vonë, ajo normativë u diktua nga fryma e ruajtjes së ritit grek, dëshiruar nga plani hyjnor, si edhe nga dëshira për të shmangur konfliktet, që lindën ndërmjet ipeshkvijve latinë dhe besimtarëve e meshtarëve shqiptarë. Me fjalë të tjera, “Etsi Pastoralis”, me normat e saj, pavarësisht se kufizuese, u garantoi shqiptarëve të traditës lindore një kuadër ligjor, në të cilin mund të mbijetonin e vërtet, mbijetuan. Për këto e argumente të tjera do të flitet të shtunën në Kolegjin Papnor Grek, qendër e arbëreshëve të Romës.

16 janar 2020, 18:40