Kërko

Battesimo di Gesù nel Giordano Battesimo di Gesù nel Giordano 

Liturgjia e Fjalës së Zotit – solemniteti i Pagëzimit të Jezusit

Pagëzimi i Jezusit në Jordan paralajmëron pagëzimin e Tij me gjak mbi Kryq, simbol i mbarë veprimtarisë sakramentore përmes së cilës Shëlbuesi realizoi shpëtimin e mbarë njerëzimit. Kështu, Kisha e vënë në dukje lidhjen e ngushtë ndërmjet pagëzimit të Krishtit e pagëzimit tonë. Këtë, sepse përmes kёtij Sakramenti ne bëhemi pjesë e Korpit mistik të Krishtit, që është Kisha, vdesim e ringjallemi me Të

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Liturgjinë e Fjalës së Zotit të së dielës. Kësaj radhe do t’i dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të Solemnitetit të Pagëzimit të Zotit.   

Liturgjia e Fjalës së Zotit – solemniteti i Pagëzimit të Jezusit

Me festën e pagëzimit të Jezusit mbyllet cikli i dëftimeve të Zotit, filluar me Krishtlindjen. Kështu, pas Krishtlindjes, që tani nisemi udhës sonë shpirtërore drejt Pashkëve. E Pagëzimi i Jezu Krishtit nё lumin Jordan përmban fatin e Jezusit, thirrjen apo misionin e tij. Në këtë periudhë të Krishtlindjes, deri dje, kemi dëgjuar nga tregimi i Ungjillit se si ka lindur, prej kujt ka lindur, ku ka lindur dhe në çfarë kushtet ka lindur Mesia. Pjesa e Ungjillit të kësaj feste na tregon arsyen pse ka lindur Jezusi: për shpëtimin e njerëzimit.

Me solemnitetin e Pagёzimit tё Jezu Krishtit mbyllën edhe të gjitha kremtimet liturgjike tё kohёs sё Krishtlindjes. Mbyllje simbolike, me dëftimin e Jezusit Zot në valët e lumit Jordan, për t’u pagëzuar nga Gjoni, domethënë për t’iu nënshtruar kësaj shenje e riti të pendesës, që na kujton të gjithëve kthesën e madhe shpirtërore, drejt Zotit e larg çdo mëkati.

Pagëzimi i Jezusit, të cilin po e kujtojmë e kremtojmë kёtё tё diel, është shprehje e logjikës së përvujtërisë e të solidaritetit: është gjesti i Atij, që dëshiron të bëhet në gjithçka, një nga ne e që prandaj, vihet në radhë me mëkatarët. Ai, që është pa kurrfarë mëkati, e lë veten të trajtohet si mëkatar, për të mbartur mbi shpinë fajin e mbarë njerëzimit.

Gjesti i Jezusit i paraprin Kryqit, pranimit të vdekjes, për mëkatet e njeriut, duke zbuluar përkimin e plotë të vullnetit e të ndjeteve të Vetjeve të Trinisë Shenjte. Pagëzimi, na bën pjesëtarë në shkëmbimin e dashurisë reciproke të Zotit, dashurisë ndërmjet Atit, Birit e Shpirtit Shenjt. Nëpërmjet këtij gjesti, që meshtarët e bëjnë gjatё kremtimit tё Sakramentit tё Pagëzimit, mbi ata qё pagëzohen ndikohet Shpirtin Shenjt Zot, dashuria e Zotit, duke i mbushur përplot me dhuratat e Tij Hyjnore.

Të çliruar nga mëkati i rrjedhshëm, për tё pagёzuarit nis jeta e Hirit, jeta e vetë Jezusit të Ngjallur. Kisha na kujton se duke na dhuruar fenë, Zoti na dha gjënë më të çmuar në jetë, arsyen më të vërtetë e më të bukur, për të cilën ia vlen të jetosh. Pikërisht përmes hirit tё Tёnzot ne besuam në Hyjin, e njohëm dashurinë e Tij, dëshirën e Tij për të na shpëtuar nga e keqja, duke na dhuruar jetën e pasosur, jetën e vërtetë.

Festa e Pagëzimit na hap rrugën e lidhjes së përditshme me Zotin. Pagëzimi është si urë, që Hyji e ndërtoi ndërmjet vetes e nesh. Pagëzimi, shënon fillesën e jetës shpirtërore, që e gjen përsosurinë e vet në Kishë. Prej këndej, Kisha i inkurajon të gjithë besimtarët ta zbulojnë bukurinë, që buron nga Pagëzimi e të japin dëshminë e gëzueshme të fesë së tyre

                                                Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë   Is 42, 1-4.6-7

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Kështu thotë Zoti: “Ja, Shërbëtori im që unë e përkrah, i Zgjedhuri im, në të cilin kënaqet shpirti im, mbi të e kam ndikuar Shpirtin tim: ai do t’ua japë të drejtën popujve. Ai s’do të bërtasë, s’do ta lartësojë zërin, zëri i tij s’do të dëgjohet në sheshe. Ai s’do ta thyejë as kallamin e copëtuar, s’do ta ndalë as fitilin tymues, dhe pa u trembur ai do ta shpallë të drejtën. S’do të lodhet as nuk do të ndalet derisa ta ketë vendosur të drejtën në tokë. Ishujt e presin me afsh mësimin e tij. Unë, Zoti, të thirra në drejtësi e për dore të kam marrë; të kam trajtuar e caktuar besëlidhje të popullit edhe dritë për të gjithë popujt: që t’ua hapësh sytë të verbërve, që t’i nxjerrësh të burgosurit nga burgu, prej shtëpisë së burgut ata që rrinë në terr.” Fjala e Zotit Falënderojmë Hyjin.

 Psalmi 28/29

Lavdi i qoftë emrit tënd, o Zot

Jepni Zotit, o bijtë e Hyjit,

jepni Zotit lavdinë e fuqinë!

Jepni Zotit nderin e Emrit të tij,

adhurojeni Zotin në shkëlqimin e

shenjtë!

 

Dëgjo! Zoti gjëmon mbi ujëra,

Hyji i madhërishëm gjëmon,

Zoti bubullon mbi ujëra të mëdha!

 

Dëgjo! Zoti gjëmon fuqishëm,

Zoti gjëmon me madhëri!

Ndërkaq në Tempullin e tij të gjithë thonë: “Lavdi!”

Zoti e ka fronin përmbi përmbytje,

Zoti mbretëron përgjithmonë e jetë!

 

Leximi dytë Vp 10,34-38

Lexim prej Veprave të Apostujve

Atëherë Pjetri mori fjalën e tha: “Tani me të vërtetë po e marr vesh se Hyji nuk i mban kujt krah, shi përkundra – në çdo kombësi i pëlqen ai që e ka frikën e tij dhe që e zbaton drejtësinë. Ai u dërgoi fjalën e vet Izraelitëve dhe ua shpalli Ungjillin e paqes përmes Jezu Krishtit që është Zotëria i të gjithëve. Ju e dini çka ka ndodhur në mbarë Judenë, duke filluar nga Galileja, pas pagëzimit që predikoi Gjoni, sesi Hyji Jezusin prej Nazaretit e shuguroi me Shpirtin Shenjt e me pushtet; atë që e përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që kishin rënë nën pushtet të djallit, sepse Hyji ishte me të.” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Aleluja. Aleluja.

Ja, po vjen një më i fortë se unë, thotë Gjoni; Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt e me zjarr.

Aleluja.

Ungjilli    Mt 3, 13-17

Lexim i Ungjillit Shenjt sipas Mateut

Atëherë erdhi Jezusi prej Galilesë në Jordan te Gjoni për t’u pagëzuar prej tij. Gjoni donte t’i kundërshtonte e i thoshte: “Mua më duhet të pagëzohem prej teje, e ti po vjen tek unë?” Por Jezusi i përgjigji: “Lëre tani! Sepse kështu na ka hije të kryejmë çdo gjë që përkon me vullnetin e Hyjit.” Atëherë e lejoi. Fill pas pagëzimit Jezusi doli nga uji. Dhe, ja! Iu hapën qiejt dhe e pa Shpirtin e Hyjit duke zbritur porsi pëllumb e duke ardhur mbi të. Dhe, ja, një zë që vinte nga qielli, tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër!” Fjala e Zotit! Lavdi ty, o Krisht!

10 janar 2020, 17:00