Kërko

Vatican News
 Epifania e Caravaggios Epifania e Caravaggios 

Krishtlindja, në kryevepra proze. Piero Bargelini: “Njëri nga Mbretërit Dijetarë”.

Tregimi “Njëri nga Mbretërit Dijetarë”, shkruar nga prozatori i njohur italian Piero Bargelini, na fton të ecim në gjurmët e njërit nga dijetarët, që sot po e adhurojnë Krishtin Fëmijë në Shpellën e Betlehemit.

R. SH. - Vatikan

Tregimi “Njëri nga Mbretërit Dijetarë”, shkruar nga prozatori i njohur italian  Piero Bargelini  i cili, ndërmjet tjerash,  foli për shumë vjet në mikrofonet e Radio Vatikanit, na fton të ecim në gjurmët e njërit nga dijetarët, që sot po e adhurojnë Krishtin Fëmijë në Shpellën e Betlehemit.

“Jo, ju nuk mund ta besoni se unë jam magjistar përrallash. Nuk kam shkop, as nuk bëj magji. Në vendin tonë, në Persi,  fjala magjistar kishte kuptimin e njeriut të urtë, domethënë dijetarit. Kështu na quanin ne! Edhe pse kishim studiuar shumë, sidomos librin e titulluar Avesta.

Shpatullat tona ishin kërrusur mbi këtë libër. Mjekrrat, zbardhur, nga studimi.

Libri kumtonte ardhjen e një “zotërie të ditur”, ose të një fitimtari, që do t’i çlironte njerëzit përgjithmonë.

Para nesh, brezni pas breznie, dijetarët e patën pritur këtë njeri mrekullibërës, por gjithnjë, më kot!

Tashmë ishim motuar e tuteshim se do t’i mbyllnim sytë pa e parë Çlirimtarin. Vëzhgonim qiellin, në pritje të shenjës, që do të kumtonte ardhjen e Tij.

E ja, një yll, me shkëlqim të jashtëzakonshëm, na bëri me shenjë ta ndjekim.

U nisëm të lum, mbi deve race, me veshje madhështore, me kurora në kokë e dhurata në dorë.

Nuk ishte gjë e bukur të paraqiteshim para këtij mbreti të madh me duar thatë. Njëri nga ne mori një kupë  ari, simbol i pushtetit mbretëror. Tjetri, një amforë plot me kem, simbol i nderimit priftëror. I treti, një kelk me mirrë, simbol i ringjalljes.

Ylli na printe. Asnjë karvan nuk mund të krenohej se kishte bërë një udhë të tillë.  Kaluam male, përshkuam fusha, kapërcyem lumenj e arritëm në qytetin, ku ylli na bëri shenjë të ndalemi.

Ishte Jeruzalemi. Mbreti Herod u njoftua për arritjen tonë. E mori vesh edhe se kërkonim Mbretin e Judenjve e nisi t’i pyeste dijetarët e vet:

- Ku thonë librat se duhet të lindë Shëlbuesi?

Edhe hebrenjtë kishin një libër, të quajtur Bibla, ku kumtohej ardhja e Shëlbuesit. Prandaj të urtit e mbretërisë iu përgjigjen Herodit:

 - Betlehemi do të jetë djepi i tij!

- Shkoni, pra, në Betlehem -  na tha Herodi - e në kthim, ejani e më tregoni për të.

Rinisëm udhëtimin e ylli shtegtonte me ne, derisa u ndal mbi një stallë. Gjetëm aty fëmijën, mbështjellë në fasha, vënë mbi një grazhd, ndërmjet dy kafshëve. Ç’braktisje. E ç’mjerim i zi! Mbreti i botës prehej mbi fije kashte, pa oborr mbretëror rreth e rreth, pa kurrfarë nderimi.

E pamë e dija jonë u pështjellua krejtësisht. Prisnim një mbret fuqiplotë, në një fron madhështor, në mes të pasurisë e të shkëlqimit.

Duke parë gjithë këtë përvujtëri, edhe ne na u duk vetja njerëz të përvuajtur. Nxorëm dhuratat tona: arin, kemin, mirrën. Foshnja na ndoqi me sy mirënjohës, po ne e kuptuam se dhuratat nuk mjaftonin. Ai nuk kënaqej vetëm me ar, kem e mirrë. Donte edhe zemrat tona. E i donte përplot me atë pasuri, që nuk shterron kurrë e që quhet Dashuri.

Për këtë Dashuri, që kthehet në bamirësi, shkenca jonë prej dijetarësh të moçëm, nuk kishte menduar kurrë.

Na e mësoi një Ferishte, një i posalindur, në një stallë, me një buzëqeshje, që e rinoi zemrën tonë të stërplakur.

06 janar 2020, 16:02