Kërko

Vatican News

Çelësi i fjalëve të Kishës: Letra e dytë drejtuar Korintasve – drita, që verboi shën Palin

Javën e kaluar filluam komentin e Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve. Thamë se në katër kapitujt e parë të saj, gjejmë bazat e teologjisë biblike të krishterë, që flet për Besëlidhjen e Vjetër e për Besëlidhjen e Re. Nga njëra anë, vlera kalimtare dhe e pjesshme e Besëlidhjes së Vjetër, nga ana tjetër, shkëlqimi i Krishtit. Vijojmë komentin, duke ndjekur librin “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian, don Federico Tartaglia.

R.SH - Vatikan

Vijojmë komentin, duke ndjekur librin “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian, don Federico Tartaglia. Javën e kaluar filluam komentin e Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve. Thamë se në katër kapitujt e parë të saj, gjejmë bazat e teologjisë biblike të krishterë, që flet për Besëlidhjen e Vjetër e për Besëlidhjen e Re. Nga njëra anë, vlera kalimtare dhe e pjesshme e Besëlidhjes së Vjetër, nga ana tjetër, shkëlqimi i Krishtit.

Disa shekuj më vonë, në krahasim me Shën Palin, shën Augustini i madh do të shkruante: “Në Besëlidhjen e Vjetër fshihet e Reja e, në Besëlidhjen e Re bëhet e qartë e Vjetra” (Për atë, që di pak latinisht, është më bukur: “In vetere novum latet, in novo vetus patet”). Por në kohën e shën Palit nuk ishte e lehtë ta thoje këtë. Apostulli përdor kundërshtitë me ata, që e fyenin dhe e kritikonin, për të nxjerrë në pah Krishtin. Veli i Moisiut bëhet për shën Palin imazhi për të treguar verbimin e armiqve të vet, që nuk duan ta shohin fytyrën e Krishtit si shkëlqim i asaj të Zotit:

“U terratis mendja e tyre! E njëmend, edhe sot e kësaj dite e mbulon ai vel leximin e Besëlidhjes së vjetër: nuk u qe zbuluar, se në Krishtin mori fund” (2 Kor 3,14).

Nëse, edhe sot e kësaj dite, shumë hebrenj janë kundër shën Palit, mund ta kuptojmë lehtë psenë, megjithëse, në të vërtetë, apostulli e ka me ata judeas, që e kishin pranuar Ungjillin, por do të dëshironin ta korruptonin Besëlidhjen e Re me të Vjetrën. Pali (i cili është hebre, të mos e harrojmë) ishte neveritur nga ata, që e kishin frikë Shpirtin Shenjt e donin t’i shtonin Ungjillit diçka njerëzore – në këtë rast, veprat e Ligjit.

Armiqtë e shën Palit u munduan shpesh ta hidhnin poshtë kryqin e Krishtit, ta infektonin gëzimin e Ungjillit, ta kufizonin lirinë e Hirit Hyjnor e, akoma sot, nuk kanë besim të plotë tek apostulli.

Në gjirin e kësaj Letre gjejmë dritën, që verboi shën Palin aq sa, në krahasim me të, çdo gjë tjetër u bë e errët. Ky është rrëfimi më i bukur, që shkroi ai, për të na shpjeguar marrëdhëniet e veta me Krishtin:

“Sepse dashuria e Krishtit na nxit kur mendojmë se: Njëri vdiq për të gjithë, prandaj, të gjithë vdiqën… Nëse ndokush është në Krishtin, është krijesë e re: e vjetra u zhduk, dhe, ja, u bë e reja!” (2 Kor 5,14.17)

“Sepse”, “ngaqë”… Pali është njeri i këtyre fjalëve. Gjithçka e bën, sepse Krishti vdiq dhe u ngjall. Kjo është kauza e tij, arsyeja dhe qëllimi i tij!

“Dashuria e Krishtit na nxit!” (2 Kor 5,14).

Të jesh i krishterë, për shën Palin, do të thotë të shtyhesh, të shkundesh nga bariqendra e natyrshme dhe e rehatshme.

“Nëse ndokush është në Krishtin…” (2 Kor 5,17)

Të besosh në Krishtin do të thotë të jetosh në Të e për Të.

“…është krijesë e re” (2 Kor 5,17).

Do të thotë së është përtërirë, është rikrijuar (Shën Gjoni ungjilltar shkruan se rilindim nga e para).

“…e vjetra u zhduk, dhe, ja, u bë e reja!” (2 Kor 5,17).

Të besosh në Jezu Krishtin, është sikur të pushtohesh prej Tij! Të njohësh Krishtin do të thotë të zbulosh se gjithçka ndodhi para Tij është kalimtare, e vjetër… hedhurinë, siç do të thotë shën Pali në një Letër tjetër. Shëlbimi nuk mund të vijë kurrë nga impenjimi ynë, nga ndërgjegjja e nga veprat e mira që bëjmë, por vetëm nga zbulimi i Hirit Hyjnor. Nëse i shtojmë gjëra të tjera këtij burimi, do të thotë se nuk kemi pirë kurrë nga uji i tij.

Kapitujt 6 e 7 të Letrës së dytë të Shën Palit drejtuar Korintasve shërbejnë për të kuptuar me sa intensitet dëshiron apostulli t’ua transmetojë këtë jetë të re banorëve të Korintit e sa dëshiron të njihet si ai, që i rilindi në Krishtin. Njëmijë profesorë, por një atë i vetëm. S’është pak.

23 janar 2020, 09:44