Kërko

Vatican News
Jeruzalemi Jeruzalemi 

Atë Faltas: Jeruzalemi është nyja e konfliktit të Lindjes së Mesme

Në një gjendje amullie diplomatike, Lindja e Mesme priste shumë nga plani i ri i paqes, për të cilin dukej se SHBA-të po punonin prej kohësh. Në mikrofonin e Radio Vatikanit, pas paraqitjes së planit nga presidenti Donald Trump, atë Ibrahim Faltas, këshilltar i Rojtarisë së Tokës Shenjte, shpreh keqardhjen për këtë propozim të papranueshëm, sepse tepër i njëanshëm.

R.SH. - Vatikan

Pasi presidenti amerikan, Doland Trump, paraqiti planin e ri të paqes për Lindjen e Mesme, vijon kori i kritikave kundër propozimit, që mund të çojë në dhunë të mëtejshme ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve. Refuzimi i Palestinës u ndoq edhe nga ai i vendeve të tjera, të cilat e kundërshtuan zgjidhjen e presidentit Trump, që parashikon dy shtete të pavarura, me Jeruzalemin si kryeqytet të pandashëm të Izraelit e me Jeruzalemin Lindor si kryeqytet të Palestinës. Kryeministri izraelit Netanyahu ia shpjegoi planin edhe presidentit rus Putin, në Moskë, ku ndodhej për një fushatë, që synon t’ua mbushë mendjen krerëve botërorë se plani amerikan mund të shërbejë si bazë për bisedime.

         Ndërkaq, asambleja e ipeshkvijve katolikë të Tokës Shenjte u shpreh kundër planit të ri, pasi ai “nuk u jep dinjitet dhe të drejta palestinezëve”. Propozimi i presidentit Trump, shkruajnë ipeshkvijtë në një deklaratë, “duhet konsideruar si veprim i njëanshëm, pasi bën të vetën shumicën e kërkesave të njërës palë, asaj izraelite. Plani nuk çon drejt zgjidhjes, përkundrazi, krijon tensione më të mëdha”.

Atë Faltas: duhet gjetur zgjidhja për Jeruzalemin

         Ky është edhe mendimi, që shpreh në mikrofonin e Radio Vatikanit, këshilltari i Rojtarisë së Tokës Shenjte, atë Ibrahim Faltas. Sipas tij, nga plani amerikan pritej shumë, por ai nuk i merr parasysh të dyja palët e interesuara:

         Trump, që e ka bërë këtë propozim, është vetëm me izraelitët: duhej të ishte me palestinezët e me izraelitët. Ata janë të interesuarit: duhej të ishte me të dyja palët.

A keni dëgjuar ndonjë vendas, si palestinez, ashtu edhe izraelit? Ç’zëra ka?

Po: jam mik i të dyja palëve e punoj me ta, por reagimi i parë, fjala e parë, që tha presidenti Abu Mazen ishte: “Jeruzalemi nuk është në shitje”. Prandaj, gjithçka e planit, që vjen pas çështjes së Jeruzalemit, nuk u pranua. Po e përsëris: thelbi i konfliktit ndërmjet palestinezëve dhe izraelitëve është gjithmonë Jeruzalemi. Sipas mendimit tim, duhej të gjenin një zgjidhje për Jeruzalemin. Gjithçka përqendrohet në të.

Cili është propozimi për Jeruzalemin, me të cilin do të ishit dakord?

Për Jeruzalemin, ne kemi bërë gjithmonë të njëjtin propozim dhe është po ai, që mbështetet edhe nga Selia e Shenjtë: Jeruzalemi duhet të jetë qytet i hapur për të gjithë dhe i të gjithëve, duhet të ketë një status të veçantë. Jeruzalemi nuk mund të jetë kryeqyteti i një shteti të vetëm, as i shtetit izraelit dhe as i atij palestinez. Ai duhet t’u përkasë të gjithëve. Jeruzalemi është nëna e të gjithëve, Jeruzalemi është qyteti i Zotit. Zgjidhja e vetme është që Jeruzalemi të jetë ndërkombëtar. Ka vite që thuhet kjo, por fatkeqësisht, askush nuk dëgjon. Gjon Pali II e nënvizonte shumë mirë: “Nëse nuk do të ketë paqe në Jeruzalem, kurrë nuk do të ketë paqe, në gjithë botën”.

Megjithë refuzimin e palës palestineze, sipas jush, a ekziston akoma ndonjë mundësi që diçka të lëvizë, ose të hapen bisedime të reja për paqen?

Është e vërtetë, prej kohësh s’ka pasur takime ndërmjet palestinezëve dhe izraelitëve dhe bisedimet janë në vendnumëro, por tani do të bëhet edhe më keq, sepse palestinezët nuk do të shkojnë kurrë. Si rezultat i propozimit amerikan, kanë rifilluar marrëdhëniet ndërmjet Hamasit dhe Fatahut, sepse të dy janë marrë vesh kundër këtij plani. Tani ka përleshje kudo, në gjithë territorin palestinez e shpresojmë të mos fillojë Intifadah e tretë ... gjërat janë ndërlikuar.

Sipas mendimit tuaj, njerëzit e thjeshtë të Izraelit e të Palestinës duan ndryshime apo jo?

Në nivelin e popullit, natyrisht që duan; ka palestinezë, që e duan paqen dhe ndryshimin, po ashtu edhe izraelitët; e ka edhe shumë nisma për paqen ndërmjet palestinezëve dhe izraelitëve, por në këtë çast, askush nuk flet për këtë. Unë gjithmonë e kam thënë dhe e përsëris: ajo që po ndodh në zonë është një masakër ndërmjet njerëzve, që nuk e njohin njëri-tjetrin, për interesin e disa personave, që njihen, por nuk e masakrojnë njëri-tjetrin. Unë njoh shumë izraelitë e palestinezë dhe, duke folur me ta, e shoh qartë se kanë dëshirë për paqe. Të dyja palët nuk durojnë më. Por, bashkësia ndërkombëtare duhet të punojë më shumë, duhet të angazhohet më shumë. Nuk mund të impenjohet vetëm Amerika: të gjithë duhet të punojnë. Të gjithë.

30 janar 2020, 17:31