Kërko

Vatican News
San Raimondo de Penafort,  Ordine dei Predicatori, Convento di Santa Sabina, Roma San Raimondo de Penafort, Ordine dei Predicatori, Convento di Santa Sabina, Roma 

Me 7 janar kalendari kujton shën Raimondin e Penafortit

Papa Gregori IX e thirri në Romë dhe i besoi detyrën të mblidhte të gjitha dekretet papnore dogmatike e disiplinore, , duke dhënë edhe shpjegimet e veta për problemet e veçanta. Detyrë gati e parealizueshme. Por domenikani me aftësi të shquara e vullnet të hekurt për punë, arriti të realizonte një përmbledhje të përkryer.

R.SH. - Vatikan

Me 7 janar kalendari kishtar përkujton Shën Raimondin e Penafortit, meshtar. Bir zotërinjsh katalanë, Raimondi lindi në Penafort, në vitin 1175. Studimet i nisi në Barcelonë e i kreu në Bolonjë. Këtu njohu gjenovezin Sinibald Fieski, që më vonë do të bëhej Papa Inoçenci IV. Si u kthye nga Bolonja, u emërua kanonik në katedrale. Por në vitin 1222 në qytet u hap një kuvend i Urdhërit të Predikatarëve, themeluar pak vjet më parë nga Shën Domeniku. 

Raimondi la kanonikatin e u bë domenikan. Në vitin 1223 ndihmoi Shën Pjetër Nolaskun në themelimin e Urdhërit të Mercedarëve për çlirimin e skllevërve. Pak vjet më vonë, Gregori IX e thirri në Romë dhe i besoi detyrën të mblidhte e të rendiste të gjitha dekretet papnore dogmatike e disiplinore, një mori të pafundme tekstesh, duke dhënë edhe shpjegimet e veta për problemet e veçanta.

Detyrë gati e parealizueshme. Por domenikani me aftësi të shquara e vullnet të hekurt për punë, arriti të realizonte një përmbledhje të përkryer.  Më 1234 Papa deshi ta emëronte kryeipeshkëv të Tarragonës. Por ai nuk pranoi. Deshi të mbetej rregulltar i thjeshtë. Në vitin 1238 sivëllezërit e zgjodhën epror i përgjithshëm i Urdhërit. Iu desh t’i nënshtrohej vullnetit të tyre. Është eprori i tretë i përgjithshëm i Urdhërit.

Martiriologu Romak e përshkruan kështu: “Shën Raimondi i Penjafortit, meshtar i Urdhërit të Predikatarëve, njohës i shkëlqyer i së drejtës kanonike, shkroi shumë për Sakramentin e Rrëfimit e, si u zgjodh Epror i përgjithshëm, përgatiti një botim të ri të Kushtetutës së Urdhërit; mbylli sytë në Tënzonë në moshë të shtyrë, në Barcelonë të Spanjës”. 

07 janar 2020, 16:05