Kërko

Vatican News
Natività, adorazione dei Magi Natività, adorazione dei Magi  (©zatletic - stock.adobe.com)

Shenjtorët e javës 5-12 janar

Ungjilli i kësaj së diele na kujton Misterin e madh të fesë së krishterë, në një shprehje tejet të shkurtër: “Fjala u bë njeri”. E kjo, për të thënë se shëlbimi, që solli Zoti i mishëruar në Jezusin e Nazaretit, e prek njeriun në realitetin e tij konkret e në çfarëdo lloj situate. Hyji pranoi të jetojë si njeri, për ta shëruar njeriun nga gjithçka e ndan prej Tij, për t’i krijuar mundësinë ta quajë, në Birin e Tij të Parëlindur, me emrin ‘Abbà, Atë’, e për të qenë vërtet bir i Hyjit.

R.SH. - Vatikan

E diel 5 janar, Kisha katolike kremton të dielën e 2-të pas Krishtlindjes. Gjithnjë më 5 janar, kalendari kishtar përkujton shën Eduardin, mbret të Anglisë, e shën Gjonin Njuman, ipeshkëv të Filadelfisë.,

Të hënën, më 6 janarKisha katolike do të kremtojë solemnitetin e Dëftimit të Zotit. Dëftimi i Zotit është festë e ngjalljes, sepse përmbushet plotësisht në ngjarjet e Pashkëve. Kështu, dëftimi i Zotit para Mbretërve Dijetarë, duket si akti i parë i vazhdimësisë së dëftimit dhe dukjeve, që përshkojnë gjithë jetën tokësore të Jezusit. Ai, drita e botës, është caku i fundmë i historisë, pikarritja e daljes, fundi i udhës providenciale të shëlbimit, që arrin kulmin me vdekjen, ngjalljen dhe ngjitjen e Tij në qiell. Prandaj, në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, liturgjia parashikon edhe Kumtimin e Pashkëve, sepse Viti liturgjik përmbledh gjithë shëmbëlltyrën e historisë së Shëlbimit, në qendër të së cilës është Treditëshi i Zotit të kryqëzuar, të varrosur e të ngjallur.

Të martën më 7 janar, kalendari kishtar përkujton shën Rajmondin de Penafort, shën Kirin. Në liturgjia e ditës, duke medituar Ungjillin e kohës së Krishtlindjes shohim mrekullitë që Zoti ka bërë për ne. Për gjithçka falënderojmë Hyjin Krijues e Atë, që na ka dhënë Birin e Tij Jezu Krishtin.

Të mërkurën, më 8 janar, kisha përkujton shën Severinin, pajtor kryesor i Austrisë dhe i Bavarisë, zonë që në antikitet quhej Norik. Me veprat e tija bamirëse, ndërmjetësitë e tija si qytetar romak pranë fiseve barbare gjermane që merrnin peng të huajt, shën Severini na kujton se sa e rëndësishme është ta duash të afërmin në çaste të vështira. Banorët e Norikut përqafuan fenë e Krishtit falë pikërisht veprave dhe dhuntive të këtij shenjti.

Të enjten më 9 janar, kalendari përkujton shën Julianin e shën Basilisën, bashkëshortë, të dy shenjtër, që me kujdesin e tyre për të shtegtarët dhe endacakët treguan dashurinë ndaj Kishës dhe të varfërve në shpërblim të mëkateve të veta.

Të premten më 10 janar, kalendari përkujton Shën Aldon, murg benedektin irlandez, i varrosur në Pavi, Itali, që gjatë gjithë jetës zbatoi fjalët “ora et labora”- “lutu dhe puno”.

Të shtunën më 11 janar, kalendari kishtar përkujton shën Igjinin Papë, filozof, rregullues i hierarkisë kishtare. Vetë veprat dhe vdekja e tij si martir gjatë persekutimeve të perandorit romak Antonino Pio na sjellin ndërmend se sa sakrifica duhen për të mbrojtur besimin.

Të dielën e ardhshme më 12 janar, Kisha katolike do të kremtojë festën e Pagëzimit të Jezu Krishtit në lumin Jordan. Pagëzimi i Krishtit është dëftimi i misionit të tij në botë. Ati Qiellor shpall dashurinë e tij për Të. Shpirti i Shenjtë e shndrit me dritën e vet. Jezusi “i zhytur” në ujë nga shën Gjon Pagëzuesi, me vdekjen dhe ngjalljen e tij, do të na “zhysë” edhe ne në jetën e amshuar.

05 janar 2020, 15:51