Kërko

Shën Françesku Sales Shën Françesku Sales 

Me 24 janar kalendari kishtar kujton shën Françeskun e Sales

Shën Françesku i Sales është dëshmitar shembullor i humanizmit të krishterë: me stilin e tij familjar, me shëmbëlltyrat, që nganjëherë fluturojnë me flatrat e poezisë, vijon të na kujtojë se njeriu e ka të shkruar në thellësitë e shpirtit të vet mallin për Zotin e se vetëm në Të mund të gjejë gëzimin dhe realizimin e tij të plotë.

R.SH. - Vatikan

Me 24 janar kalendari kishtar përkujton Shën Françeskun e Sales, dijetar i Kishës e ipeshkëv i Gjenevës, një ndër mësuesit e mëdhenj të spiritualitetit të shekujve të fundit. Lindi në Thorens të Savojës më 21 gusht të vitit 1567. Si u doktorua në Padovë, u shugurua meshtar e më pas u emërua ipeshkëv i Gjenevës.

Shën Françesku Sales është një ndër mësuesit e mëdhenj të jetës shpirtërore. Iu përkushtua me sukses të madh predikimit dhe formimit shpirtëror të besimtarëve, duke u mësuar se thirrja për shenjtëri është për të gjithë dhe se secili – siç thotë Shën Pali në krahasimin me trupin – ka vendin e tij në Kishë”. 

Shkroi shumë vepra asketike e qe ndër të parët që jetën shpirtërore dhe shenjtërinë i paraqiti si udhë të mundshme për të gjithë besimtarët e njerëzit vullnet mirë në të gjitha situatat e gjendjet e jetës: në familje, në shoqëri, në zyrë, në punë, në ushtrí, në katedra universitetesh e edhe në parmendë e në kosë. Theksoi se vetëm dashuria e Zotit formon e bën Shenjtorë.

Në bashkëpunim me Gjovanë Françeskën Fremiët de Shantal themeloi Urdhrin e murgeshave klaustrale të Vizitacionit. U shqua për dituri të thellë e butësi të jashtëzakonshme, aq sa u quajt Shenjti i butësisë. 

Shën Françesku i Sales është dëshmitar shembullor i humanizmit të krishterë: me stilin e tij familjar, me shëmbëlltyrat, që nganjëherë fluturojnë me flatrat e poezisë, vijon të na kujtojë se njeriu e ka të shkruar në thellësitë e shpirtit të vet mallin për Zotin e se vetëm në Të mund të gjejë gëzimin dhe realizimin e tij të plotë. Me urtinë e tij baritore e ëmbëlsinë proverbiale, tërhoqi shumë kalvinistë të krishterë në radhët e Kishës katolike. Vdiq në Lion me 28 dhjetor 1622. Kujtojmë se Shën Françesku i Sales është pajtor i gazetarëve dhe i shtypit katolik.

Kisha e nderon Shën Françeskun e Sales si shenjt e doktor, ndër më të mëdhenjtë, ndonëse jetoi në shekujt XVI-XVII, 400 vjet larg nesh në kohë, e, megjithatë, tejet pranë në mendime. I pamatshëm, ndikimi i jetës së tij e i mësimit të tij mbi Evropën e epokës e të shekujve të mëpasshëm. Është apostull, predikatar, shkrimtar, njeri i veprimit e i lutjes, i impenjuar për të vënë në jetë idealet e Koncilit të Trentit; i angazhuar në grindjet e në dialogun me protestantët, duke provuar gjithnjë më shumë, përtej ballafaqimit të nevojshëm teologjik, frytin e marrëdhënieve personale e të dashurisë së krishterë; i ngarkuar me misione diplomatike në nivel evropian e me detyra shoqërore ndërmjetësimi e pajtimi.

Françesku i Sales, njeri tejet i pasur me humanitet, me kulturë, mirësjellje, fisnikëri, solidaritet. Ai dinte të pasurohej e të pasuronte me dije e me dashuri të krishterë, dije e dashuri që i derdhte në zemrat e njerëzve, me të cilët takohej e në veprat e shkruara, që mbeten gjithnjë të famshme. Në një prej tyre “Hyrje në jetën e devotshme”, Shenjti francez formuloi një ftesë revolucionare, sipas së cilës “njeriu duhet t’i përkasë krejtësisht Zotit, duke jetuar në zemër të botës e duke kryer detyrat, në përkim me mënyrën e tij të jetesës”. Zinte fill kështu, thirrja e laikëve, kujdesi për kushtimin e sendeve të përkohshme e për shenjtërimin e së përditshmes, thirrje mbi të cilën do të këmbëngulnin Koncili II i Vatikanit e përshpirtëria e kohëve tona. Dukej në horizont ideali i njerëzimit të pajtuar, përkimi ndërmjet veprimtarisë në botë e lutjes, ndërmjet jetës shekullare e kërkimit të përsosurisë, me ndihmën e Hirin e Hyjit, që e përshkon njerëzoren e, pa e shkatërruar, e pastron, duke e ngritur në lartësi hyjnore.

Françesku i Sales arrin ta përshkruajë arsyen njerëzore si tempull me shumë hapësira, që ka në qendër “fundin e shpirtit”, pikë, në të cilën arsyeja – siç u shpreh një ditë – i mbyll të dy sytë e dija bëhet një gjë e vetme me dashurinë. Mendimin se dashuria, në përmasën e vet teologale, duhet të jetë arsyeja e të qenit të të gjitha sendeve, në një shkallë ngjitëse, që nuk njeh plasa as hone, Shën Françesku i Sales e përmblodhi në një nga frazat e tij të famshme: ‘Njeriu është përsosuria e universit; shpirti, përsosuria e njeriut; dashuria, përsosuria e shpirtit e bamirësia, përsosuria e dashurisë”.

24 janar 2020, 11:44