Kërko

Imzot Pjeter Bogdani Imzot Pjeter Bogdani 

Imzot Pjetër Bogdani në përvjetorin e vdekjes

Imzot Pjetër Bogdani shquhet jo vetëm si ipeshkëv i lartë, por edhe si atdhetar, dijetar e letrar që dha kontribut të vlefshëm në teologji e në përpjekje për çlirimin e vendit nga zgjedha osmane, për zhvillimin dhe përparimin e kulturës së shqiptarëve.

R.SH. - Vatikan

Më 6 dhjetor të vitit 1689 ndërroi jetë, në Prishtinë, nga epidemia e murtajës, personaliteti i shquar i Kishës dhe kulturës , ipeshkvi i jashtëzakonshëm imzot Pjetër Bogdani. Prift, ipeshkëv, kryeipeshkëv, teolog e filozof nga Hasi (Krahinë e lashtë), që shtrihet në Shqipëri dhe Kosovë.

Me veprimtarinë e tij misionare, kishtare, shoqërore, kulturore dhe politike 40 vjeçare, sidomos me rolin që luajti si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689 dhe me kryeveprën e vet teologjike Cuneus Prophetarum De Christo Salvatore Mundi, Et Eius Evangelica Veritate”,  apo sipas përkthimit të françeskanit At’ Justin Rrotës “Çeta e profetëve", imzot Pjetër Bogdani është quajtur pararendës i hershëm i lëvizjes së rilindjes shqiptare e teolog i shquar.

Në arkivin e Propaganda Fide-s, në Vatikan, mes shumë dokumentash, ruhet edhe një dokument me të dhëna me vlerë të jashtëzakonshme rreth veprimtarisë së shumëtrajtshme fetare e kishtare, shoqërore, politike dhe kulturore që zhvilloi Imzot Pjetër Bogdani. Prandaj, ipeshkvi i madh imzot Pjetër Bogdani vlerësohet si teologu më i njohur shqiptar dhe një nga figura më të ndritura të letërsisë së vjetër shqipe. Imzot Pjetër Bogdani shquhet jo vetëm si meshtar dhe ipeshkëv i madh, pra, si bari shpirtëror, por edhe si dijetar, teolog, letrar dhe atdhetar, që dha kontribut të çmueshëm në përpjekje për çlirimin e popullit dhe të vendit nga zgjedha osmane, si dhe për zhvillimin e përparimin e kulturës së shqiptarëve. 

Me veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme kishtare, ungjillëzuese dhe atë atdhetare e shoqëroro-politike 40 vjeçare, sidomos me rolin që luajti si formues i ndërgjegjes së shqiptarëve, si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689 dhe me kryeveprën e tij teologjike “Cuneus Prophetarum De Christo Salvatore Mundi, Et Eius Evangelica Veritate,  apo sipas përkthimit të françeskanit At’ Justin Rrotës “Çeta e profetëve", ipeshkvi shqiptar imzot Pjetër Bogdani konsiderohet edhe si kultivues e ndriçues i ndërgjegjes shqiptare dhe pararendës i hershëm i lëvizjes së rilindjes kombëtare.

Vepra e imzot Pjetër Bogdanit “Cuneus Prophetarum De Christo Salvatore Mundi, Et Eius Evangelica Veritate”,  sipas françeskanit At’ Justin Rrotës “Çeta e profetëve" u botua më 20 shtator të vitit 1685 në qytetin e Padovës në Itali, dhe u rishtypin më 1691 dhe 1702 në Venedik. Kjo vepër teologjike e ipeshkvit shqiptar imzot Pjetër Bogdanit cilësohet si libri i parë i prozës origjinale shqipe dhe mbetet një nga monumentet e gjuhës, kulturës dhe letrave shqipe. Vepra 'Çeta e profetëve' është vepër me përmbajtje biblike e teologjike.

Imzot Pjetër Bogdani (lindi rreth 1627 në Has - vdiq më 6 dhjetor 1689 në Prishtinë). Mësimet e para i bëri në Ciprovac, Bullagri. Në vitin 1674 ishte nxënës i kolegjit ilirik të Loretos. Pas studimeve filozofik e atyre teologjike shugurohet prift. Më 1651 ushtron detyrën e meshtarit në Pult e në fshatrat e Prizrenit, në anët e vendlindjes[1]. Në vitin 1656 thirret në Romë për të vazhduar studimet e larta teologjike në Kolegjin papnor të Propagandës së fesë. Aty i mëson gjuhët e Lindjes. Më 1658 kreu studimet e larta të teologjisë e filozofisë në Romë dhe mori titullin doktor. Pas një kohe veprimtarie e apostullimi si meshtar, emërtohet ipeshkëv i Shkodrës dhe administrator i Tivarit. 1663–1664: Njihet dhe i bën shërbime Kardinal Barbarigo, i cili në atë kohë jetonte e punonte në Romë. Më 1675 e shkruan librin ‘Çeta e profetëve’ dhe ia paraqet Kongregatës së Vatikanit Propaganda Fidae për botim. Rekomandimi i Propagandës ishte të përkthejë libri edhe në latinisht e italisht. Fillon përkthimin e librit.

Në vitin 1677 emërtohet kryeipeshkëv i Shkupit në vend të të ungjit, imzot Andrea Bogdanit. Lufta turko–austriake fillon më 1683. Në dhjetor të atij viti vdes Imzot Andrea Bogdani. Pjetër Bogdani arratiset në male me ç'rast e humb librin e Gramatikës latinisht–shqip të punuar nga Adreu. Strehohet në Ciprovac dhe në Dubrovnik. Në pjesën e parë të vitit 1685 shkon në Venedik e në Padovë. E merr me vete librin e përgatitur për botim dhe libri ‘Cuneus Prophetarum’ botohet në fund të vitit në Padovë te kardinali Barbarigo.

Një tjetër element i rëndësishëm i veprimtarisë së Imzot Pjetër Bogdanit është se ai njoftoi rregullisht Selinë e Shenjtë të Vatikanit dhe botën mbi gjendjen njerëzore, pra shoqërore, ekonomike, si dhe atë shpirtërore të shqiptarëve në atë kohë, përmes Relacioneve të detajuara, dërguar Papës e organeve Kishtare të Kuries Romake nga Shkupi e vendet tjera, si për shembull: “Mbi gjendjen shpirtërore e shoqërore të mbretërisë së Shqipërisë e Serbisë 1687–1688” (“Dello stato spirituale e temporale del regno di Albania e Servia”).

Krahas misionit shpirtëror, pra atij ungjillor, imzot Pjetër Bogdani, punoi edhe në kultivimin e identetitetit e të mbrojtjes së popullit. Merret aktivisht me organizimin e rezistencës antiturke dhe u bën vizita të gjitha bashkësive kishtare në territorin e Kryedioqezës së vet e edhe më gjerë. Në vitin 1689 depërton ushtria austriake. Në nëntor  kjo ushtri arrin në Prishtinë. Imzot Pjetër Bogdani niset me ushtrinë për Prizren, ku i inkuadron edhe 6.000 shqiptarë dhe bashkë me ta arrin atje.

Në Prizren imzot Pjetër Bogdani sëmuret nga murtaja. Kthehet në Prishtinë për shërim te mjekët gjermanë, po më kot. Ndërroi jetë më 6 dhjetor 1689, në Prishtinë, ku edhe varroset. Siç njoftonte nipi i tij Gjon Bogdani, menjëherë pas thyerjes së ushtrisë austriake ato ditë, tatarët dhe turqit e nxjerrin nga varri trupin e tij.

06 dhjetor 2019, 14:50