Kërko

Vatican News
Santa famiglia Santa famiglia 

Nga Familja Shenjte – tek Familjet tona

Kremtojmë këtë të diele kushtuar Familjen Shenjte të Nazaretit, gjithnjë e pranishme në Familjet tona. Zoti deshi të lindë e të rritet në një familje njerëzore. Në këtë mënyrë e ka shuguruar e shenjtëruar si rrugë të parë e të zakonshme për takimin e tij me njerëzimin.

R.SH. -Vatikan

Papa Shën Gjon Pali II, me rastin e Vitit Shenjt kushtuar familjes (1993), pohonte se nga Shtëpia nazaretane e Jozefit e Marisë “gurroi e gurron çdo hir e çdo shëlbim”. Duke shtuar edhe se “e vërteta mbi familjen e gjen shprehjen e vet të plotë në misterin e Familjes Shenjte, në atmosferën e së cilës Dhëndri Hyjnor - Jezusi - vepron për shëlbimin e të gjitha familjeve”. 

E, nga streha varfanjake e shtëpisë së zdrukthëtarit, përhapet në shekuj nëpër gjithësi, “Ungjilli i Familjes”. Nuk është mundur ta sqarojmë plotësisht devocionin e Familjes Shenjte. Sepse është mister i jetës së Krishtit e si i tillë edhe kremtohet. Gjë që shprehet qartë në hyrjen e Liturgjisë ambroziane: “Biri yt i vetëm, duke zbritur nga qielli për të marrë natyrën tonë njerëzore, deshi të bëjë pjesë në një familje për ta lartuar bukurinë e rendit krijuar prej Teje e jetën familjare në dinjitetin e zanafillës… Në të, o Atë,  vure të fshehtat e fryteve të para të shëlbimit të botës”.

Familja Shenjte radhitet drejtpëdrejt në misteret e mishërimit të Jezusit, njëherësh me të Ngjiturit e Krishtit në qiell. Me të u ngjit edhe gjithçka ishte njerëzore e, posaçërisht, Familja, si përmasa e parë e jetës së tij mbi tokë. Kështu edhe Maria e Jozefi marrin pjesë në bashkimin hipostatik, domethënë, në atë bashkim, që formon Trininë mbi tokë, duke u bërë, kështu, “themel i fshehtë i një realiteti të dukshëm”. Nuk është e vështirë të gjesh në konaqet e krishtera shqiptare, në krye të vendit, figuren e “Dy Trinive, asaj qiellore e asaj tokësore”. Është për t’u kujtuar se nga figure të tilla, Familja Shenjte vijoi ta shikojë me mëshirë mjerimin e familjeve katolike shqiptare, të paracaktuara për t’u zhdukur si bashkësi, si gjatë pushtimit shumëshekullor turk, ashtu edhe në periudhën e diktaturës komuniste. Ua ruajti fenë, nga rreziku i harresës e identitetin kombëtar, nga rreziku i mohimit.

Konaku Shenjt, që shumëkush guxoi ta mbante varur në muret e dhomave të gjumit, i ndihmoi të mbijetonin familjet e krishtera, edhe ato të martirizuara! Zoja dhe Shën Jozefi me Krishtin për dore në mes, dukej sikur premtonin ditë më të mira…e në shumë familje janë ende aty ku ishin, figuret e Konakut Shenjt… Para të cilave të moshuarit e krishterë  në botë e edhe shqiptarë vijojnë të gjunjëzohen, për ta falënderuar këtë Trini familjare, që i ruajti, u ndihmoi ta kuptojnë misterin e madh e sot ua mbron fëmijët, të cilët, për fat të keq, nuk i kanë më në plang… Edhe Familjes Shenjte iu desh të mërgonte në Egjipt, për të shpëtuar nga sundimtari gjakatar, po shpejt u kthye. E Krishti mbeti mes nesh në shekuj me emrin Jezusi i Nazaretit!

Familja edhe ndër shqiptarë sot ka një përgjegjësi të madhe. Ajo është mbartëse e shumë vlerave, është themeli i shoqërisë sonë. Të ecim të bashkuar në Krishtin pa u shkurajuar apo mbyllur në vetvete, por të jemi mjet i dobishëm në duart e Zotit për të çuar përpara me përgjegjësi misionin e besuar secilit prej nesh. Familja është vend i privilegjuar i edukimit njerëzor e kristian dhe për këtë arsye, mbetet aleatja më e mirë e një shoqërie, një komuniteti dhe e një kombi.

Familja, mund të kryejë misionin e saj si qelizë e gjallë e shoqërisë,  e kombit, burim virtytesh, shkollë bashkëjetese, mjet mirëkuptimi e hapësirë e privilegjuar, në të cilën, me gëzim e përgjegjësi, pritet e mbrohet jeta njerëzore nga fillimi deri në fundin e saj të natyrshëm.

27 dhjetor 2019, 14:33