Kërko

Vatican News
Të krishterë palestinezë rreth Pemës së Krishtlindjes në Gaza Të krishterë palestinezë rreth Pemës së Krishtlindjes në Gaza  (AFP or licensors)

Krishtlindja në Gazë dhe ëndrra për të shkuar në Betlehem

117 besimtarët katolikë, që jetojnë në Gaza, e kremtojnë Krishtlindjen në famulli, së bashku me atë Gabriel Romanelli. Pikërisht ai tregon si jetohet në atë vend, që vazhdon të jetë “burg në qiell të hapur”, por ku ndihet edhe gjallëria e të krishterëve, afërsia e tyre me nevojtarët. Ëndrra e meshtarit? Ajo e lejeve për të gjithë besimtarët e famullisë që të shkojnë në Betlehem e të luten para grazhdit ku lindi Krishti.

R.SH. - Vatikan

Rripi i Gazës, në Territoret Palestineze, ku gjendja s’është e lehtë, ka pak drita e dekorime në rrugë e dyqane. Krishtlindja ndihet kryesisht në shtëpitë e të krishterëve dhe në veçanti, në bashkësinë e vogël katolike. Në famullinë latine të këtij territori palestinez bëjnë pjesë vetëm 117 besimtarë, të cilët, që prej dy muajsh, kanë një famullitar të ri, meshtarin argjentinas, atë Gabriel Romanelli. Rreth tij dhe rreth familjeve fetare, që drejtojnë shkolla dhe qendra formimi profesional, rrotullohet jeta e të krishterëve, të cilët mblidhen të gjithë bashkë për Krishtlindje, katolikë e ortodoksë. “Ekumenizmi është i përditshëm këtu”, thotë atë Gabrieli në mikrofonin e Vatican News, duke falënderuar Zotin për gjithçka arrijnë të bëjnë për më të varfërit e bashkësisë. “Të gjithë ne rregulltarët mundohemi t’i ndihmojmë dhe t’u qëndrojmë pranë të krishterëve, me çdo mënyrë. Ndërmjet nesh ka shumë unitet”. Këtë realitet e preku me dorë edhe Administratori apostolik i Patriarkatit Latin të Jeruzalemit, imzot Pierbattista Pizzaballa, i cili vizitoi Rripin e Gazës nga 13 deri më 15 dhjetor.

         Por, të krishterët duan të bëjnë më shumë, sidomos t’u gjejnë punë njerëzve, në përpjekjen për ta frenuar ikjen e të rinjve, që karakterizon këtë territor, ku papunësia prek 60-70% të popullsisë, varfëria arrin në 80% dhe shpesh, mungon uji, energjia elektrike, ilaçet dhe shërbimet shoqërore.

         Dëshira më e madhe për këtë Krishtlindje? Atë Gabrieli nuk ka dyshime: “ta kem kishën bosh!” Duket paradoksale, “por kjo do të thoshte - shpjegon ai - se të gjithë besimtarët kanë marrë leje nga Izraeli dhe kanë arritur në Betlehem për t’u lutur para grazhdit të lindjes së Krishtit. Të mos harrojmë - nënvizon meshtari - se të krishterët e Gazës, si ata të Ramallahut, të Beit Sahour dhe të Jeruzalemit, janë pasardhësit e të krishterëve të parë dhe kanë më tepër të drejtë se shumë prej nesh që të shkojnë në Betlehem natën e Krishtlindjes për të festuar lindjen e Jezu Krishtit, bashkë me të krishterët e tjerë dhe me myslimanët”.

20 dhjetor 2019, 13:07