Kërko

 Lindja e Jezusit Lindja e Jezusit 

Koha e Ardhjes na nxit t’i bëjmë vetes pyetjen: “A besojmë?”

Koha e Ardhjes ecën drejt Shpellës së Betlehemit. Koha e Pritjes, e ngarkuar me shpresë, na premton Krishtin Fëmijë. Me të, Amshimin! A e besojmë me gjithë shpirt këtë? Të meditojmë…

R. SH. - Vatikan

Këto ditë, që i kalojmë në pritje të Ardhjes së Zotit, shumë pranë Marisë, feja e saj nuk mund të mos na nxisë t’i bëjmë vetes pyetjen:

“Po ne, a besojmë? A besojmë se çka i ndodhi Marisë, mund të na ndodhë edhe ne? Se edhe ne mund ta presim “në shpellën e shpirtit tonë”, Foshnjën Hyjnore, që vjen të na sjellë dhuratën më të madhe, të ëndërruar nga të gjitha breznitë: amshimin?

Maria, plot besim në Zotin, lindi Foshnjën që e zuri në kraharorin e saj virgjëror, duke besuar. Besoi në Zotin, e Fjala e Tij u bë Njeri!

Po ne, a besojmë? Kundrimi i Marisë na kujton se duhet ta përtërijmë fenë tonë. Se duhet të lëshohemi këto ditë plotësisht në dorë të Zotit, si Ajo! Se duhet t’i themi, të paktën një herë në jetë, atë “fiat!”, u bëftë vullnesa jote mbi jetën time. Si Maria. Për ta ndjerë më pas veten të mbështjellë me mister, hir e liri.

A besojmë në këtë?  Është një lloj shtatzanie, edhe kjo! Krijesa nuk mund të lindë pa nënë. E Krishti nuk mund të lindë në shpirtin tonë, pa ne! Zoti do të na ndihmojë ta lindim në shpirt Birin e Tij, pa na e mohuar aspak lirinë, që ai vetë ia dhuroi çdo njeriu, që në krijim.

A besojmë në ngjarjen e madhe? Që duhet të sjellë edhe kthesën e madhe?

Besojmë në fjalët e Marisë? A kujtojmë se Maria i foli Zotit fjalë ngarkuar me dëshirë e me gëzim? A e kemi edhe ne atë dëshirë? A presim ashtu, me harenë e brohorinë: “U bëftë vullneti i Zotit”?

Duke e ditur se vullneti i Zotit për ne është pambarimisht më i bukur se planet tona, se çdo plan e se Zoti është dashuri e pafundme,  që ka për ne “plane paqeje  e jo  mundimi”?

Të themi, pra, plot me dëshirë, e gati-gati me padurim, këto ditë pritjeje, ashtu si Vasha e Nazaretit: “U bëftë mbi mua, o Zot, vullneti yt i dashurisë e i paqes!”.

A besojmë? Pa harruar se forca e shërbëtorit të Zotit është në përpjestim me forcën e fesë së tij. Mund të vuajmë nganjëherë, e ndoshta-ndoshta  mund edhe të ankohemi, nësa i drejtojmë Zotit lutjen tonë. E edhe një mori pyetjesh: “O Zot, pse largohen njerëzit nga Kisha? Pse bien përsëri e përsëri në mëkat? Pse flasim e flasim e askush nuk na e vë veshin? Pse nuk mund t’i shpëtojmë edhe ne shpirtrat  e pushtuara nga djalli? Pse? Pse?

A besojmë?

Një ditë - na kujton Ungjilli, apostujt deshën ta dëbonin djallin, që kishte gjetur strehë në trupin e një djaloshi. Po nuk mundën. Erdh, atëherë, mes tyre Jezusi dhe e dëboi sakaq. E ata e pyetën të çuditur: “Po ne, pse nuk mundëm ta dëbojmë?”.

E Jezusi u përgjigj: “Për shkak të fesë suaj të paktë!”.

T’ia bëjmë, pra përsëri vetes pyetjen: “Thua mund të arrijmë të besojmë si Maria? E ta dëbojmë djallin, së pari, nga shpirti ynë, për ta pritur Zotin që vjen me zemër të hapur e shpirt të pastruar?”.

Nëna e Krishtit, që nuk di kurrë të thotë “jo”, na gjegjet: “Po, mundeni”, e na merr përdore në udhën tonë drejt Shpellës së Betlehemit, për të brohoritur prej aty bashkë me engjëjt: ”Lumni i qoftë Zotit në qiellët e larta e paqe mbi tokë njerëzve vullnetmirë!”.

06 dhjetor 2019, 17:30