Kërko

Vatican News
 Nata e Krishtlindjes, në Kishën e Lindjes së Zotit, në Betlehem. Nata e Krishtlindjes, në Kishën e Lindjes së Zotit, në Betlehem.  (ANSA)

Imzot Pizaballa: “Ardhmëria e Jeruzalemit është në rrënjët e në historinë e tij. Traditë që duhet ruajtur”.

Jeruzalemi ka vlerë të shenjtë për të gjitha fetë monoteiste. E është edhe simbol i pashoq në botë, për miliarda besimtarë. Ardhmërinë ky qytet e ka në rrënjët e veta, në historinë e vet.

R. SH. - Vatikan

“Jeruzalemi ka vlerë të shenjtë për të gjitha fetë monoteiste. E është edhe simbol i pashoq në botë, për miliarda besimtarë. Ardhmërinë ky qytet e ka në rrënjët e veta, në historinë e vet. Qyteti Shenjt ka dy elemente themelore, që ruhen brezni pas breznie si bërthamë e identitetit të tij: Viset e Shenjta  e bashkësitë  e tyre. Duhet ruajtur kjo traditë e kjo lidhje unike për Vendet e Shenjta si dhe për bashkësinë e Qytetit Shenjt”- pohoi me forcë administratori apostolik i Patriarkatit Latin të Jeruzalemit, imzot Pizzaballa, në fjalimin e mbajtur me rastin e Krishtlindjes para Mbretit të Jordanisë, Abdullah II, në Aman. Krerët e Kishave të Jordanisë e të Jeruzalemit si dhe përfaqësues të bashkësisë së krishterë vendase, u pritën dje nga Mbreti për shkëmbimin e urimeve. Në tekstin, botuar nga Patriarkati, lexojmë:

“Bashkësitë e besimtarëve i mbushin këto vise plot me gjallëri, e Viset i mbushin bashkësitë e besimtarëve plot me jetë.  Viset e Shenjta dhe bashkësitë e tyre nuk mund të kuptohen njëra-pa-tjetrën. Si Rojtarë të këtyre viseve e kemi për detyrë t’i ruajmë e t’i mbrojmë, pa harruar edhe situatën e rëndë aktuale, papunësinë  e edhe politikën ndërkombëtare, që synon të krijojë ide të reja për ardhmërinë e tyre e të traditave të tyre historike e fetare”.

Në përfundim, duke iu drejtuar Mbretit të Jordanisë, imzot Pizaballa theksoi:

“Jordania mbetet oazë në gjithë Lindjen e Mesme, vend i mirëfilltë  takimi për të gjithë. Duhet ta ruajmë këtë karakter unik të Jordanisë e ta bëjmë të zhvillohet gjithnjë e më shumë”.

25 dhjetor 2019, 16:10