Kërko

Shën Pali, duke shkruar letrat e tij Shën Pali, duke shkruar letrat e tij 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Letra e parë drejtuar Korintasve

Fillojmë sot komentin e një Letre tjetër të Shën Palit apostull, atë drejtuar Korintasve. Si gjithnjë, bazohemi në librin “Është ora e leximit të Biblës”, me autor meshtarin italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Në vendin ku të krishterët e Korintit mblidheshin për t’u lutur, mund të ishte vënë idealisht ky shkrim: “vijojnë pa fund punimet”.

Themeluesi i bashkësisë, Pali i Tarsis, mbërriti në këtë qytet me gjysëm milion banorë – porti më i madh i Mesdheut – në vjeshtën e vitit 50. Vinte nga Athina e nga dështimi i fjalimit të tij në Aeropag, që pati përfunduar mes të qeshurave të dëgjuesve të shquar. Tepër mendjemadh kryeqyteti, pati menduar apostulli, që, i zemëruar tej mase, u drejtua për në Korint. Aty qëndroi për një vit e gjysëm. Njohu dy judeas të krishterë, Akuilën e Prishilën e, së bashku me ta, themeloi bashkësinë e krishterë të qytetit. Shën Pali u kthye edhe dy herë të tjera në Korint e shkroi katër letra për këtë bashkësi, por dy prej tyre kanë humbur.

Bashkësia e Korintit, tepër problematike

 Me korintasit, Pali luftoi, u grind, pastaj, u fye prej tyre, u desh, u përbuz, u nderua, u thirr dhe e patën frikë. Nëse Letra për Romakët i drejtohet një bashkësie të panjohur, ato për Korintasit, së bashku me atë për Galatasit, janë Letra, përmes të cilave njohim Palin, presonalitetin dhe shërbimin e tij apostolik.

Letrat lindin në kuadrin e një situate, që bëhet dramatike papritmas. Ndërsa Pali ndodhej në Efes, shkuan tek ai disa njerëz nga Korinti, që i dhanë lajme për bashkësinë e portit grek. Gjërat nuk shkonin si duhet, madje, shkonin keq e më keq. Kuadri që i paraqitën tre emisarët nga Korinti – Stefania, Fortunato dhe Akaio – ishte shqetësues: bashkësia ishte ndarë në grupe; ishte mendjemadhe dhe fodulle; grindej gjithnjë; pranoi pa probleme në gjirin e vet një person inçestuoz; mburrej me lirinë e vet shpirtërore; frekuentonte shpesh gjyqet pagane; ekzaltonte lirinë seksuale; shkandullonte të brishtët; kritikonte vetë Palin për qartësinë e mangët; kritikonte autoritetin dhe veprimtarinë e tij; ishte krejt e çrregullt dhe e përçarë në asamble, madje, ndokush shkonte edhe i dehur; njerëzit bënin garë kush e kishte karizmën më të mirë e nuk besonin në ringjalljen e trupit.

Korinti ishte fuçi baroti, që në kontakt me Palin, shpërtheu

Pra, siç shihet nga ankesat, ajo e Korintit nuk ishte bashkësi, ngjante më shumë me një kafaz të çmendurish! Nga njëra anë, sepse Korinti ishte qytet i madh kozmopolit, ku gjeje gjithçka e këdo e, nga ana tjetër, sepse deri kur arriti Pali, korintasit nderonin Afërditën, perëndeshën e Dashurisë, të Bukurisë e të Sensualitetit, madje, ishin të famshëm për devocionin e tyre ndaj saj.

 Pra, qyteti ishte një fuçi baroti, që në kontakt me Palin, nuk mund të mos shpërthente. E kështu ndodhi! Pali i bindi shumë vetë të fillojnë një jetë të re. Natyrisht, nuk iu desh të diskutonte për Ligjin e Moisiut, siç bënte me hebrenjtë, sepse me grekët, të paktën ky problem nuk ekzistonte. Pali dëshironte vetëm të kumtonte Ungjillin e Krishtit, që e çliroi njeriun nga bota e lashtë, ku mbizotëronin pasionet e trupit dhe shtypja e ligjit. E kështu, iu kushtua paganëve.

Shën Pali iu dha përgjigje si hebrenjve, ashtu edhe grekëve

Pali e ndjente se e kishte përgjigjen si për ata, që ia besonin jetën Ligjit hebraik, ashtu edhe për ata, që e kërkonin udhën e jetës përmes filozofisë greke. E përgjigjja e tij ishte hiri i Tënzot, pra, dhurata, që Hyji i bën çdo njeriu me Jezusin. Me vdekjen e ringjalljen e Tij u shëlbuam, me bujari, falas e lirisht.

Por, megjithëse shën Pali ishte i vendosur e këmbëngulës në kumtin e tij, sapo largohej, jeta e bashkësisë ndërlikohej e Ungjilli nuk dukej më aq i qartë. Si për faktin se ata, që e kishin marrë kumtin, ishin njerëz të dobët në shpirt, ashtu edhe për faktin se liria e shpallur përmes mesazhit ungjillor shkaktoi konfuzion.

Shën Pali derdh në letër llavën e zjarrtë të një vullkani

Lista e problemeve ishte e gjatë dhe shën Pali, për një çast të vetëm, pati frikë. Bashkësia mund të shpërndahej e misioni i tij të dështonte, ashtu siç ndodhi në Athinë. Por folja “dështoj” nuk bënte pjesë në fjalorin e tij, pasi, në çdo çast, ai ndjente brenda vetes Krishtin. Aq ishte i bindur për këtë, sa dukej si i çmendur e nuk fliste për tjetër. Filloi të shkruante e derdhi në letër llavën e zjarrtë të një vullkani!

Duket sikur faktet tejet të rënda, që ndodhën në Korint, e nxitën të kërkonte më me ngulm të gjitha gjërat e sigurta të Ungjillit që predikonte. E kështu, shën Pali, megjithëse aty-këtu ngre zërin e qorton, përpiqet të mos i përballojë çështjet duke bërtitur, por duke kumtuar edhe më qartë Ungjillin.

Madhështia e Letrës së Shën Palit drejtuar Korintasve qëndron pikërisht këtu: para kërcënimit të dështimit, Pali nuk ndryshon qëndrim, nuk bëhet as moralist e as gjykatës me çdo kusht. Është e qartë se i afrohet këtij qëndrimi, por e di mirë se korintasit nuk do të shpëtohen përmes Ligjit. E di se vetëm hiri i Tënzot mund ta shpëtojë njeriun e, kështu, me këtë Letër, lëvdon me zjarr hirin e Ungjillit të Jezu Krishtit.

12 dhjetor 2019, 13:04