Kërko

Vatican News
Corona di Avvento Corona di Avvento 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së 4-të të kohës së Ardhjes 'A'

Liturgjia e Fjalës së Zotit, me këtë të diele të fundit të Ardhjes, në pragun e Krishtlindjes, merr trajtën e një udhëtari që hap pas hapi i jep zemër vetvetes për t’ia mbërrijë cakut ku dëshiron të mbërrijë, do të thotë deri te Shpella e Betlehemit e jetës sonë konkrete, sepse pikërisht në jetën njerëzore konkrete e të përditshme, Ungjilli dhe Kisha na thërrasin ta gjejmë, ta pranojmë dhe të takohemi me Foshnjën Hyjnore, me Zotin e Mishëruar, me Jezu Krishtin, që vjen në historinë tonë konkrete.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotin të së dielës, kësaj herët meditojmë leximet biblike të dielës së 4-të të kohës së Ardhjes, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës IV të Kohës së Ardhjes

Liturgjia e Fjalës së Zotit, me këtë të diele të fundit të Ardhjes, në pragun e Krishtlindjes, merr trajtën e një udhëtari që hap pas hapi i jep zemër vetvetes për t’ia mbërrijë cakut ku dëshiron të mbërrijë, do të thotë deri te Shpella e Betlehemit e jetës sonë konkrete, sepse pikërisht në jetën njerëzore konkrete e të përditshme, Ungjilli dhe Kisha na thërrasin ta gjejmë, ta pranojmë dhe të takohemi me Foshnjën Hyjnore, me Zotin e Mishëruar, me Jezu Krishtin, që vjen në historinë tonë konkrete.

Shën Jozefi është shembull i njeriut, që ka besim të plotë në planin e Zotit për shëlbimin e njerëzve. Figura e atit të kujtuar të Jezusit është në qendër të Ungjillit të kësaj së Diele të 4-të të kohës së Ardhjes. Shembulli i Shën Jozefit, pajtor i Kishës universale, është ftesë për të gjithë barinjtë e Kishës, që jeta e tyre të përkojë gjithnjë më shumë me Vetjen e Jezusit. Shqetësimi i jashtëzakonshëm i një njeriu të ekuilibruar e thellësisht të drejtë dhe prekja hyjnore, që ia rikthen qetësinë e humbur, duke i shpjeguar se çka dukej si tradhti personale, ishte misteri i shëlbimit universal: këto janë dy ndjesitë kryesore që, njëra pas tjetrës, pushtuan zemrën e Shën Jozefit, para e pas zbulesës së Engjëllit të Zotit. E ishte pikërisht Engjëlli ai, që do t’i kumtonte se e fejuara e tij, Maria, do të lindte një fëmijë, i cili qe paracaktuar të shpëtonte popullin e vet nga mëkatet.

Shën Mateu na tregon si ndodhi lindja e Jezusit, duke e parë në këndvështrimin e Shën Jozefit e duke na rrëfyer sesi hoqi dorë nga mendimi për ta ndarë Marinë, kur Zoti ia hapi sytë për të shikuar në të, veprën e Hyjit. Shën Ambrozi komenton se Zoti e zgjodhi Shën Jozefin, sepse ëmbëlsia dhe drejtësia e tij e bënte tejet të denjë në cilësinë e dëshmitarit. Ndonëse i trazuar thellë në shpirt, Jozefi vepron ashtu si e kishte urdhëruar Engjëlli i Zotit, i sigurt se po bënte një gjë të drejtë. Edhe duke ia vënë emrin Jezus asaj Foshnjeje, që mban në duar mbarë universin, ai radhitet në aradhet e shërbëtorëve të përvuajtur e besnikë, të ngjashëm me engjëjt e me profetët, me martirët e me apostujt, ashtu si këndohet në himnet lindore.

Shën Jozefi kumton mrekullitë e Hyjit, duke dëshmuar virgjërinë e Marisë, dhuratë hyjnore për njerëzit, e duke u kujdesur për Mesinë në jetën e tij tokësore. Pikërisht kjo e bën të denjë për nderim, sepse në të, duket njeriu i ri, që duke e shikuar me besim e guxim të ardhmen, nuk përpiqet të realizojë planet e veta, por lëshohet plotësisht në dorë të mëshirës së pacak të Atij, që do të vërtetojë profecitë e do të hapë kohën e shëlbimit. E pikërisht nga shembulli i Shën Jozefit, pajtor universal i Kishës, duhet të mësojmë që jeta jonë të shkrihet gjithnjë më shumë me Vetjen e Jezusit, pikërisht sepse Ai, që është Fjala, mishërohet, vjen nga Zoti si njeri e tërheq pas vetes gjithë ekzistencën njerëzore, duke e çuar brenda Fjalës së Zotit.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës IV të Kohës së Ardhjes, pra, na sjell lajmin e madh, që i dha Engjëlli Tënzot Marisë. Fragmenti i Ungjillit nga Mateu, në mënyrë të veçantë, na kujton rëndësinë e virgjërisë së Zojës së Bekuar. Në sfondin e këtij çasti mahnitës në Nazaret, është profecia e Izaisë: “Ja, Virgjëra do të zërë në kraharor e do të lindë një djalë, që do ta quajë Emanuel”.
Ky premtim i lashtë u përmbush plotësisht me Mishërimin e Birit të Zotit. Virgjëra jo vetëm që u zu, por u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt, domethënë, për hir të vetë Zotit. Qenia njerëzore, që nis të jetojë në kraharorin e saj, merr mish e gjak nga Maria, por ekzistenca e tij, zë fill nga vetë Hyji. Është plotësisht njeri, i bërë prej dheu, për të përdorur simbolin biblik, por i ardhur nga lart, nga Qielli.

E, për ta njohur Jezusin, virgjëria e Marisë është themelore, dëshmon se nisma ishte e Hyjit e sidomos, tregon kush është foshnja e zënë. Por Ungjilli nënvizon edhe një aspekt tjetër, thjeshtësinë, e sidomos, urtinë e Virgjërës e cila, ndonëse shumë e turbulluar, dëshiron ta njohë më mirë vullnetin e Hyjit, pa dyshuar kurrë në gjithëpushtetin e Tij. Zemra dhe mendja e saj janë krejt të përvuajtura e, pikërisht për shkak të përvuajtërisë së pashoqe, Hyji pret pohimin e kësaj Vashe, atë ‘po’, që përfshin amësinë dhe virgjërinë njëherësh, por edhe dëshirën që gjithçka në të, të shkojë për lumni të Hyjit e që Biri i lindur prej saj të jetë plotësisht dhanti hiri. Virgjëri e pashoqe, e papërsëritshme, kjo e Marisë, por me një domethënie, e cila ka të bëjë me gjithë të krishterët. Kush beson me gjithë shpirt në dashurinë e Zotit, pranon në zemër Jezusin, jetën e tij hyjnore, për virtyt të Shpirtit Shenjt.

                                          LITURGJIA E FJALËS

Leximi i pare (Is 7, 10-14)

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Përsëri Zoti iu drejtua Akazit e i tha: “Kërkoje prej Zotit, Hyjit tënd, një shenjë të mrekullueshme për ty, qoftë në thellësinë e Nëntokës qoftë në lartësinë në qiell.”
Akazi u përgjigj: “Jo, s’do të kërkoj as s’do ta vë Zotin në provë!”
Atëherë Isaia tha: “Dëgjo, pra, shtëpia e Davidit: A thua pak ju duket t’ua mërzitni njerëzve e tani doni ta mërzitni edhe Hyjin tim? Prandaj, vetë Zoti do t’ju japë një shenjë të mrekullueshme. Ja, virgjëra do të ngjizë e do të lindë një djalë e për me emër do ta quajë Emanuel!”Fjala e Zotit

Psalmi 24 (23)
Ref: Ja, po vjen Zoti, mbreti i lavdisë.
_______________

E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka,
rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.
Ai vetë e themeloi mbi dete,
dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.
_____________________________

Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit
e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër,
ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi,
ai që nuk betohet në rrenë.
_____________________________

Ky do ta marrë bekimin prej Zotit,
shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.
E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin,
e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.
_____________________________

Lartësohuni, o dyer të amshueshme,
që të hyjë Mbreti i lavdisë”!
Kush është ky Mbreti i lavdisë?
Ai, Zoti i Ushtrive,
ai vetë është Mbreti i lavdisë”!
_____________________________

Leximi i dytë (Rom 1, 1-17)

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Pali, shërbëtori i Jezu Krishtit, i thirrur për të qenë apostull, veçanërisht i caktuar për të kumtuar Ungjillin e Hyjit - të cilin Hyji e kishte premtuar që më parë me anë të profetëve të vet në Shkrimet e Shenjta mbi Birin e vet, i cili është, për kah trupi, pasardhës i Davidit, por i dëftuar për Birin e Hyjit me të gjitha pushtetet me anë të Shpirtit Shenjt pas ngjalljes prej të vdekurve, mbi Jezu Krishtin, Zotin tonë, nëpër të cilin ne morëm hirin të jemi apostuj, që, në nder të Emrit të tij, t’i sjellim në dëgjesë të fesë të gjithë paganët, ndër të cilët jeni edhe ju të grishur prej Jezu Krishtit: të gjithëve në Romë, të dashurve të Hyjit, të grishurve, shenjtërve: Hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Jezu Krishtit Zot. Fjala e Zotit

ALELUJA, Aleluja.
Qe, Virgjëra do të mbesë shtatzënë e do të lindë një djalë,
të cilit do t’ia ngjisin emrin Emanuel
– që do të thotë: Hyji me ne!
Aleluja.

Ungjilli (Mt 1, 18-24)

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu: Maria, nëna e tij, pasi u fejua me Jozefin, para se të banonin së bashku, u gjend shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt. Tashti Jozefi, i fejuari i saj, pasi ishte njeri i drejtë e nuk donte ta çnderonte botërisht, mendoi ta linte fshehtazi. Posa në mendjen e vet vendosi të bëjë kështu, ja, iu duk në ëndërr engjëlli i Zotit dhe i tha: “Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. Ajo do të lindë djalë e ti ngjitja emrin Jezus, sepse Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tij.”
E gjithë kjo ndodhi që të shkonte në vend fjala e Zotit e thënë nëpërmjet profetit: “Ja, Virgjëra do të mbesë shtatzënë e do të lindë një djalë, të cilit do t’ia ngjesin emrin Emanuel - që do të thotë: Hyji me ne!”
Jozefi, si u zgjua nga gjumi, bëri siç i urdhëroi engjëlli i Zotit: e mori në shtëpi të fejuarën e vet. Fjala e Zotit

20 dhjetor 2019, 16:46