Kërko

Vatican News
Gjykimi i Mbramë Gjykimi i Mbramë 

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së 33-të të vitit kishtar 'C'

Ungjilli i kësaj së diele të 33-të të vitit kishtar 'C' është marrë nga kapitulli i 21-të i shën Lukës e përvijon persekutimin e ardhshëm të të krishterëve. Por, siç u thotë Jezusi, dishepujve të vet, “asnjë fije floku nuk do të humbet” prej tyre.

R.SH. - Vatikan

“Jezusi tha: 6 ‘Do të vijë dita, kur, ndër të gjitha këto që po shikoni nuk do të mbetet as gur mbi gur pa u rrënuar’. 7 E pyetën: ‘Mësues, kur do të ndodhë kjo dhe cila do të jetë shenja…?’ 8 ‘Ruajuni - iu përgjigj - mos t’ju gënjejnë! Sepse shumë do të vijnë nën emrin tim e do t’ju thonë: ‘Unë jam!’ dhe: ‘U afrua koha!’ Mos shkoni pas tyre!... 12 Mirëpo, para se të ndodhin të gjitha këto, do të vënë dorë në ju e do t’ju salvojnë; do t’ju dorëzojnë në sinagoga e në burgje, do t’ju qesin para mbretërve e para qeveritarëve për shkak të emrit tim. 13 Kjo do t’ju japë rast të jepni dëshmi… 16 Do t’ju padisin madje edhe prindërit, vëllezërit, farefisi e miqtë dhe disa prej jush do t’i vrasin. 17 Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim. 18 Porse, asnjë fije floku s’do t’ju bjerë prej kresë! 19 Me qendresën tuaj do ta shpëtoni jetën’”.

Të lutemi së bashku

O Jezus, duket sikur Ti dëshiron

të na e heqësh dheun nën këmbë.

Kemi ngritur ndërtesa të larta,

kemi ndërtuar shtëpi e pallate,

për t’u ndierë të sigurt nga rreziqet,

për të admiruar madhështinë tonë

e Ti na thua: Nuk do të mbetet gur mbi gur

do të shkatërrohet gjithçka.

Ne duam qetësinë, rehatinë

ndërsa Ti na përgatit për lloj-lloj turbullirash:

luftra e revolucione,

tërmete, zi buke, murtajë.

E, si pa gjë të keq,

na fton, madje, të mos kemi frikë!

Të kemi ndjekur, është e vërtetë.

sepse besuam në fjalën Tënde,

sepse Ti na jep mundësi të jetojmë në mënyrë të re,

por kemi frikë nga persekutimet,

terrorizohemi nga vështirësitë, shqetësohemi para akuzave.

E Ti na kërkon të mos përgatisim as

përgjigjen tonë: Shpirti Shenjt do të bëjë gjithçka!

Familja është streha jonë,

caku i shlodhjes nga ditët e stresuara,

guaska e ngrohtë, ku mund të gjejmë pak paqe…

e pra, edhe aty, na paralajmëron për tensione,

madje, edhe për urrejtje e tradhti,

e gjithnjë, për shkak të emrit Tënd!

Jo, nuk është pak ajo që na kërkon, o Jezus.

Kërkon të vijojmë rrugën në çdo rrethanë,

t’i rezistojmë çdo ligësie,

të rrimë të qetë edhe në kohra

vuajtjesh e sprovash.

Po, si mund të rezistojmë në situata të tilla?

E Ti, thjesht, na siguron: Unë do të jem përherë krah jush…

as edhe një fije floku nuk do t’ju shkojë dëm.

16 nëntor 2019, 09:15