Kërko

Vatican News
 Një qiri i ndezur për të dashurit e vdekur Një qiri i ndezur për të dashurit e vdekur 

Sot, Përkujtimi i gjithë besimtarëve të vdekur

Fati i fundit i njeriut nuk është shndërrimi në pluhur, por vegimi i amshuar i Zotit: për ta arritur, duhet kaluar nëpër errësirën e vdekjes. Ja pse i përkujtojmë të shuemit: mblidhemi këto ditë rreth tyre, në lutje, për t’i arritur shpirtërisht në qiell, në lumninë e Zotit.

R. SH. - Vatikan

Përkujtimi i të Vdekurve është solemnitet me vlerë thellësisht teologjike. Na kujton misterin, që përshkon gjithë jetën njerëzore, që nga zanafilla - tek fundi - e përtej fundit. E reja, që sjell feja jonë, është shpresa: të krishterët besojnë në një Zot, që nuk është vetëm Krijues, por edhe Gjykatës.

Vdekja është vetëm portë

Zoti, pra, është edhe Gjykatës! Ai gjykon përtej kohës dhe hapësirës, në jetën e përtejme e të amshuar. Kur Mbretëria e Zotit do të realizohet plotësisht, Gjykimi i Tij do të jetë i dyfishtë: përveçse do të përgjigjemi  për veprimet tona, në fund të kohëve do të thirremi të japim llogari edhe si njerëzim. Nëse do të vdesim në Krishtin, pasi ta kemi jetuar jetën tonë në bashkim me Të, do të pranohemi në Bashkësinë e Shenjtorëve. Me këtë sy, plot shpresë, e kremtojmë Ditën e të Shuemve. Kisha nuk i harron kurrë vëllezërit e vdekur, lutet për ta, kremton Meshë e jep lëmoshë, në mënyrë që edhe shpirtrat, të cilët pas vdekjes kanë ende nevojë për pastrim, të mund të arrijnë ta vegojnë Zotin.

Krishti e mundi vdekjen

Vdekja është e pashmangshme, e secili prej nesh e kupton nga përvoja e tij e drejtpërdrejtë. Në konceptimin e krishterë, ajo nuk konsiderohet fakt natyral, përkundrazi! Sepse është  e kundërta e vullnetit të Zotit. Hyji, Zot i jetës, na dhuron jetë me begati, ndërsa vdekja është thjesht pasojë e mëkatit tonë. Në Krishtin, Zoti e merr mbi vete mëkatin tonë e edhe pasojat e tij. E kështu vdekja bëhet kalim, bëhet portë. Falë fitores së Krishtit mbi vdekjen, ne mund ta kapërcejmë frikën që na pushton, kur mendojmë se do të kallemi në varr. E edhe dhimbjen e lotin, kur vdekja na i rrëmben të dashurit. Për besimtarin, të vdekurit nuk janë të vdekur, por njerëz, që largohen prej jetës tokësore, në pritje për t’u shndërruar nga Ringjallja.

Historia dhe origjina e përkujtimit

Pietas- Përdëllimi njerëzor për të vdekurit, nis që nga zanafilla e njerëzimit, por siç e pamë me krishterimin, perspektiva ndryshon rrënjësisht që me të krishterët e parë. E kjo mund të vërehet  menjëherë në katakombet, ku të krishterët e parë nisën të skalisin figurën e Lazrit, duke shprehur kështu, simbolikisht, dëshirën që edhe i dashuri i tyre të rikthehej në jetë përmes Jezu Krishtit. Por përkujtimi i mirëfilltë liturgjik i të shuemve, nis vetëm në shekullin IX. Trashëgohet nga zakoni monastik i cili, që në shekullin VII, i kushtonte një ditë të tërë, brenda manastireve, lutjes për shpirtrat e të vdekurve. Ideja ishte e pranishme edhe në ritin bizantin, që i kremtonte të vdekurit të shtunën para Sessagesim-ës (E diela e tetë para Pashkëve), në periudhën ndërmjet fundit të janarit e fillimit të shkurtit. Më vonë, duke nisur nga viti 809, ipeshkvi i Treverit, Amalario Fortunato di Metz, nisi ta kremtojë përkujtimin liturgjik të të vdekurve, në pritje të qiellit -  ditën pas kremtimit të Gjithë Shenjtorëve, që janë në qiell.

Më në fund, në vitin 998, sipas dëshirës së abatit të Cluny, Odilone di Mercoeur, solemniteti u fiksua më 2 nëntor, i paraprirë nga një periudhë përgatitore prej nëntë ditësh, që njihet si Nëntshja e të vdekurve e nis më 24 tetor.

02 nëntor 2019, 12:58