Kërko

Martiret Kishes shqiptare (Martiri della Chiesa albanese del periodo comunista) Martiret Kishes shqiptare (Martiri della Chiesa albanese del periodo comunista) 

Festa e Martirëve të Lum shqiptarë – Vinçenc Prennushi me 37 shokë

Më 5 nëntor Kisha katolike Universale i përkujton dhe kremton Martirët e Lum shqiptarë – Vinçenc Prennushi me 37 shokë. Kisha katolike, sot në festën e 38-të Martirëve të Lum të Kishës katolike të Shqipërisë, na kujton jetën e tyre, qëndresën e tyre, virtytet e tyre njerëzore e shpirtërore dhe mesazhin e tyre për realitetin e sotëm.

R.SH. - Vatikan

Kisha Katolike Universale e në mënyrë të veçantë Kisha katolike në Shqipëri e në trevat shqiptare, kremton sot solemnisht 38 Martirët e Lum të Kishës katolike të Shqipërisë, persekutuar në kohën e regjimit komunist. Kisha katolike na kujton jetën, qëndresën, virtytet njerëzore e shpirtërore dhe mesazhin e dëshmisë së tyre për realitetin e sotëm. Falë Provanisë Hyjnore, druri i Kryqit të Krishtit, i rrahur prej stuhisë komuniste, lulëzoi përsëri me një energji të përtërirë në Shqipëri, sipas shembullit të Krishtit, të kryqëzuar dhe të Ngjallur.

Martirët pishtarë drite, që ndiçojnë në qiellin e njerëzimit

Ndër katolikët e shumtë shqiptarë, që gjatë regjimit komunist u burgosën, u torturuan e iu nënshtruan proceseve të rreme, në përpjekjen për ta çrrënjosur Ungjillin nga kultura e një populli të tërë, sot më 5 nëntor përkujtojmë,  festën liturgjike  të 38 martirëve të parë, që janë shpallur të Lum nga Kisha Katolike Universale. Në aradhen e këtyre martirëve të Lumë janë: dy ipeshkvij, 21 meshtarë dioqezanë, 7 meshtarë françeskanë, 3 jezuitë, një seminarist dhe katër laikë (ndër ta edhe probandja Marie Tuci, e vetmja femër në grup).

Këta martirë të Kishës katolike, që nga diktatura komuniste në Shqipëri u persekutuan u gjykuar, u dënuar, ndonëse të pafajshëm, u torturuar dhe u vrarë, e ndjenin praninë e Krishtit, u shpallën të lum në Shkodër si sot, më 5 nëntor të vitit 2016, me një Meshë solemne kremtuar në Kishën Katedrale të Shën Shtjefnit, kryesuar nga prefekti i atëhershëm i Kongregatës së Vatikanit për Çështjen e Shenjtorëve, kardinali Angelo Amato.

Qe Papa Françesku ai, që nënshkroi, më 26 prill 2016, Dekretin zyrtar, që u njihte martirizimin atyre, të cilët i pati parë në fotografitë e varura mbi bulevardin e kryqytetit “Dëshmorët e Kombit”, më 21 shtator 2014, gjatë vizitës së tij papnore njëditore në Tiranë.

Persekutimi komunist

Dihet nga të gjithë se gjatë regjimit komunist në Shqipëri u vranë pesë ipeshkvij, 60 meshtarë, 30 rregulltarë françeskanë e 23 jezuitë, dhjetë seminaristë dhe tetë motra rregulltare a murgesha, pa llogaritur laikët e shumtë. Akuzat me të cilat arrestoheshin, torturoheshin dhe dilnin para gjyqit, i cili e kishte gjithnjë gati paraprakisht vendimin e dënimit, ishin kryesisht dy: spiunë të Vatikanit dhe bashkëpunëtorë të nazizmit a të fashizmit, në varësi nga kontaktet, që kishin me Evropën. E kështu, meqë shumë meshtarë katolikë shqiptarë e misionarë ishin edhe të mësuar, duke i zhdukur fizikisht, i jepnin edhe një goditje të rëndë vetë identitetit kombëtar, në formimin e mbrojtjen të cilit ata, pa dyshim, kishin kontribuar shumë.

Mesha e 4 nëntorit 1990

Për persekutimin e klerit dhe të besimtarëve katolikë është shkruar shumë, megjithëse nuk mjaftojnë faqe librash për të përmbledhur me të vërtetë çdo ngjarje e çdo përjetim të atij kalvari të tmerrshëm, por kësaj radhe nuk po ndalemi në ato netë të errëta të historisë së Shqipërisë, për të shkuar drejtpërdrejt në natën e ringjalljes, në atë 4 nëntor 1990, kur kremtimi i Meshës së parë, pas komunizmit, kremtuar nga dom Simon Jubani, në varrezat katolike të Shkodrës, shënoi kthesën drejt lirisë së fesë për të gjithë qytetarët e Shqipërisë.

Procesi i lumnimit

Që atëherë, me durim e punë, Kisha Katolike mblodhi pak nga pak, dëshmitë gojore e të shkruara, dokumente e procesverbale, që tregonin për martirizimin e bijve të vet, për t’ua paraqitur krejt besimtarëve të globit si dëshmi për Krishtin e për kombin. Kështu, më 10 nëntor 2002, në Kishën Katedrale të Shkodrës, në praninë e Prefektit të atëhershëm të Kongregatës së Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve, kardinalit Crescenzio Sepe, u hap faza dioqezane e procesit të lumnimit për 38 martirët e parë, për imzot Vinçenc Prennushin me shokë. Njëkohësisht, por veç prej të parëve, u hapën proceset e lumnimit edhe për françeskanin, atë Luigj Paliq, vdekur më 1913, dhe për meshtarin dioqezan dom Gjon Gazulli, vrarë më 1927.

Dekreti dhe mesha e lumnimit

Hetimet dioqezane përfunduan më 8 dhjetor 2010, gjithnjë në Katedralen e Shkodrës, në praninë e Prefektit të nderit të Kongregatës së Vatikanit për Klerin, kardinalit Claudio Hummes, dhe u miratuan me dekretin e 9 marsit 2012. Jo shumë larg nga kjo datë, në korrik të vitit 2015, dy vëllimet e “positio super martyrio” u paraqitën në Kongregatën vatikanase për Çështjen e Shenjtorëve. Më 17 nëntor të po atij viti, teologët këshilltarë u shprehën pozitivisht, duke pohuar se këta 38 martirë të Kishës katolike në Shqipëri kishin vdekur vërtet për shkak të urrejtjes së vrasësve ndaj fesë së krishterë. Më 26 prill 2016, duke pritur në audiencë kardinalin Angelo Amato, Papa Françesku autorizoi botimin e dekretit zyrtar, që i shpallte të Lum 38-tët martirë. Ceremonia e Lumnimit të tyre u kremtua, siç e përmendem, më 5 nëntor 2016, në Katedralen e Shkodrës, në praninë e një populli të madh, që i kishte lartuar me kohë në altar. Aty qëndrojnë, për t’u kujtuar brezave, që do të vijnë, si dëshmohet feja në Krishtin, por edhe ç’është diktatura, në mënyrë që ajo të mos përsëritet më.

Lutja e hyrjes së Meshës së Lumnimit të 38 martirëve të Kishës shqiptare

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti ke mbushur me Shpirtin e forcës sate të lumët Vinçenc, ipeshkëv, e Shokët, martirë që t’i jepnin popullit shqiptar dëshminë e besnikërisë ndaj Krishtit dhe të dashurisë së pakushte ndaj vëllezërve.

Me ndërmjetësimin e tyre të përbashkët, jepi Kishës sate të përhapur në gjithë botën të njëjtin Shpirt që të përmbushet mbretëria e dashurisë, e drejtësisë dhe e paqes që solli Krishti Zot. Ai jeton e mbretëron me ty në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen!.

05 nëntor 2019, 12:50