Kërko

Vatican News
 I Lumi  Donizetti Tavares de Lima I Lumi Donizetti Tavares de Lima 

Lumnohet atë Dionizetti Tavares de Lima, “Mrekullibërësi”

U lartua sot në nderimet e altarit, në Tambaú të Brazilit, atë Dionizetti Tavares de Lima, meshtar i dashuruar me Zojën e Aparecidës e me të afërmin, që ndihmoi shpirtërisht gjithkënd, aq sa të fitonte famë si mrekullibërës. Në kremtimin e lumnimit, Papën e përfaqësoi Prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Angelo Becciu.

R. SH. - Vatikan

U rritën me bukë - pak, e me muzikë - shumë, 16 fëmijët me të cilët Zoti deshi ta bekonte familjen Tavares de Lima. Babai, Tristão, ishte avokat; nëna, Chichina, mësuese. Të dy, plot pasion për muzikën e, më shumë akoma, për Zotin aq, sa përveç se i pagëzuan fëmijët me emra të jashtëzakonshëm si Verdi, Bellini, Mozart etj etj, i edukuan me fe e me muzikë. Fëmija i tyre i pestë doli në dritë në vitin 1882, në Cásia të Brazilit. U pagëzua me emrin Donizetti, në kujtim të kompozitorit të famshëm italian. Por atij, në vend të muzikës lirike, i pëlqeu më shumë muzika e Zotit e, në vend që ta përdorte zërin për të kënduar në teatrot e famshme të botës, e përdori për t’iu lutur Zojës së Aparecidës që t’i tregonte cili ishte misioni i tij.

Devocioni për Zojën e Aparesidës

Në një letër drejtuar nënës nga seminari, Donizetti i shkruante se Maria ishte “përgjegjsja e parë për thirrjen e tij në jetë rregulltare, ashtu si do të ishte përgjegjëse kryesore për zgjedhjen e rrugëve të tjera të jetës, sepse ‘vetëm Ajo di të ndërmjetësojë pranë Zotit’”. Donizetti, i cili në seminar i binte organos, shkriu në një, pasionin për muzikën, me atë për lutjen. Madje lutej, duke u marrë me muzikë, e merrej me muzikë, duke u lutur. I shuguruar meshtar më 1908, shërbeu në disa famulli, para se të emërohej famullitar në Shën Antonio di Tambaú, ku shërbeu deri në vdekje, më 1961,  e pikërisht në dioqezën e S. Joao de Boa Vista, ku pati ndërtuar një kapelë kushtuar Zojës së Aparesidës.

Fitoi që më të gjallë famën e mrekullibërësit aq, sa në famullinë e priftit të ri nisën të grumbullohen turma njerëzish, që kërkonin prej tij vetëm një çikje e një bekim. I çuditur, e gati-gati i trembur nga një devocion i tillë, prifti-muzikant rendi tek ipeshkvi, të cilit ia tregoi, jo pa ndrojtje, këtë besim që kishin njerëzit në të. Dhe mori përgjigjen: “I dashur atë, vijo të japësh bekimin, atë të Kishës. Nuk është magji, as shpikja jote. Përhapi hiret e Zojës sonë. Shko në paqe!”.

E ai shkoi në paqe, duke i përhapur hiret e Zojës! E jo vetëm sa kje gjallë! Vijon t’i përhapë edhe tani, pas vdekjes, kur nuk është më vetëm famullitari i përkorë muzikant Don Donizetti, por i Lumi Donizetti!

23 nëntor 2019, 14:15