Kërko

 Vangelo XXXIV Domenica 'C' Vangelo XXXIV Domenica 'C' 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 34-të gjatë vitit, festës së Krishti Mbret ‘C’

Festa e Krishtit Mbret është solemnitet, që kremton Krishtin, Zot të kohës e të historisë, fillimi e fundi i të gjitha gjërave, të cilit i nënshtrohen mbarë njerëzit e krijesat. Kjo festë përkon me të dielën e fundit të vitit liturgjik, duke treguar se Krishti Shëlbues është Zoti i historisë dhe i kohës, është Alfa dhe Omega, siç lexohet në Librin biblik të Zbulesës. Mbretëria e Tij është “shpirtërore dhe ka të bëjë me gjëra shpirtërore”, duke iu kundërvënë asaj të djallit dhe të fuqive të errësirës.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të dielës së 34-të e të fundit gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjik, të cilën, Kisha katolike ia kushton solemnitetit të Krishtit Mbret.

Solemniteti Krishtit Mbret

Kjo festë liturgjike e re (siç dihet është themeluar nga Papa Piu XI më 1925) e mbyll vitin kishtar me një vizion madhështor të harmonisë e të paqes. Një harmoni që nuk është  realizuar përmes planeve të superfuqive apo të ekuilibrave të terrorit, por përmes dashurisë. Në qendër të skenës se Ungjillit te kesaj feste, kemi Krishtin mbi kryq, që Luka ungjilltar e vendos, si aktin e mbramë të mbretërisë së Tij tokësore, e si gjestin e parë të Mbretërisë së Tij të lavdishme hyjnore, që ofron falje e shpëtim.

Leximet biblike të këtij solemniteti që kremtojmë të dielën e 34-të të këtij viti liturgjik të Kishës, theksi vihet mbi figurën e Jezu Krishtit, qendër e krijimit, qendër e popullit, qendër e njeriut, qendër e historisë. Kur humbet kjo qendër, sepse zëvendësohet me një tjetër, pasojnë vetëm dëme, dëme për mjedisin e dëme për vetë njeriun. Atij, mund t’ia rrëfejmë gëzimet e shpresat, trishtimet e ankthet me të cilat endet çdo ditë e jetës sonë.

Kur Jezusi është në qendër, edhe çastet më të errëta të jetës sonë ndriçohen, e Ai na jep gjithnjë shpresë, ashtu si ia dha hajdutit të mirë, që e pamë të varur mbi kryq, në Ungjillin e kësaj feste.
Duke iu drejtuar hajdutit të mirë, Jezusi shqipton një fjalë të vetme: fjalën e faljes, jo të dënimit. Sepse kur njeriu merr guxim të kërkojë ndjesë, Krishti nuk e bën veshin të shurdhër, nuk ia mohon kurrë faljen. Kështu Kisha katolike e mbyll vitin liturgjik.

Secili nga ne ka historinë e vet, secili nga ne ka edhe gabimet e veta, mëkatet e veta, çastet e veta të ndritura e të errëta. Na bën mirë, në këtë ditë, të meditojmë për historinë tonë, t’ia ngulim mirë sytë Jezusit Mbret e të përsërisim, nga zemra e në heshtje: ‘Kujtoju për mua, o Zot, tani që je në Mbretërinë tënde! Jezus, kujtoju për mua, sepse dua me gjithë shpirt të bëhem i mirë, dua të bëhem e mirë, por nuk kam forcë, nuk mundem: jam mëkatar, mëkatare. Por ti mos më harro: kutoju për mua, Jezus; Ti mund të kujtohesh për mua, sepse Ti je në qendër, Ti je pikërisht në Mbretërinë Tënde’. Ç’bukuri!  

                                            Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë 2 Sam 5, 1-3
Davidi ka fituar famë si luftëtar i pathyeshëm. Fiset e veriut duan një kryetar që i mbron dhe i kërkojnë Davidit nëse do të jetë mbreti i tyre. Ai pranon, por nuk ka asgjë fetare në këto ngjarje. Megjithatë Hyji nëpërmjet lojës së ngjarjeve politike, përgatit ardhjen e Mesisë.

Lexim prej Librit të dytë të Samuelit
Në ato ditë, erdhën të gjitha fiset e Izraelit te Davidi në Hebron dhe i thanë: “Ja, ne jemi ashti yt dhe mishi yt. Po edhe më parë, kur Sauli ishte mbreti ynë, ishe ti ai që i drejtoje të gjitha lëvizjet e Izraelit.
Edhe Zoti të ka thënë: ‘Ti do ta kullotësh popullin tim Izraelin dhe ti do të jesh prijës mbi Izraelin’.” Po ashtu erdhën edhe të gjithë pleqtë e Izraelit te mbreti në Hebron, dhe Davidi mbret lidhi besëlidhje me ta në Hebron në praninë e Zotit. Ata e lyen Davidin mbret përmbi Izraelin. Fjala e Zotit.
 
Psalmi 122
Ku është Zoti, aty mbretëron paqja

----- ----- -----
Sa u gëzova kur më thanë:
“Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!”
Ja, tashmë këmbët tona shkelën
në dyert e tua, o Jerusalem!
----- ----- -----
O Jerusalem, qytet i ndërtuar me mjeshtëri,
thuaj se i tëri një copë të vetme je!
Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit,
sipas rregullores në Izrael,
për të kremtuar Emrin e Zotit.
----- ----- -----
Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë,
selitë e shtëpisë së Davidit!
Lutuni për paqen e Izraelit:
“U priftë e mbara atyre që të duan ty!”
----- ----- -----
 
Leximi i dytë Kol 1, 12-20
Kolosianët imagjinonin se energjia hyjnore përhapej nga Hyji tek engjëjt, njerëzit, lënda dhe mendonin të vendosnin Krishtin në këtë shkallë hierarkike. Pali kundërshton dhe dënon këtë konceptim mbi krishterimin. Edhe sot rikthehet tundimi për të futur Krishtin në një filozofi njerëzore, të ndërtuar jashtë Ungjillit. Krishti vendoset në një nivel tjetër: Ai është i Parëlinduri i njerëzimit dhe e shpëton prej vdekjes.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve
Vëllezër, ta falënderojmë Atin, i cili ju bëri të aftë të keni pjesë në trashëgimin e shenjtërve në dritë. Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur, në të cilin kemi shpërblimin, faljen e mëkateve.
Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, i parëlinduri, para çdo krijese. Sepse në Të u krijua çdo gjë në qiell e në dhe, çka shihet e çka nuk shihet: qoftë fronet, qoftë zotërimet, qoftë principatat, qoftë pushtetet: gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të. Ai është para çdo gjëje dhe çdo gjë qëndron në Të. Ai është Kryet e Trupit, Kishës; Ai është fillimi, i parëlinduri ndër të vdekurit, që të jetë në gjithçka i pari. Sepse Hyjit i pëlqeu të banojë në Të e tërë plotësia dhe, me anë të Tij, duke vendosur paqen me anë të gjakut të kryqit të Tij, të pajtojë me vete gjithçka, qoftë në tokë qoftë në qiell. Fjala e Zotit.
 
ALELUJA, aleluja.
Qoftë bekuar Ai që vjen në Emër të Zotit!
Qoftë bekuar Mbretëria e Tij që po vjen.
Aleluja.
 
Ungjilli Lk 23, 35-43
Mundimet e Krishtit te Luka janë përshkruar me optimizëm. Ndërsa kryetarët e popullit shprehin urrejtje dhe ironi, populli qëndron i pa gojë duke e kundruar. Është shumë domethënës dialogu i Jezusit me dy hajdutët: Krishti, megjithë mundjen, madje nëpërmjet saj, triumfon mbi të keqen dhe dhuron mëshirën e tij, duke u bërë kështu Zot i qiellit dhe i tokës, burim i shpëtimit për të gjithë.
 
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, populli rrinte aty e po kundronte. Anëtarët e Këshillit të Lartë e përqeshnin duke thënë: “Tjerët i shpëtoi, le ta shpëtojë vetveten, nëse është Mesia i Hyjit, i zgjedhuri!” Edhe ushtarët e vinin në lojë. Iu afruan për t’i dhënë uthull dhe i thanë: “Nëse je ti mbreti i judenjve, shpëto vetveten!” Mbi të ishte edhe mbishkrimi: “Ky është mbreti i judenjve.”
Njëri nga kriminelët e kryqëzuar e fyente: “Po a nuk je ti Mesia?! Shpëto veten edhe ne!” Por ai tjetri e qortoi shokun: “As ti nuk e druan Hyjin që po vuan të njëjtin dënim si ai? Sa për ne kjo është drejtësi: po marrim ndëshkimin e merituar për veprat tona! Por ky – ky s’bëri asnjë të keqe!”
Dhe tha: “Të bie ndër mend për mua, o Jezus, kur të arrish në Mbretërinë tënde!” E Jezusi i tha: “Për të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë.” Fjala e Zotit.

22 nëntor 2019, 16:09