Kërko

Vatican News

Dioqeza e Sapës fton besimtarët të ecin gjurmëve të Martirëve të Lumë

Imzot Simon Kulli: Shembulli i 6 martirëve të dioqezës sonë dhe shenjtërve, të cilët i nderojmë në këtë Kishë, le të jenë për të gjithë ne, nxitje dhe mësim se si duhet, me besim të pathyeshëm në Krishtin Zot, ta jetojmë jetën tonë në tokë gjithmonë duke u angazhuar që ta fitojmë lumturinë dhe gëzimin e amshuar.

R.SH. - Vatikan

Së bashku me mbarë Kishën katolike në Shqipëri, edhe Kisha  dioqezane e Sapës, dje më 5 nëntor, kremtoi festën Martirëve të Lum të Kishës katolike të Shqipërisë, posaçërisht të 6 martirëve të kësaj Kishe dioqezane, me shtegtimin drejt Kishës së Martirëve në Blinisht të Zadrimës, janë të vendosur eshtrat e martirëve: Imzot Vinçenc Prendushi, At Daniel Dajani, Atë Giovani Fausti, Dom Luigj Prendushi, Dom Ndoc Suma dhe Fran Mirakaj. Në festën e Martirëve të Lum morën pjesë, nga të katër anët e kësaj Kishe dioqezane, turma besimtarësh të organizuar nga meshtarët dhe motrat përgjegjëse, që ecnin në këmbë drejt Kishës së Martirëve, për të marrë pjesë në kremtimin e Meshës Shenjte  solemne në ora 15.00, të cilën e kryesoi ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli.

Imzot Simoni vuri në dukje që të kujtojmë shembullin e martirëve e mesazhi tyre për besimtarët sot, ishte në qendër të homelisë së ipeshkvit të Sapës, po më hollësisht nga Vau-Dejës të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit...

Nga Vau-Dejës të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit...

Martirët, të Lumturit e Kishës në Shqipëri:

Imzot Vinçenc Prendushi, At Daniel Dajani,

At Giovani Fausti, Dom Luigj Prendushi,

Dom Ndoc Suma dhe Fran Mirakaj.

Mbarë Kisha në Shqipëri me 5 nëntor përkujtoi Martirët e Lumtur të Shqipërisë. Edhe Dioqeza e Sapës, ka patur në qendër të kremtimeve të saj ditën e Martirëve, që ndryshe nga herët e tjera, ky kremtim filloi me shtegtimin drej Kishës së Martirëve në Blinisht të Zadrimës., drejt kësaj kishe në të cilën janë të vendosur eshtrat e Imzot Vincenc Prendushi, Dom Luigj Prendushi dhe Dom Ndoc Suma. Është një hir i vërtetë për këtë dioqezë që të përulemi përpara këtyre figurave të ndritura të fesë.

Nga të katër anët e kësaj kishe turma besimtarësh të organizuar nga meshtarët dhe motrat përgjegjëse ecnin në këmbë, për t’u bashkuar në kremtimin e Meshës Shenjte të orës 15.00.

Ishte një ide e vetë ipeshkvit të Sapës, Imzot Simon Kulli, që në kujtim të figurës së tyre të shtegtohej në këmbë, me lutje dhe përshpirtëri në gjurmët e martirëve të lumtur, duke kërkuar ndërmjetësimin e tyre për hire dhe bekime në jetën e secilit.

Edhe në predikimin e rastit, Imzot Simoni vuri në dukje që të kujtojmë shembullin e martirëve. Nuk guxojmë ti harrojmë. Vdekja e vërtetë dhe vuajtja e madhe është në qoftë se ne i harrojmë, atëherë i kemi vra, atëherë i kemi pushkatuar – tha ipeshkvi.

Në vazhdim të fjalës së tij, imzot Simoni solli në memorje edhe disa fjalë të kujtimit për Atë Danjel Dajanin, i cili i rezistoi çdo vuajtjeje dhe poshtërimi, saqë e dha jetën për Krishtin. Duke kujtuar Atë Dajanin, nuk mund të mos kujtojmë edhe Atë Giovanni Faustin dhe seminaristin Mark Çunin, të cilët, sipas dëshmitarëve që jetuan ngjarjen e 4 marsit të vitit 1946, do të dëshmonin se: “po udhëtonin në kamionin e vdekjes nga burgu deri tek varrezat e Rrëmajit në qytetin e Shkodrës. Nuk u dridhej buza, nuk u ngushtohej zemra. Udhëtonin të qetë drejt amshimit. Ashtu të rreshtuar pranë njëri-tjetrit, lidhur dorë më dorë si një kurorë ku gërshetoheshin zhguna e veledona, rregulltarë e besimtarë, puthën kryqin e shëlbimit dhe shqiptuan fjalët e fundit. – Përpara skuadrës së pushkatimit Atë Fausti do të thoshte: “Jam i lumtur që po vdes në krye të detyrës sime. Rroftë Krishti Mbret.” Atë Dajani do të thoshte: “I fali ata që më kanë ba keq!” Po kështu edhe Mark Çuni. E pasi i pushkatuan, të tre u rrëzuan duke njomur edhe një herë me gjak atë tokë që me gjak ishte lagur prej shekujsh.

Shembulli i 6 martirëve të dioqezës sonë dhe shenjtërve, të cilët i nderojmë në këtë Kishë le të jenë për të gjithë ne, nxitje dhe mësim se si duhet me besim të pathyeshëm në Krishtin Zot ta jetojmë jetën tonë në tokë gjithmonë duke u angazhaur që ta fitojmë lumturinë dhe gëzimin e amshuar.

Violeta Marashi

 

Në vijim homelia e ipeshkvit të Sapës, Imzot Simon Kulli, në festën e Martirëve të Kishës në Shqipëri, 5 nëntor 2019, në Kishën e Martirëve në Blinisht të Zadrimës.

Martirët të Lumturit e Kishës në Shqipëri

Imzot Vinçenc Prendushi, At Daniel Dajani, At Giovani Fausti, Dom Luigj Prendushi, Dom Ndoc Suma dhe Fran Mirakaj.

 

Të dashur meshtarë, rregulltarë, rregulltare të dashur besimtarë,

Më lejoni të shprehi gëzimin dhe falënderimin tim ndaj Zotit, i cili na begaton çdo ditë me dhuratat e tija. Shtegtimi i Martirëve ka lindur dhe do të vazhdojë çdo vit për të vlerësuar figurat e tyre si Ipeshkvinj, meshtarë dhe laik të dioqezës sonë duke vënë në jetë mësimet dhe shembullin e tyre gjatë vuajtjeve të tyre në burgjet komuniste. Ky shtegtim do të jetë i përvitshëm në këmbë për të gjithë grupet e ndryshme duke u lutur dhe ecur me shumë përshpirtëri në gjurmët e martirëve tanë.

E ndërsa ecnim sot në shtegtimin tonë drejt kësaj kishe, era shpeshherë na u përplaste në fytyrë, e ashtu në lutje sic ishim të gjithë bashkë, por të lirë, më përshkoi një emocion i veçantë brenda meje dhe m’u kujtua momenti i martirëve tanë kur po udhëtonin drejt kishës së Rrëmajëve, të lidhur dhe po shkonin drejt vdekjes.

Dita e sotme që po kremtojmë është një dhuratë e mirësisë dhe dashurisë së tij ndaj nesh falë punës dhe sakrificave të meshtarëve, dje dhe sot. I kujtojmë Martirët tanë sot në këtë kishë e cila për pajtorë ka zgjedhur të gjithë Shenjtërit dhe të Lumët e Shqipërisë.  Madje, të lumin Imzot Vinçenc Prendushin myslimanët e quanin “MELEK”, që do të thotë “ËNGJËLL”, ndërsa të tjerë martirë u pushkatuan së bashku me At Giovani Faustin ish eprorin e Jezuitëve në Shqipëri, me Atë Danjel Dajani e meshtarët tjerë, seminaristin dhe besimtarët duke dëshmuar besimin në Krishtin, dashurinë dhe faljen ndaj armiqve.

Gjithashtu sot ju ftoj që të kujtojmë në lutje edhe meshtarët që janë të pranishëm dhe që ju kanë shërbyer e vazhdojnë t’ju shërbejnë me kujdesin e tyre shpirtëror në gjithë dioqezën tonë. Më lejoni që duke bërë një reflektim në Fjalën e Zotit që e dëgjuam t’ju drejtohem me disa porosi duke marrë si shembull dhe nxitje në fe edhe shembullin e martirëve tanë.

Në Ungjill, tregohet për një njeri që bën një festë, në të cilën i fton të gjithë. Na bën përshtypje fakti se askush nuk e pranon ftesën... Të gjithë gjejnë një mijë shfajësime për të mos pranuar. Mes këtyre, ndoshta, jemi edhe ne, që, me sa duket, nuk e konsiderojmë ftesën aq të rëndësishme sa ta vëmë atë mbi interesat tona, mbi një mijë angazhimet që i mbushin ditët tona, nganjëherë kaq të zbrazëta. Edhe ne jemi mes atyre të ftuarve të paaftë për t’u zhveshur nga vetvetja. Sa mirë që Hyji këmbëngul kaq shumë për të na dashur, sa nuk heq dorë nga festa dhe nuk lodhet duke ftuar. Na takon ne të kuptojmë dhe të bëjmë një zgjedhje: ta shkundim gjithë zhavorrin që kemi mbi vete dhe të shkëputemi nga gjithcka që na pengon ta pranojmë me përvujtëri ftesën e Jezusit, për t’u bashkuar me një projekt jo gjithmonë të lehtë, por që çon në lumturinë pa fund.

Ja besimtarë të dashur jeta e ndjekësit të Krishtit, jeta e meshtarit por edhe e çdo besimtarit. Këtu në këtë pjesë të shërbimit dhe të flijimit, të dashurisë dhe të faljes e kanë gjetur martirët mësimin e jetës dhe për këtë ata janë të mëdhenj sot.  

Më lejoni të sjelli disa fjalë të kujtimit për Atë Danjel Dajanin, i cili i rezistoi çdo vuajtjeje dhe poshtërimi, saqë e dha jetën për Krishtin. Duke kujtuar Atë Dajanin, nuk mund të mos kujtojmë edhe Atë Giovanni Faustin dhe seminaristin Mark Çunin, të cilët, sipas dëshmitarëve që jetuan ngjarjen e 4 marsit të vitit 1946, do të dëshmonin se: “po udhëtonin në kamionin e vdekjes nga burgu deri tek varrezat e Rrëmajit në qytetin e Shkodrës. Nuk u dridhej buza, nuk u ngushtohej zemra. Udhëtonin të qetë drejt amshimit. Ashtu të rreshtuar pranë njëri-tjetrit, lidhur dorë më dorë si një kurorë ku gërshetoheshin zhguna e veledona, rregulltarë e besimtarë, puthën kryqin e shëlbimit dhe shqiptuan fjalët e fundit. – Përpara skuadrës së pushkatimit Atë Fausti do të thoshte: “Jam i lumtur që po vdes në krye të detyrës sime. Rroftë Krishti Mbret.” Atë Dajani do të thoshte: “I fali ata që më kanë ba keq!” Po kështu edhe Mark Çuni. E pasi i pushkatuan, të tre u rrëzuan duke njomur edhe një herë me gjak atë tokë që me gjak ishte lagur prej shekujsh.

Besimtarë të dashur, dua të kujtoj fjalët e Papa Françeskut i cili na i la si porosi me rastin e vizitës së tij në Shqipëri, në shtator të vitit 2014.

Shqipëria ka qenë tokë martirësh: shumë ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e besimtarë laikë e paguan me jetë besnikërinë e tyre. Nuk munguan provat e guximit të madh e të qëndrimit të patrandshëm në shpalljen e fesë. Sa e sa të krishterë nuk u përkulën përballë kërcënimeve, por vijuan pa luhatje udhën e filluar! Shkoj sot, shpirtërisht, pranë atij muri të varrezës së Shkodrës, vend-simbol i martirizimit të katolikëve, ku kryheshin pushkatimet, dhe, i prekur thellë në shpirt, vë lulen e lutjes e të kujtimit mirënjohës e të përjetshëm. Zoti ishte pranë jush, të dashur vëllezër e motra, për t’ju mbajtur më këmbë; Ai ju priu e ju ngushëlloi e, së fundi, ju ngriti lart mbi krahë shqiponje, siç pati bërë me popullin e lashtë të Izraelit. Uroj që Shqiponja, të cilën e shikojmë në flamurin e vendit tuaj, t’ju kujtojë gjithnjë shpresën, për ta mbështetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por është gjithnjë përkrah nesh, posaçërisht në çaste të vështira”.

E pastaj në Engjëllin e Tënzot - vazhdon Papa Françesku: “Në veçanti, ju drejtohem ju të rinjve! Ju ftoj ta ndërtoni jetën mbi Jezu Krishtin: kush ndërton mbi Krishtin, ndërton mbi shkëmb, sepse Ai është gjithnjë besnik, edhe kur ne e shkelim besën”.

Vëllezër dhe motra të dashur, duhet shpesh të kujtojmë shembullin e martirëve. Nuk guxojmë ti harrojmë. Vdekja e vërtetë dhe vuajtja e madhe është në qoftë se ne i harrojmë, atëherë i kemi vra, pushkatuar. Shkrimtari Tommaseo thotë: “Një popull që nuk e njeh historinë e kaluar, është fëmijë ose i pamend. Një popull që e përbuz historinë e vet është i humbur”.

Shembulli i 6 martirëve të dioqezës sonë dhe shenjtërve, të cilët i nderojmë në këtë Kishë le të jenë për të gjithë ne, nxitje dhe mësim se si duhet me besim të pathyeshëm në Krishtin Zot ta jetojmë jetën tonë në tokë gjithmonë duke u angazhaur që ta fitojmë lumturinë dhe gëzimin e amshuar.

Ti lartësojmë sytë kah kjo pikturë që na e paraqet Virgjërën Mari, mbretëreshën e shenjtërve dhe martirëve dhe të kërkojmë ndërmjetësinë e tyre në nevojat tona shpirtërore.

Papa na thotë: martirët nuk janë “fugure xhepi”, janë fitimtarët e vërtetë! Gjaku i martirëve është “fara e të krishterëve të rinj”.

 Është “lëshimi i jetës në duart e Atit dhe falja për ata, që na fyejnë”, e që nxjerrin në pah “identitetin tonë si bij të Zotit”. Si Shën Shtjefni janë edhe martirët tanë 38 të shumtë, me të cilët Kisha sot është më e pasur  “sesa në zanafillën e saj”.

“Martirët nuk janë ‘fugure xhepi’, por burra dhe gra me mish e gjak, të cilët - siç thotë Libri i Zbulesës – ‘i kanë larë rrobat e tyre, duke i zbardhur në gjakun e Qengjit’ (7,14). Ata janë fitimtarët e vërtetë”.

Duke parë martirët e djeshëm e të sotëm, mësojmë “ta jetojmë plotësisht jetën, duke pranuar martirizimin e besnikërisë së përditshme ndaj Ungjillit e të përpjekjes për të imituar Krishtin”.

Amen.

+Imzot Simon Kulli

Ipeshkëv i Sapës

06 nëntor 2019, 16:39