Kërko

Vatican News
Predikimi i shën Palit në Aeropag (Raffaello) Predikimi i shën Palit në Aeropag (Raffaello) 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Letra drejtuar Romakëve

Pasi reflektuam në përgjithësi për Letrat e shën Palit, sot, do të fillojmë të flasim për Letrën drejtuar Romakëve, që konsiderohet, siç e thamë në emisionin e kaluar, teza e diplomës së Apostullit. Si gjithnjë, bazohemi në librin “Është ora e leximit të Biblës”, me autor meshtarin italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Shën Pali Apostull e shkruan Letrën e tij drejtuar Romakëve nga Korinti. Ka mbi shpinë vite plot zemërim e pasion, madje, edhe të bukura, ndërmjet dy dashurive të tij të mëdha, Korintit dhe Efesit e, të gjitha bashkësive të tjera, që ka themeluar. Është koha e bilanceve, Jeruzalemi e pret dhe Pali, për herë të parë, ndien frikë, megjithëse nuk shkurajohet e nuk e ndryshon planin e vet.

         Mendon mbledhjen e ndihmave. U bën thirrje Kishave të themeluara prej tij, duke kthyer paganët, të ndihmojnë Kishën nënë të Jeruzalemit, për të dëshmuar se i përkasin së njëjtës Kishë të Krishtit. E tani, Pali dëshiron ta dorëzojë personalisht frytin e kësaj fushate për mbledhje fondesh:

         “Tash veç, po shkoj për Jerusalem, për t’ju sjellë ndonjë shërbim shenjtërve(të krishterëve)… Pasi ta kem kryer këtë punë - t’ua kemi dorëzuar zyrtarisht këtë dhuratë - do të nisem për Spanjë e, në kalim, për te ju” (Rom 15,25.28).

         Kështu u shkruan Pali romakëve, por sipas dëshmisë në Veprat e Apostujve, tonet bëhen më dramatike, kur i duhet të përshëndesë të urtët e Efesit:

         “Tani, ja, plotësisht i nënshtruar Shpirtit, po drejtohem për Jerusalem pa ditur se çka do të më gjejë në të” (Vap 20,22).

Pali e dinte se e prisnin vështirësi

         Më në fund, Shën Pali do të mbërrijë në Romë, por i lidhur me zinxhirë, për shkak të judeasve të Jeruzalemit dhe të ndonjë të krishteri, që nuk e kishte falur akoma. Nëse i referohemi ç’shkruan shën Luka ungjilltar në Veprat e Apostujve, Pali e dinte këtë:

         “Më siguron Shpirti Shenjt se në çdo qytet më presin prangat dhe vështirësitë. Por, aspak nuk jam në kujdes për jetën time, në kujdes jam vetëm ta kryej udhën time dhe misionin që kam marrë prej Jezusit Zot: ta dëshmoj Ungjillin e hirit të Hyjit” (Vap 20,23-24).

         Letra drejtuar Romakëve është tekst, në të cilin Pali shpreh gjithë fenë dhe përdor gjithë inteligjencën për të renditur teologjinë e tij. Ai dëshiron që të krishterët e Romës t’ia kuptojnë mendimin dhe shërbimin, përtej thashethemeve, që kanë dëgjuar për të. Pali e shkruan letrën edhe për vete; për t’i sqaruar vetvetes psenë e endjeve të tij, të dëshirës së tij të papërmbajtur, të kumtit pa kompromis, të sigurisë së tij të patundur.

Apostulli është lumë vërshues

         Teksti të bën të lodhesh për masën, rëndësinë, ndërlikimin e tij. Ndihet një mendje, që përpunon ide, shpik fjalë, shqyrton mistere dhe e bën me atë vështrim maksimalist, me të cilin Pali vëren edhe hartat e udhëtimeve të veta. Hapësira e koha janë një gjë e vetme për shën Palin, ashtu si Jezusi e Adami, mëkati dhe vdekja, trupi dhe shpirti, feja dhe hiri.

         Apostulli zbret deri në thellësitë e Shkrimit Shenjt e deri errësirat më të frikshme të mëkatit të njeriut, nga Adami arrin tek Jezusi e, pastaj, duke u rënë rrotull e rrotull fjalëve, niset sërish me fraza, që e lënë shtang dëgjuesin. Është lumë vërshues, sepse teo-logjia, diskursi mbi Zotin, është një gjë e vetme me antropo-logjinë, diskursin mbi njeriun.

         Problemi i shën Palit dhe i kësaj Letre nuk është çfarë shkruhet në të, por mënyra si e përdorin ata, që e lexojnë. Ta lexosh Palin vetëm me synime doktrinore, ose vetëm për të zgjidhur ndonjë problem moral apo katekistik, është e kotë dhe e dëmshme. Dëgjimi i fjalës së Apostullit duhet të jetë emocional, eksperiencial.

Duhet ndierë zemra e shën Palit

         Më shumë se përpjekja për të kërkuar një doktrinë mbi Hirin Hyjnor, mbi mëkatin e rrjedhshëm, mbi fenë apo mbi shfajësimin (gjë që duhet bërë duke e lexuar shën Palin bashkë me të gjitha pjesët e tjera të Besëlidhjes së Re e jo vetëm duke u bazuar mbi pohime të veçanta të Letrave të tij), duhet ndierë zemra e shën Palit, përvoja e mëkatit të tij dhe zbulimi i Hirit Hyjnor, që është Krishti i ringjallur.

         Nëse i besojmë, ai u kap nga Jezusi dhe u hodh poshtë nga kali. Ndoshta, Pali është i madh për një arsye të thjeshtë: duke qenë i fundit nga apostujt, që i kuptoi veprat e Jezusit, i kuptoi më mirë së të tjerët.

         Ai, mund të themi se “u ndesh” me të Ringjallurin e kjo ia ndryshoi jetën. Gjithçka tjetër s’kishte më pikë rëndësie para një fakti të vetëm: Jezusi është gjallë, Jezusi u ngjall. Para kësaj, gjithçka bie, ashtu siç i ndodhi edhe atij vetë. Nuk mund të ketë më asgjë, që i reziston madhështisë së ngjalljes së Krishtit.

         E shën Pali u shpall luftë të gjitha sendeve që të tjerët do të dëshironin t’i vendosnin përkrah Krishtit, si ligji judaik dhe rrethprerja, që e bëjnë të kotë kryqin dhe ngjalljen e Jezusit. Krishterimi, na thotë shën Pali, është kerygma: Krishti vdiq për mëkatet tona mbi kryq dhe u ngjall! Gjithçka tjetër është mërzi!

07 nëntor 2019, 12:14