Kërko

Vatican News
Kthimi i Shën Palit (Caravaggio) Kthimi i Shën Palit (Caravaggio) 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Letra drejtuar Romakëve-teologjia e krishterë

Vijojmë reflektimin tonë mbi Letrën e Shën Palit apostull drejtuar Romakëve, në të cilën, siç e thamë në emisionin e kaluar, Apostulli i Popujve na zbulon thelbin e krishterimit: Krishti vdiq mbi kryq për mëkatet tona e, me të vërtetë u ngjall, duke e hapur për të gjithë udhën e shëlbimit. Si gjithnjë, bazohemi në librin “Është ora e leximit të Biblës”, me autor meshtarin italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Shën Pali është kaq radikal në zbulimin e vet, sa në Letrat, që shkruan, nuk flet kurrë për Jezusin, për jetën, për fjalët, për mrekullitë e Tij. Asgjë! Natyrisht, ato janë gjëra për t’u studiuar, por krishterimi, për apostullin, nuk është doktrinë, është mundësia për të marrë atë hir, që na bën të jetojmë në Krishtin, mundësi, që nga kryqi e nga ringjallja, vjen deri tek ne përmes pagëzimit. Në Letrat paoline kjo shprehje “të jetojmë në Krishtin” përsëritet rreth 150 herë. E në Letrën drejtuar galatasve, shën Pali e ngre zërin për t’u thënë të gjithëve: “Për mua, jeta është Krishti!”.

Kuadri i parë, i zymtë

         Nëse hyjmë në Letrën drejtuar Romakëve, na paraqitet e na alarmon pak një kuadër i parë i zymtë, gri, i errët si nata, i mjegullt. Ja si fillon shën Pali, pas një prologu me fuqi të rrallë teologjike:

“Hidhërimi i Hyjit, vërtet, zbulohet nga qielli kundër çdo mbrapshtie e padrejtësie të njerëzve, të cilët me padrejtësi s’e lënë të veprojë e vërteta” (Rom 1,18).

E kështu, deri në kapitullin e tretë, që mbyllet me këto fjalë lapidare:

“E vërtetuam më parë: të gjithë, hebrenj e grekë, janë nën pushtetin e mëkatit… me anë të Ligjit vetëm njihet mëkati” (Rom 3,9.20).

Për të gjithë ata që besojnë - pa farë dallimi

E këtu, duket se ka të drejtë Nietzsche kur e quan shën Palin jo ungjilltar, por “disungjilltar”. Po, është pikërisht kuadri i parë ngjyrë gri, që e ekzalton dritën e, ja ku mbërrin kjo dritë:

“Tani veç, pavarësisht nga Ligji, u dëftua vepra shëlbimtare e Hyjit, e dëshmuar prej Ligjit e prej Profetëve, vepra shëlbimtare e Hyjit me anë të fesë në Jezu Krishtin për të gjithë ata që besojnë - pa farë dallimi” (Rom 3,21-22).

Shën Pali na tregon dritën e tij: njerëzit shfajësohen nga Zoti, është Ai, që duhet njohur si Krijues dhe si Hyj i së Mirës. Jo njeriu! Askush s’mund të mburret për asgjë para Zotit e para njerëzve.

Zoti apo Ligji?

A është ky problemi, që e bezdis Palin: mburrja e hebrenjve me Ligjin?

“A ka, pra, arsye për t’u krenuar? - Kurrsesi! - Në saje të cilit Ligj? Në saje të veprave? - Jo, por vetëm në saje të fesë! Sepse ne mendojmë se njeriu shfajësohet me anë të fesë, pa veprat e Ligjit. A thua se Hyji është vetëm i hebrenjve? A nuk është gjithashtu edhe i paganëve? - Po, edhe i paganëve! Sepse është vetëm një Hyj: ai do të shfajësojë të rrethprerët për arsye të fesë e të parrethprerët me anë të fesë. A e zhvleftësojmë me anë të fesë Ligjin? Prite Zot! Përkundrazi, e përforcojmë” (Rom 3,27-31).

Atëherë, shën Pali, për ta përforcuar tezën e vet, shkon mbrapa e kthehet deri tek Abrahami, besimtari i parë, i pari që u konsiderua i drejtë, pikërisht pse besoi. Po akoma nuk mjafton e Pali kthehet edhe më mbrapa, arrin deri tek Adami e Eva. E, duke u kthyer kaq mbrapa në kohë, arrin në fillim, në zanafillën e gjithçkaje e këtu, në kapitullin 5, duke e bashkuar Adamin me Jezusin, faktikisht, shën Pali bën të lindë teologjia e krishterë: doktrina e krijimit, reflektimi mbi njeriun, diskursi mbi natyrën dhe mbi rolin shëlbimprurës të Krishtit bashkohen dalëngadalë për të formuar të parin këndvështrim unitar. E pabesueshme!

Lind teologjia e krishterë

Këtu gjejmë tekstet, që i kanë çmendur teologët, heretikët dhe magjisterin. Natyrisht, s’është e nevojshme që të çmendim dikë edhe ne, mjafton të themi se shën Pali i larton konceptet e veta në maksimum, në limit, por ka ndërmend një arsye të vetme, vë në diskutim çdo të vërtetë që të shkëlqejë e vetmja e vërtetë, që njeh: hiri i Krishtit.

“Ligji erdhi që të shumëzohet mëkati; porse, kur u shumëzua mëkati, shumë më i begatshëm u bë hiri, që, sikurse mëkati mbretëroi me vdekje, po ashtu hiri të mbretërojë me drejtësi - për jetën e pasosur, nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Rom 5,20-21).

Në kapitullin e gjashtë, shën Pali na njeh me teologjinë e Pagëzimit dhe të sakramenteve, por për këtë do t’ju flasim në emisionin e ardhshëm. Deri atëherë, lexoni Letrën e apostullit drejtuar Romakëve.

14 nëntor 2019, 14:27