Kërko

Vatican News
Krishterimi Krishterimi 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Letra drejtuar Romakëve – kapitujt e fundit

Vijojmë edhe sot komentin e Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve, duke shqyrtuar kapitullin e gjashtë e më tej, me të cilët Apotulli i Popujve vazhdon të vendosë bazat e teologjisë së krishterë. Si gjithnjë, bazohemi në librin “Është ora e leximit të Biblës”, me autor meshtarin italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Në kapitullin e gjashtë, shën Pali shtjellon teologjinë e Pagëzimit dhe të Sakramenteve. Pas këtij kapitulli, të krishterët arrijnë ta kuptojnë natyrën e shenjave liturgjike, falë këtij pohimi të thjeshtë:

         “Po a nuk e dini se të gjithë sa jemi pagëzuar në Jezu Krishtin, jemi pagëzuar në vdekjen e tij?” (Rom 6,3)

         Në kapitullin e shtatë, shën Pali hedh hapat e para të një psikologjie të krishterë, kur përshkruan luftën e shpirtit të njeriut, i ndarë ndërmjet dëshirës për të mirën dhe joshjes së të keqes. Përdor një frazë, që ka hyrë në histori:

         “Nuk e bëj të mirën që dua, por të keqen që nuk e dëshiroj” (Rom 7,19).

         Në kapitullin e tetë, shën Pali larton dhe dëshmon ç’është përshpirtëria e krishterë, kur flet për jetën sipas Shpirtit Shenjt. E bën këtë, duke treguar, sikur të ishte në lidhje të drejtpërdrejtë me ne, përvojën e tij personale:

         “Ju nuk jeni nën ndikimin e mishit, por nën atë të Shpirtit Shenjt, në qoftë se Shpirti i Hyjit banon në ju. Nëse ndokush nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Atij. E nëse Krishti është në ju, trupi është patjetër i vdekur për shkak të mëkatit e Shpirti është jetë për shkak të drejtësisë. Nëse Shpirti i Atij që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju” (Rom 8,9-11).

Askush s’mund të na ndajë nga dashuria e Hyjit

         Ndokush mund të mos jetë dakord me të, por shën Pali është njeri, që e provoi dobësinë dhe paqëndrueshmërinë e meritave njerëzore, pra, “mishin”, por edhe bukurinë mahnitëse të Hirit hyjnor, që me dashurinë e vet, nuk lejon që mëkatari të ndahet prej Tij, pra, “shpirtin”. Finalja e kapitullit është një nga majat e letërsisë paoline:

         “Jam plotësisht i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as e tashmja, as e ardhmja, as fuqitë, as forcat e lartësisë, as ato të humnerës, dhe asnjë krijesë tjetër, nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Rom 8,38-39).

         Kapitujt 9, 10 e 11 lexohen në heshtje e në vuajtje. Shën Pali përpiqet të kuptojë diçka, që edhe për të është e errët: refuzimin e popullit të zgjedhur. Janë faqe të dhimbshme, që historia do t’i bëjë edhe më të hidhura më vonë.

Këshillat e shën Palit

         Kur mbërrijmë në kapitullin 12, na duket sikur e kemi kaluar pjesën më të madhe të udhës, atë më të vështirën e, ndihet edhe se shën Pali është më i çliruar shpirtërisht, e ka përfunduar shqyrtimin, mjegulla është terur e tani, pamja është e qartë dhe e pastër, ka dritë, ka shpirt, ka shpëtim. E kjo ndihet.

         Janë katër kapituj të mrekullueshëm, në të cilët shën Pali është i lirë nga ankthi doktrinor e merr hov në një nga nxitjet e këshillat e tij më të bukura, ku pikturon veprën e Shpirtit Shenjt, fitoren mbi ligjin dhe kultin shpirtëror, që njeriu i përtërirë nga feja mund të shprehë në bashkësinë e vet. Vështirë të gjendet një këshillë më e mirë se kjo:

         “Dashuria le të jetë e çiltër. Ikjuni me urrejtje veprave të këqija e ndiqni veprat e mira! Duajeni njëri-tjetrin me dashuri vëllazërore! Prijini njëri-tjetrit duke nderuar shokun më parë e më tepër! Në kujdesim të të tjerëve të jeni të shpejtë, në shpirt të nxehtë; Zotit shërbejini! Në shpresë jini të gëzueshëm, në vështirësi të durueshëm, në uratë të qëndrueshëm! Ndihmoni të krishterët që kanë nevojë, ushtroni mikpritjen!” (Rom 12,9-13).

         E më tej, me fjalë, që duket sikur mbërrijnë drejtpërdrejt nga Mali i Lumnive:

         “Bekojini salvuesit tuaj! Bekojini e mos i nëmni! Gëzohuni me ata që gëzojnë, qani me ata që qajnë! Jini në përkim me njëri-tjetrin! Mos dëshironi ndere të larta, përkundrazi t’ju tërheqin ato të përvujtat! Mos ia mbushni mendjen vetes se jeni të urtë!” (Rom 12,14-16)

Përshëndetjet e shën Palit

         Kapitulli 16 befason, me siguri. Lista e përshëndetjeve është tejet e gjatë e shën Pali, i cili, me sa duket, kishte shumë dishepuj në Romë, dëshiron ta vërë në dukje këtë. Zbulojmë kështu, se kemi një diakoneshë, Feben, nga Kisha e Kenhreut; pastaj, gjejmë Akuilën dhe Prishilën, të cilët e patën pritur në Korint e, më pas, një sërë shtëpish, banesash familjare, ku të krishterët mblidheshin në lutje. Së fundi, mësojmë se bashkë me Palin është edhe Timoteu, që e ndihmon, por edhe Terci, skribi, të cilit apostulli i diktoi Letrën e vet.

Me shën Palin, krishterimi fillon të kuptojë Krishtin

         Përfundon kështu, jo para se të lëvdojë edhe një herë, fuqishëm, Hyjin, Letra e rëndësishme drejtuar Romakëve.  S’është e lehtë ta lexosh, për të kuptuar fenë e këtij apostulli të jashtëzakonshëm, për të ndjerë, në këtë lumë fjalësh, përpjekjen e skajshme të një njeriu për t’i shpjeguar vetes dhe të tjerëve, që e ndiqnin, arsyet e betejës së tij.

         Shën Pali është si Nietzsche, i cili pati shkruar për veten: “Unë nuk jam njeri, jam dinamit!”. E pas kësaj Letre, krishterimi gjeti mjetet e nevojshme për të filluar ta kuptojë misterin e Jezu Krishtit e për të endur atë të Kishës. E, në fund të fundit, ka të drejtë edhe Gibran (poeti i njohur i krishterë maronit), kur e përshkruan Palin si “bishë të plagosur”: kjo Letër është kënga e dhimbshme e njeriut-viktimë të këtyre plagëve. Por, do të bënim një gabim vërtet të madh, nëse nuk do të shihnim në burrin e Tarsis një bishë të shpëtuar nga pylli, që jeton për të kënduar mirënjohjen e tij për atë Hir hyjnor, që e shpëtoi!

28 nëntor 2019, 09:09