Kërko

 Vangelo di domenica Vangelo di domenica 

Shenjtorët e javës 24 nëntor - 1 dhjetor

Duke e njohur Jezusin si mbret, besojmë se me anë të Tij Hyji ka dëftuar në mënyrë të plotë se realizimi i njeriut mund të plotësohet vetëm nëse i bindemi vullnetit të Tij Hyjnor.

R.SH. - Vatikan

E Diel 24 nëntor, Kisha katolike kremton solemnitetin e Jezu Krishtit, Mbret të Gjithësisë, e gjithnjë më 24 nëntor kalendari kishtar përkujton shën Andreun Dun-Lak, meshtar e shokëve të tij martirë e Shën Krizogonin, martir.

Duke e njohur Jezusin si mbret, besojmë se me anë të Tij Hyji ka dëftuar në mënyrë të plotë se realizimi i njeriut mund të plotësohet vetëm nëse i bindemi vullnetit të Tij Hyjnor. Nuk ka asnjë veprim njerëzor që të mos i nënshtrohet gjykimit të Hyjit, nuk ka hapësirë në histori që mund të shmangë marrëdhënien me Hyjin nëpërmjet Jezusit. Kur, në Ungjill, flet për fundin e botës, Jezusi nuk nënvizon aq atë që do të ndodhë në fund të fundit. Thekson kryesisht se kush dëshiron ta ndjekë pas, duhet ta jetojë çdo ditë të jetës, si të ishte e fundmja.

Të hënën më 25 nëntor, kalendari kishtar përkujton Shën Katerinën e Aleksandrisë, virgjër e martire; Shën Moisiun, martir; Shën Pjetrin e Aleksandrisë, ipeshkëv e martir dhe të Lumët Luigji e Maria Beltrame Kuatroki, bashkëshortë.

Të martën më 26 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Sirikun papë; Leonardin nga Porto Mauricio, meshtar françeskan dhe Silvestrin, abat, themelues i Silvestrinëve.

Të mërkurën më 27 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Virgjilin, ipeshkëv i Salcburgut.

Të enjten më 28 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Jakun e Markeve, meshtar françeskan.

Po më 28 nëntor bie përvjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga perandoria osmane më 28 nëntor 1912. Shqipëria e të gjithë shqiptarët kudo në botë janë në festë për këtë ngjarje të madh kombëtare e shoqërore, me mirënjohje nga Zotit dhe të të parëve, për këtë dhuratë tejet të çmuar, që është pavarësia. Zoti e bekoftë Shqipërinë! Zoti e bekoftë popullin Shqiptar!

Të premten më 29 nëntor, kalendari përkujton shën Saturninin, martir, shën Frederikun e të Lumin Dionizi të Lindjes së Krishtit. Liturgjia e ditës na kujton thirrjen e psalmistit: Eja o Zot Jezus! T’i lirojmë zemrat nga gjithçka i rëndon!

Të shtunën më 30 nëntor, kalendari kishtar përkujton festën e shën Andreut, apostull. Sipas ungjilltarëve, Andreu është i pari i thirrur nga Jezusi, së bashku me të vëllain, Simon Pjetrin. Po kujtojmë se shën Andreu Apostull është edhe njëri ndër ungjillëzuesit e shqiptarëve, pra njëri prej atyre, që solli Ungjillin në trevat shqiptare. Shenjti na mëson se bashkimi i plotë me Krishtin arrihet vetëm duke ecur në rrugën e kryqit, që përfundon me ringjalljen.

Të dielën e ardhshme më 1 dhjetor, Kisha do të kremtojë të dielën e Parë të kohës liturgjike të Ardhjes, ciklit të parë ‘A’, sipas kalendarit kishtar. Gjithnjë më 1 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Eligjin, ipeshkëv i Lionit e  shën Naumin, profet.

24 nëntor 2019, 09:43