Kërko

Vatican News
Dita e përkujtimit të të vdekurve Dita e përkujtimit të të vdekurve 

2 nëntor, vdekja na kujton se jemi në shtegtim drejt amshimit

Dita e përkujtimit të të vdekurve, na kujton se Vdekja është një gjë tejet e rëndësishme: se të gjithë, pa dallim e pa përjashtim, jemi kalimtarë në këtë botë, të paracaktuar për lumturinë e amshuar hyjnore në atë masë, me të cilën hyjmë në misterin e Hyjit.

R.SH. - Vatikan

Dita e përkujtimit të të vdekurve, na kujton se Vdekja është një gjë tejet e rëndësishme: se të gjithë, pa dallim e pa përjashtim, jemi kalimtarë në këtë botë, të paracaktuar për lumturinë e amshuar hyjnore në atë masë, me të cilën hyjmë në misterin e Hyjit. Kisha i kujtoi me dashuri të madhe të gjithë besimtarët e njerëzit që vdiqën, duke i përkujtuar një për një emrat e tyre me dashuri, nderim, mirënjohje dhe fe e shpresë në Zotin e Gjallë.

Në këtë ditë kushtuar të vdekurve, duhet të mendojmë se në se Zoti e thërret parakohe pranë vetes një të drejtë, domethënë se ka për të planin e vet hyjnor të parapëlqyer, i cili për ne është i panjohur dhe i mistershëm: vdekja e parakohshme e njeriut që duam është ftesë, e cila na kujton se nuk duhet të jetojmë si njerëz të rëndomtë, por duhet të shpejtojmë e ta jetojmë shenjtërisht jetën tonë me dashuri e për dashuri… Bota i quan me fat ata që jetojnë gjatë, por Zoti, më shumë se jetëgjatësinë, e shikon pastërtinë, sinqeritetin e zemrës dhe dashurinë e çdonjërit. Bota i vlerëson njerëzit e mësuar, të ditur, po Zotit i pëlqejnë më shumë të vegjlit e ata që dashurojnë.

Kemi, pra, një kontrast ndërmjet asaj që duket sikur shikojnë sytë e njerëzve, e asaj që shikojnë sytë e Zotit. Por këto dy përmasa të realitetit: ajo e përkohshmërisë dhe e dukjes, e ajo ‘e thella, e vërteta dhe e amshuara’, nuk vihen në një vazhdimësi të thjeshtë kohore njëra pas tjetrës, sikur jeta e vërtetë të fillonte vetëm pas vdekjes.

Në realitet jeta e vërtetë, jeta e amshuar, fillon që në këtë botë, ndonëse në pasigurinë e ngjarjeve të historisë njerëzore; jeta e amshuar nis në atë masë, që ne ia hapim zemrën misterit të Zotit dhe e pranojmë mes nesh. Është Hyji Zot i jetës e në Të jetojmë, lëvizim e ekzistojmë. (krh Vap 17,28).

Nga ana tjetër në perspektivën e urtisë ungjillore edhe vetë vdekja na jep një mësim të mirë, sepse na detyron ta shikojmë sy në sy realitetin. Na shtyn ta pranojmë kotësinë e të gjitha gjërave njerëzore e tokësore që duken të mëdha e të fuqishme në sytë e botës. Përballë vdekjes humbet kuptimin gjithçka që e shtyn njeriun të mburret, ndërsa del në pah ajo që vlen seriozisht e përjetësisht. Gjithçka mbaron, të gjithë jemi kalimtarë në këtë botë. Vetëm Zoti e ka jetën në vetvete: Ai është vetë Jeta!.

Prandaj, përkujtimi e kremtimi i kësaj dite na kujton se njeriu mund të arrijë në jetën e pasosur, vetëm duke hyrë në logjikën e dhurimit e të dashurisë: ashtu si Zoti na u dhurua ne në Krishtin, kështu edhe ne jemi të thirrur t’ia dhurojmë vetveten të tjerëve: është logjika e dashurisë, që na bën të kalojmë nga vdekja në jetë, pavarësisht nga ligështitë tona njerëzore. Kjo fjalë jete e shprese na ngushëllon pa masë përballë misterit të vdekjes, posaçërisht kur na i merr njerëzit që i duam më shumë.

Në se na trishtoi ndarja prej njerëzve të dashur e vijon ende të na hidhërojë thellë mungesa e tyre, feja na mbush me ngushëllim, duke na kujtuar se ashtu si për Zotin Jezus, e gjithnjë për hir të Tij, vdekja nuk ka më pushtet mbi ta (cfr Rom 6,9). Duke kaluar, në këtë jetë njerëzore e tokësore, përmes zemrës së mëshirshme të Krishtit, të vdekurit kanë hyrë në ‘një vend pushimi’’ (Ur 4,7): E tani dëshirojmë me gjithë zemër t’i mendojmë në shoqërinë e shenjtorëve, të lehtësuar më në fund nga hidhërimet e mundimet e kësaj jete, e ndjejmë edhe ne dëshirën të bashkohemi një ditë me këtë shoqëri kaq të lumtur.

02 nëntor 2019, 12:15