Kërko

 Raporti i ND.K.V. kushtuar të krishterëve të persekutuar Raporti i ND.K.V. kushtuar të krishterëve të persekutuar 

Të krishterët persekutohen në më se 20 vende të botës. Denoncimi është i Ndihmë për Kishën që Vuan (NDKV).

“Ndihmë për Kishën që Vuan” - Fondacion i së drejtës papnore, gjithnjë në mbrojtje të lirisë fetare në botë - paraqiti, në Romë, raportin vjetor, përmes të cilit vë në dukje dhunën sistematike, që vijon kundër të krishterëve: në plan të parë, keqësimi i kushteve në Afrikë e në Azinë Jugore.

R. SH. - Vatikan

“Jetojmë në gjendje të përhershme tensioni, ngaqë e dimë se në ndonjë anë, në çdo çast, mund të shpërthejë një sulm i ri. Edhe pse askush nuk e di se kur e ku!”. Fjalët e kardinalit Joseph Coutts, kryeipeshkëv i Karaçit, në Pakistan, që i paraprijnë Raportit të Ndihmë për Kishën që Vuan, e bëjnë të qartë ç’do të thotë të jesh një nga 300 milionë të krishterët, që jetojnë në tokat e persekutimit. Të marrësh pjesë në një Meshë, të gjallërosh ngjarjet dhe veprimtaritë baritore të një bashkësie të krishterë, të ekspozosh simbole fetare, ose, thjesht, ta shpallësh hapur fenë tënde, bëhen akte, që mund të vënë në rrezik lirinë, madje edhe vetë jetën, në më se 20 vende të botës, ku banojnë më se 4 miliard njerëz.

Persekutim shumëformësh

“Persekutimi fetar mund të marrë forma nga më të ndryshmet- shkruan akoma Hirësia e Tij - mund të ketë formën e sulmeve brutale, kryer nga shteti i vetëshpallur Islamik(Isis), në Irak e në Siri, kundër të krishterëve e yazidëve, ose  formën e diskriminimit, kërcënimeve, rrëmbimeve e kthimeve të detyrueshme në fenë islame, mohimit të të drejtave, ose kufizmit të lirisë”. Kardinali Cuoutss ndalohet posaçërisht tek situata në Republikën Islamike të Pakistanit, ku të krishterët janë pakicë, që jeton në gjirin e një popullsie prej më se 200 milionë banorësh. “Në rrjedhë vitesh - tregon - përballuam gjithçka u tha më sipër. Por edhe në çastet më të vështira, i bëmë ballë gjithë këtij tmerri, duke pasur gjithnjë ndihmën dhe mbështetjen e Ndihmë për Kishën që Vuan.

Persekutimet ndërmjet 2017-tës e 2019-tës

Fondacioni i së drejtës papnore dëshiron të bëhet zë i të gjithë të krishterëve të shtypur, përmes Raportit të ri, titulluar “Të persektuar, më shumë se kurrë”, fokus mbi persekutimin antikristian të viteve 2017 e 2019, që u paraqit dje në Romë, në Bazilikën e Shën Bartolomeut në Ishull. Teksti shqyrton zhvillimet më domethënëse, në troje gjithnjë të shqeta, për shkak të shkeljes së të drejtave njerëzore, pësuar nga të krishterët në vitet e fundit.

Keqësohen kushtet në Burkina Faso e në  Sri Lanka

Në periudhën që merret në shqyrtim, situata jo vetëm që nuk është përmirësuar, por përkundrazi, është keqësuar e lista e vendeve, në të cilat të krishterët vuajnë, zgjatet me kombet si Kameruni, Burkina Faso e Sri Lanka. Këta të fundit, sipas Drejtorit të NDKV, Alessandro Monteduro, janë shembujt më dramatikë të skenarit të persekutimit antikristian, që gjen forma të reja e territore të reja, edhe falë strategjive të papërshtatshme, të përdorura  në këto vende.

Moteduro: nuk mjafton përgjigjja ushtarake

“Edhe pse e nevojshme, përgjigjja ushtarake nuk mjafton” - shpjegon në Vatican News Monteduro - duke kujtuar transferimin e xhihadistëve të Isis, të mundur në veri të Irakut e në pjesën më të madhe të Sirisë, në zona të tjera të botës, sidomos në Afrikë e në Azinë jugore e lindore, e duke kaluar më pas, tek vende, ku fundamentalizmi vijon të sundojë e të vrasë me dhjetra meshtarë e besimtarë. Kujton Afrikën, masakrën e Pashkëve në Sri Lanka, e jo më pak, edhe persekutimet politike me vulë islamike në Indi, këto vitet e fundit – pa harruar edhe lajmin e mirë të rikthimit të të krishterëve në Lindjen e Mesme.

25 tetor 2019, 13:55