Kërko

Vatican News
 Shkëmbimi i Shtatoreve të Zojës Shkëmbimi i Shtatoreve të Zojës  (AFP or licensors)

Rikthehet në Argjentinë, kopja e shtatores së Zojës së Luján, pas shtegtimit në Angli

Origjina e devocionit të argjentinasve për Marinë, me titullin “Zoja e Lujanit”, nis që nga shekulli XVII, në vijim të disa ngjarjeve të mrekullueshme, lidhur me shtatoren, që e paraqet të veshur me mantelin bardh e blu. Një kopje u mor nga anglezët, në përfundim të luftës së Falkland-Malvinas të vitit 1982. Sot u shkëmbye me një shtatore tjetër, realizuar për Mbretërinë e Bashkuar.

R. SH. - Vatikan

Kërkesa për shkëmbimin e dy kopjeve të Zojës së Lujanit, Pajtore e Argjentinës, fillimisht u bë në vitin 2018, nga imzot Santiago Olivera, ipeshkëv ushtarak i vendit latinoamerikan. I drejtohej  imzot Paul James Mason, homologut të tij për Britaninë e Madhe, pas emërimit të këtij të fundit, si gjest pajtimi ndërmjet dy vendeve, armiq gjatë konfliktit Falkland-Malvinas që, ndërmjet prillit dhe qershorit 1982, shkaktoi vdekjen e 900 vetëve. Shkëmbimi u bë sot paradite, në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e Papës Françesku, që i bekoi dy shtatoret.

Nga Argjentina, në Angli, duke kaluar përmes Falkland

Kopja, që imzot Mason ia ktheu imzot Oliverës, qe mbartur në Folkland nga trupat argjentinase që, pas pushtimit të ishujve, e patën vendosur në Kishën  e Shën Marisë të kryeqytetit, Port Stanley. Pastaj, pas disfatës dhe tërheqjes së argjentinasve, ushtarakët anglezë e morën dhe e çuan në Aldershot të Anglisë, ku e vendosën në Kishën e ordinariatit ushtarak britanik, kushtuar Shën Mikelit e Shën Gjergjit. E aty mbeti, si vend lutjeje për të rënët e të dyja palëve. Që sot kjo kopje e shtatores së Virgjërës Mari kthehet në Argjentinë, duke u zëvendësuar me shtatoren, që  ipeshkvi argjentinas ia dhuroi imzot Mason.

Historia e Zojës së Lujan dhe e skllavit Manuel

Shtatorja origjinale e Zojës, që thirret edhe Morenita e Patroncita, domethënë, Zeshkanja e Pajtorja, gjindet në Bazilikën e Luján, 68 km në veri-perëndim  të Buenos Ajres. Arriti në trojet argjentinase në maj të vitit 1630, mbi një anije,  ardhur nga Shën Pali i Brazilit. E shoqëronte Manueli, një skllav me origjinë nga Angola. Shtatorja e vogël prej terrakote ishte dhuratë, që kapiteni Juan Andrea i bënte mikut të tij, Antonio Farias Sáa, me banim në Sumampa. Sipas traditës, qetë që tërhiqnin qerren, ku ishte ngarkuar Zoja,  drejtuar për në këtë vend, si arritën në Luján, u ngulën aty e nuk deshën të bënin as edhe një hap përpara. U desh të shkarkohej shtatorja. E aty ku u shkarkua, aty edhe mbeti. Mbeti, kështu, në Luján, nën kujdesin  e Manuelit, që ndërtoi për të një kapelë. Shumë shpejt historia e mrekullueshme e ikonës u përhap në gjithë vendin, gjë që pati si pasojë dyndjen e shtegtarëve. “Nuk kam Zojë tjetër, veç Virgjërës” - thoshte Manueli, që sot pushon në paqe brenda bazilikës aktuale, tek këmbët e Zojës, të cilën Papa Leoni XIII e pati kurorëzuar, në maj të vitit 1887,  si “Patroncita”, duke e caktuar festën e Zojës së Lujánit, të shtunën që i paraprin së Dielës IV pas Pashkëve. E shumë shpejt, aty ku ishte kapela, u ngrit Bazilika, që vizitohet nga më se 9 milionë vetë në vit. Po aty, kur ishte ipeshkëv i Buenos Ajres, shkonte për vizitë edhe Papa Françesku, që ndalej me orë e orë, për të rrëfyer shtegtarët, sidomos, të rinjtë.

30 tetor 2019, 17:52