Kërko

Vatican News
Bazilika e Shën Françeskut të Asizit Bazilika e Shën Françeskut të Asizit  (Public Domain)

Asizi: krerët fetarë në pritje të “Economy of Francesco”

33 vjet pas takimit për paqen, dashur nga shën Gjon Pali II, fetë e ndryshme shkëmbejnë përvojën dhe luten së bashku për një ekonomi të re.

R.SH. - Vatikan

Tri ditë, në kujtim të ngjarjes së madhe, organizuar në vitin 1986 nga shën Gjon Pali II, kur thirri në Asizi të Italisë krerët fetarë të gjithë botës që të luteshin së bashku për paqen. Edhe kësaj radhe, Takimi mbahet në qytetin e Umbrias, duke filluar nga dita e sotme e deri më 27 tetor. Përveçse kujton Frymën e Asizit, tubimi përgatit edhe ngjarjen tjetër titulluar “Economy of Francesco” (Ekonomia e Françeskut), që do të mbahet në mars 2020. Ipeshkvi i dioqezës Assisi-Nocera Umbra-Gualdo Tadino, imzot Domenico Sorrentino, shpjegon se kjo është dëshira e Papës Françesku, “i cili ka ftuar në Asizi ekonomistë dhe veprimtarë të rinj në fushën e ekonomisë, nga e gjithë bota, për të nënshkruar me ta një pakt impenjimi në favor të përtëritjes së ekonomisë botërore, që ajo të karakterizohet gjithnjë e më shumë nga vlerat e humanizmit dhe të vëllazërimit”.

Fetë debatojnë për një kulturë të re ekonomike

“T’i japet ekonomisë një shpirt”: me këtë temë, përfaqësuesit e feve të ndryshme po ballafaqohen e po shkëmbejnë përvojën mbi nevojën e një kulture të re ekonomike. “I pyetëm fetë e ndryshme - shton ipeshkvi – ç’qëndrim mbajnë para ekonomisë, duke e treguar dhe dëshmuar këtë qëndrim përmes pranisë së të rinjve”. Këto ditë, pjesëmarrësit do të diskutojnë edhe për ç’po ndodh në Siri, shembull i dhunës tragjike, që shkatërron shumë pjesë të botës. “Kjo na nxit ta ngremë zërin më fort se kurrë e të kërkojmë paqen”, vijon prelati, duke shpjeguar se Fryma e Asizit nuk është parullë, por një mënyrë jetese që, duke hedhur poshtë luftën, vë në qendër respektin për njeriun dhe për ambientin, vëllazërimin ndërmjet të gjitha qenieve njerëzore dhe bën thirrje për një ekonomi të drejtë e solidare.

Thirrja e feve e gjen forcën tek lutja

“Thirrja e krerëve fetarë sot - shton imzot Sorrentino – ka ende forcë, sepse ne besojmë në forcën e lutjes, i drejtohemi Zotit, i vetmi i aftë të prekë në thellësitë e zemrave”. Sot paradite u diskutua mbi temën “Ç’lloj ekonomie, duke u nisur nga fetë”. Të dielën, 27 tetor, është parashikuar një lutje ndërfetare. Janë tri ditë, përfundon imzot Sorrentino, gjatë të cilave “meditimi, i ndihmuar nga muzika, do të na ndihmojë të reflektojmë dhe ndoshta edhe të bëjmë kthesë”.

25 tetor 2019, 12:36