Kërko

Vatican News
Bazilika e Shna'Ndout në Padovë Bazilika e Shna'Ndout në Padovë 

Udhëtimi i fra Odorikut nga Pordenone paraqitet në Muzeun antonian në Padovë

Pasurohet me dëshmi të reja, ekspozita “Topuzi dhe gjysëmhëna. Turqit, tartarët dhe maurët tek Shenjti”, për të cilën është kujdesur Arka e Nderuar e Shna’Ndout në Padovë. Ajo u kushtohet shenjave dhe veprave, që disa kultura, larg në kohë e në hapësirë nga ajo italiane, kanë lënë në bazilikën e shenjtit dhe në kompleksin antonian të qytetit.

R.SH. - Vatikan

Nga 22 deri në 29 shtator, me rastin e edicionit të dytë të “Solidaria”, manifestim i promovuar nga Qendra e Shërbimit Vullnetar dhe Komuna e Padovës, do të ekspozohet në Muzeun Antonian të Bazilikës së Shna’Ndout, kopja e dorëshkrimit të fra Odorikut nga Pordenone, “Relatio de mirabilibus orientalium tatarorum”.  Kopia është realizuar në vitet 1400 nga një frat skrivan i kuvendit të Shenjtit dhe aktualisht, ruhet në Arkivin e Shtetit Italian. Relacioni i Odorikut nga Pordenone është tregimi i njërit prej udhëtimeve të tij në Lindje, nisur nga Venediku, pas vitit 1318. Figurës së Odorikut nga Pordenone i kushtohet edhe ekspozita “Odoriku nga Pordenone. Sendet e reja dhe të mrekullueshme të huaja”, që ndodhet në dhomat e reja ngjitur me hapësirën muzeale. Aty mund të shihen origjinalet e novelës grafike të pikturuar nga Luca Salvagno, një nga mjeshtrat italianë të librave vizatimorë, i cili përshkon udhëtimin e Odorikut në Lindje.

Kush ishte Odoriku nga Pordenone

Odoriku nga Pordenone lindi pikërisht në këtë qytet verior italian, ndërmjet viteve 1280-1285, ndërsa vdiq në Udine, më 14 janar 1331. Hyri adoleshent në kuvendin e Shën Françeskut dhe u shugurua meshtar në Udine, në Urdhërin e Fretërve të Vegjël (1290). U dallua për zellin, respektimin e rregullave dhe hovin misionar, që e bëri ta linte atdheun për të shkuar fillimisht në Azinë e Vogël, pastaj në Mongoli e, më tej, në Kinë e në Indi, për t’u kthyer edhe një herë në atdhe e për t’i bërë Papës një relacion të hollësishëm mbi gjendjen e misioneve në Lindje. Vepra e tij e apostullimit bëri që ta thërrisnin “Apostulli i kinezëve”.

20 shtator 2019, 11:43