Kërko

Vatican News
2019.03.13 guida mese missionario 2019.03.13 guida mese missionario 

Papa do të përurojë Muajin Misionar të Jashtëzakonshëm në Vatikan

Festa e Shën Terezës së Jezusit Fëmijë, e cila që nga viti 1927 është shpallur pajtore qiellore e misioneve, së bashku me Shën Françesk Ksaverin, tradicionalisht shënon fillimin e muajit misionar gjatë tetorit, që sivjet do të ketë një karakteristikë të jashtëzakonshme.

R.SH. - Vatikan

Të martën më 1 tetor, në orën 18.00, Papa Françesku do të kryesojë në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, kremtimin solemn të lutjes së Mbrëmësores me rastin e hapjes së Tetorit  si Muaj të Jashtëzakonshëm Misionar.

Kremtimet do të paraprihen, duke i nisur nga ora 17.15, me dëshmi dhe lutje të përgatitura nga tetë Institucione Misionare Rregulltare italiane: Kombonianët dhe Motrat Komboniane, Saverianët dhe Motrat Saveriane, Misionarët dhe Misionaret e Ngushëllimit, Pime dhe Misionarët e Zojës së Papërlyer. Në fund lutjeve e të dëshmive, Papa Françesku do t'u dorëzojë kryqin misionarëve që nisen për në misione nëpër vende të ndryshme të botës.

Të dielën më 20 tetor, në  ora 10.30 paradite, Ati i Shenjtë Françesku do të kryesojë Meshën e Shenjtë, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, për Ditën Misionare Botërore, në të cilën do të jenë të pranishëm edhe pjesëmarrësit e Sinodin të veçantë kushtuar Amazonës, që do të zhvillohet, gjithnjë, në tetor në Vatikan.

Një tjetër ngjarje e rëndësishme do të jetë të hënën, më 7 tetor, në festën liturgjike të së Lumes Mari Virgjër të Rruzares – të Zojës Rruzare: në ora 15.00, kardinali Fernando Filoni, prefekt i Kongregatës së Vatikanit  për Ungjillëzimin e Popujve, do të drejtojë lutjen e Rruzares shenjte në Bazilikën papnore të Shën Marisë së Madhe, në Romë. Lutja do të transmetohet në të gjithë botën përmes Radio Marisë.

E edhe qëllimi a ndjeti i lutjes për muajin tetor, do t'i kushtohet gjithashtu Muajit të Jashtëzakonshëm Misionar që është tetori: video-mesazhi që është realizuar nga rrjeti botëror i lutjeve të Papës, do të jetë në dispozicion në internet - web. www.october2019.va.

Muaji i Jashtëzakonshëm Misionar përfshin dhe angazhon Kishën universale në një rrugëtim të ripërtërirë lutjeje, dëshmie dhe reflektimi mbi centralitetin e missio ad Gentes - misionit pranë Popujve në jetën e çdo të pagëzuari. Çdo Kishë lokale a vendore është e thirrur, prandaj, që të jetojë në kontekstin dhe situatën e saj konkrete, momente të përbashkëta lutjeje dhe përkushtimi misionar. Prandaj, Kishave vendore të botës nuk u kërkohet "të vijnë në shtegtim në Romë",  por të shtegtojnë drejt shtëpive në çdo cep të tokës a të territorit që kanë, për t’u sjellë të gjithëve, pa dallim, "gëzimin e Ungjillit".

Muaji i Jashtëzakonshëm Misionar i Tetorit 2019 nuk parashikon ndonjë kremtim të veçantë për mbylljen e kësaj nisme, pasi, gjatë kësaj kohe, pritet një ripërtëritje e zjarrtë e shpirtit misionar, në një kohë që kërkon, vërtet, angazhime konkrete për të ardhshmen e çdo Kishe lokale dhe të çdo të besimtari.

Përveç kësaj, nga tetori 2019, do të projektohemi drejt vitit 2022, gjatë të cilit bien tre përvjetorë të rëndësishëm për botën misionare: 400 vjetori i themelimit të "Congregatio de Propaganda Fide’ nga Papa Gregori XV, më 22 qershor 1622; këtu, kujtojmë kontributin e madh që Propagand Fide u dha Kishave në mbarë botën e edhe Kishës katolike në trevat shqiptare në shumë aspekte; do të përkujtohet, pastaj, 200 vjetori i lindjes së Veprës së Propagandës së Fesë me nismën e Pauline Jaricot; 100 vjetori i njohjes së kësaj Vepre nga Papa Piu XI me motu proprio "Romanorum Pontificum.

27 shtator 2019, 11:09