Kërko

Ipeshkvi i Ungrës, imzot Donato Oliverio Ipeshkvi i Ungrës, imzot Donato Oliverio  

Më 18 shtator, arbëreshët e Ungrës presin Patriarkun Bartolomeu I

Kalabria do të përjetojë një hir të veçantë. Të mërkurën, më 18 shtator, Eparkia arbëreshe e Ungrës (Lungro, në italisht), që këtë vit kremton 100-vjetorin e themelimit, do të vizitohet nga Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I, pasardhës i Shën Andreut apostull. Do të mbërrijë në Kalabri pasi të jetë takuar me Papën Françesku, me të cilin punon vazhdimisht për të bërë hapa të reja përpara drejt bashkimit të gjithë të krishterëve.

R.SH. - Vatikan

Ditën e mërkurë, Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës do të pritet nga ipeshkvi arbëresh i Ungrës, imzot Donato Oliverio. Në orën 17.00, Bartolomeu I do të kryesojë Lutjen solemne të Mbrëmësores, në katedralen e shën Nikollës së Mirës. Imzot Oliverio do t’i urojë zyrtarisht mirëseardhjen mikut të nderuar, i cili, në fund, do të bekojë të gjithë të pranishmit.

Së bashku me Patriarkun do të vijnë edhe disa kryepeshkopë të tjerë ortodoksë, si Ghennadios, Mitropoliti i Italisë dhe i Maltës; Vartholomaios, Mitropoliti i Smirnës; Ioannis, Mitropoliti i Zambies i Patrikanës së Aleksandrisë së Egjiptit. Përkrah ipeshkvit të Ungrës, në përfaqësi të Selisë së Shenjtë, për shkak të rëndësisë së lartë ekumenike të ngjarjes, do të jetë i pranishëm kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, dhe kardinali Gualtiero Bassetti, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, së bashku me zv.sekretarin e Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, imzot Andrea Palmieri, si edhe të gjithë kryeipeshkvijtë dhe ipeshkvijtë e Konferencës Ipeshkvnore të Kalabrisë e personalitete të tjera fetare e politike.

Programi i të enjtes, 19 shtator

Veprimtaritë ekumenike do të vijojnë edhe më 19 shtator, në qytetin e Rosanos. Në orën 10.00, në katedrale, Patriarku Bartolomeu do të kryesojë kremtimin e Lutjes për Ndërmjetësimin e Nënës së Zotit. Në orën 18.00, Bartolomeu I do të përurojë një ekspozitë ikonash, në kishën e Shën Adrianit, në Shën Mitër Korona. Kjo ekspozitë u bë e mundur falë interesimit të Asamblesë Ndërparlamentare Ortodokse, organizëm i themeluar 25 vjet më parë nga politikanë ortodoksë të 25 parlamenteve të vendeve të ndryshme, që çon përpara propozime politike, të cilat bazohen në fenë e krishterë.

100-vjetori i Eparkisë së Ungrës

 Siç e thamë, këtë vit, Eparkia e Ungrës kremton shekullin e parë pas themelimit. Ajo u ngrit nga Papa Benedikti XV më 13 shkurt 1919, me Kushtetutën Apostolike “Catholici Fideles”, për pasardhësit e atyre “... besimtarëve katolikë të ritit grek, që banonin në Epir e në Shqipëri, ikur, me valë të ndryshme, nga sundimi i turqve, ... pritur me bujari... në tokat e Kalabrisë dhe të Siçilisë, duke ruajtur, siç ishte e drejtë, zakonet dhe traditat e popullit grek, veçanërisht ritet e Kishës së tyre, së bashku me të gjitha ligjet e zakonet që kishin trashëguar nga etërit e tyre dhe që i kishin ruajtur me shumë kujdes dhe dashuri në rrjedhën e gjatë të shekujve...”.

17 shtator 2019, 09:15