Kërko

Vatican News
  Papa në lutje para shtatores së Nënë Terezës, në Shkup Papa në lutje para shtatores së Nënë Terezës, në Shkup  (Vatican Media)

Lutje drejtuar Nënë Terezës, në ditën e Festës së saj liturgjike

Lutje drejtuar Nënë Terezës, në ditën e Festës së saj liturgjike

R. SH. - Vatikan

Terezë, ti Nëna e të varfërve!

Nëse shoqëria e mirëqenies të shtyn

ta duash e ta shumosh veç pasurinë

edhe kënaqësitë që vijnë prej saj,

Ti e shtove dhe e shumove dashurinë për të varfërit në botë.

E i kujtove njerëzimit se gëzimi nuk blihet me para.

Nuk blihet, fitohet, kur merr - e - jep dashuri!

Terezë, ti Nëna e të mjerëve!

Çapi yt i lehtë përshkoi skutat e skajet e dheut,

ku dergjeshin, e dergjen, të pafatët.

Çap i heshtur, i pandjeshëm

i këmbëve me sandalet grisur nga udha e gjatë;

po prap se prap ata e ndjenë e u besdisën,

ata që kanë, por s’ngopen kurrë me para e vetëdashje

e të varfërit i shikojnë nga majat e vetvetes,

poshtë, në skëterrën mjerimit!

Uji i Darkës së Mbrame kaloi nëpër duart tua

që lanë këmbë të grira nga gërbula

pa ditur ç’është lodhja,

për t’u treguar të gjithëve

rrugën e madhështisë së vërtetë.

Kështu mbete në zemër të Zotit e të njerëzve

që ecën, që ecin me çapin tënd!

Nënë Tereza e Krishtit!

Ti e dëgjove britmën e Jezusit,

në britmën e të uriturit  në të katër anët e botës,

E Korpin e Krishtit mjekove

në korpin e të gërbulurit.

Lutu për ne, Shën Terezë,

që të meritojmë hirin e madh të përvujtërisë e të dlirësisë

Si Maria,

për ta pranuar në zemrat tona,

Dashurinë që të bën vërtet të lum!

Amen!

 

05 shtator 2019, 13:12