Kërko

Vatican News
 Victor Pogrebnii oficer i ushtrisë sovjetike Victor Pogrebnii oficer i ushtrisë sovjetike  Historia

Ushtari sovjetik - meshtar: historia e një feje, nën hijen e regjimit antifetar

“Kur isha fëmijë, ëndërroja të bëhesha prift”. E nis me këto fjalë bisedën Victor Pogrebnii, 63 vjeçar, që prej 7 vjetësh prift, pas shërbimit ushtarak në Bashkimin Sovjetik. I martuar e baba, u shugurua meshtar në Kiev, (Ukrainë), në janar 2012.

R. SH. - Vatikan

Historia e atë Viktorit nis në fshatin Slobozia-Rascov, në zemër të territorit  aktual separatist të Transnistrisë, gjithnjë mollë sherri me Republikën e Moldavisë, e cila, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, synonte e vijon edhe sot e kësaj dite të synojë ta përfshijë nën jurisdiksionin e vet.  Në këtë fshat lindën shumë meshtarë katolikë e edhe një ipeshkëv, falë bashkësisë  katolike plot gjallëri, në të cilën bënte pjesë edhe i riu Victor Pogrebnii. Bashkësi, që nuk u tremb kurrë, kur ishte fjala për ta dëshmuar haptazi fenë e vet, deri në atë gradë, sa të ndërtonte dhe një kishë të re, pa kurrfarë autorizimi. E pra ishin vitet ’70, kulm i regjimit komunist. Koha e rrënimit të kishave, jo e ndërtimit. Koha kur shumëkush mendonte se feja nuk do të rikthehej kurrë më. Po njeriu nuk mund t’i shqyrtojë rrugët e Zotit!

Në shërbim ushtarak, pa e humbur fare fenë

Dëshira e Victorit për t’u bërë prift u duk sikur mori fund, kur u thirr të shërbejë në marinën sovjetike, për të vijuar më pas, karrierën ushtarake. Jeta e tij ndryshoi shumë. Njohu edhe një vajzë të mirë që, më 1970 u bë gruaja e tij. Shkoi përkrahu me të në altar, me premtimin për t’u bërë bashkëshort i mirë! Duke besuar se ëndrra e mshtarisë, do të mbetej përgjithnjë vetëm ëndërr!

Victor, në vitet e para të marin5s sovjetike
Victor, në vitet e para të marin5s sovjetike

Katolik klandestin

Atë Viktori tregon se nuk e pati të lehtë ta ruajë fenë nën regjimin ateist gjithnjë dyshimtar, gjithnjë gati për t’i masakruar besimtarët. Iu desh ta fshihte fenë në katakombet e shpirtit, duke kërkuar me shumë kujdes ndërmjet shokëve, ndonjë besimtar tjetër, me të cilin të lutej e ta jetonte fenë. Ndërkaq u bë baba i dy fëmijëve që, më pas, i dhuruan tre nipa. E ndërsa ishte gjysh, pati kënaqësinë të shikonte njerin nga vëllezërit duke ia kushtuar jetën Zotit në altar. E nisi ta ndjejë përsëri në shpirt thirrjen e dikurshme…

Victor, me gruan dhe fëmijën e parë
Victor, me gruan dhe fëmijën e parë

Më në fund  i lirë

Me rënien e regjimit komunist, Victori filloi ta jetojë hapazi fenë e t’i edukojë edhe fëmijët e nipat si të krishterë të mirë, pa frikë e pa droje! Vitet kalonin e ai dalë-nga-dalë i afrohej kohës së pensionit. Ishte viti 2008. Atë vit humbi gruan. E po atë vit u pranua në Seminar. Katër vjet më pas  e pa veten para altarit, duke marrë shugurimin meshtarak. Ishte 6 janari i vitit 2012, kur Victor ia kushtoi ç’i kish mbetur për të jetuar Zotit, i rrethuar nga familjarët, fëmijët e nipat e edhe i vëllai, meshtar prej 7 vjetësh.

Victor, meshtar
Victor, meshtar

Kush mendonte se do ta shikonte të veshur me petkat e meshtarit, pasi e kishte parë me uniformën e ushtarakut sovjetik?! Po rrugët e Zotit janë të pashqyrtueshme!

02 gusht 2019, 12:16