Kërko

Vatican News
La Porziuncola La Porziuncola 

Në Asizi, solemniteti i Ndjesës: e sotmja ka nevojë të ngutshme për mëshirë!

Ditë e ngarkuar me kremtime, e sotmja, në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve, në Asizi, ku në orën 11.00 u kremtua Mesha, me procesionin e hapjes së Ndjesës, apo të Faljes së plotë të mëkateve. Atë Ceccobao, rojtar i Porciunkolës, shpjegon, në Vatican News, domethënien e Ndjesës së plotë, due kujtuar se zemra e njeriut vijon të ketë etje të pashuar për mëshirë.

Ndjesë, që e pajton njeriun me Zotin. Që sjell paqen në thellësitë e shpirtit të tij. Në Porciunkola - shpjegojnë fretërit françeskanë - jetohet çdo ditë kjo përvojë e thellë, që ta shndërron jetën. E sot, në Shenjtëroren ku Frati i vogël i Asizit i kërkoi Zotit Parajsën për të gjithë, ashtu si në të gjitha kishat françeskane, mund të kërkohet ndjesa e plotë, falja e plotë e mëkateve, pajtimi me Zotin, paqja e shpirtit!

Ndjesa, mrekullia e përditshme në Porciunkola

Nesër këtu do të arrijë edhe Marshimi i 39-të Françeskan, sivjet me temë: “Në vendin tënd”.

Atë Simone Ceccobao, rojtar i Porciunkolës, na shpjegon kuptimin e Ndjesës së Asizit:

“Françesku  atë natë, të cilën tashmë të gjithë e quajnë 'nata e ndritshme' - nata qiellore - i drejtoi Zotit Jezus, që i qe dukur në vegim, pikërisht në Porciunkola, vetëm pak fjalë, po tepër të guximshme: ‘Po të kërkoj, o Zot Jezus, që çdo njeri, i cili do të vijë këtu, në Porciunkola, i penduar për mëkatet e veta, të mund të provojë mrekullinë e mëshirës e të ndjesës’. Janë pikërisht këto fjalë të Françeskut të Asizit, që tërheqin, në mënyrë të pakundërshtueshme edhe sot e kësaj dite, miliona shtegtarë. Çdo ditë. Çdo vit. Ndoshta sot nuk duket aq aktuale të flasësh për falje. Ndoshta-ndoshta shumëkujt i tingëllojnë më mirë në vesh fjalët vendosmëri, siguri, kufij. Ndoshta! Sepse sot mëshira e falja mund të duken pak të besueshme. Po Françesku, nga Porciunkola, vijon të na sigurojë se pikërisht këto fjalë janë emergjente. Trandin çdo zemër njerëzore. Besoj se Festa e sotme lindi pikërisht duke u nisur nga kjo emergjencë. E këtë kërkesë kaq të fortë e të guximshme, Françesku i Asizit e bëri pasi kishte “fjetur shumë kohë mbi ferra”: mbi ferrat  e dyshimit, të tundimit… E pasi e pa se këto ferra, të vaditura me flijimin e tij, me gjakun e  tij, bëheshin trëndafilë. E kjo është mrekullia, që përsëritet çdo vit!".

Porciunkola quhet edhe Portë e hapur. E Papa Françesku na siguron se Jubileu i mëshirës aty vijon gjithë vitin.

Porciunkola

Vijon! Në çudinë e vogël, që i ngjet një peshtafi me gurë të çmuar: tek një Kapelëz, që njihet me emrin “Porziuncola” e që në shqip do të thotë:“Thërmijëz”: kapelëz kushtuar Zojës së Engjëjve. U quajt që asokohe  “Shën Maria e Porciunkolës”, shkurtimisht “Porciunkola”, posaçërisht e dashur për Shën Françeskun që, pikërisht në këtë copëz toke themeloi Urdhërin Françeskan. Këtu deshi ta sillnin, kur e ndjeu se po i afrohej Motra Vdekje, këtu u shtri përdhe, këmbëzbathur. E këtu dha edhe frymën e fundit, në krahët e Mëshirës Hyjnore.

Kur Urdhëri Françeskan, nga një filiz delikat, që ishte, u bë rrap madhështor shumëdegësh, sivëllezërit e Françeskut menduan të ndërtojnë një bazilikë mbi Thërmijëzën, por pa e cënuar. Bazilika u ndërtua mbi kapelëzën e vogël, që tani ka pamjen e tabernakullit, në mes të Bazilikës së Zojës së Engjëjve. Këtu rreh zemra e françeskanizmit e, natyrisht, edhe e festës së Ndjesës së Asizit.

E kjo, pikërisht sepse Porciunkola ka privilegjin e Ndjesës së plotë.. Prej këndej, prej më se shtatë shekujsh, këtu, në këto ditë të para të gushtit, rrajnë me mijëra shtegtarë, që kremtojnë si çdo vit,  më 1 e 2 gusht, duke u bërë përsëri thirrje shpirtrave ta kapërcejnë, fizikisht e shpirtërisht, këtë portë të jetës së pasosur, për t’u gjunjëzuar në heshtje e për të rigjetur paqe e pajtim, përmes ndjesës së madhe të Porciunkolës. E kjo Ndjesë fitohet pas rrëfimit  e kungimit, me premtimin që patën bërë Kiara e Françesku për t’iu afruar sa më shumë jetës ungjillore, të cilën që të dy e nisën pikërisht në Porciunkola.

Ngjarja e Faljes së Porciunkolës mbetet shprehje e mëshirës së pafundme të Hyjit  e shenjë  e pasionit apostolik të Shën Françeskut.

Një lumë hiri gurroi nga kjo Thërmijëz, përmes Varfanjakut të Asizit, për hir të Birit të Zotit e me miratimin e Papës Onori III. E që asokohe, kaluan shekuj, po Porciunkola nuk pushon s’i dhuruari paqe e ngushëllim shpirtrave në kërkim të shpëtimit.

Shumë shpejt Festa e Ndjesës së Asizit pushtoi botën. Sot vijon të kremtohet në mbarë Kishat françeskane, që mëshira e Zoti t’i arrijë të gjithë, ashtu si deshi Françesku.

01 gusht 2019, 12:47