Kërko

Vatican News
Emigrantë Emigrantë  (ANSA)

Mbyten sërish emigrantë. Jezuitët: “T’i jepet fund kasaphanës”

Të paktën dyzet vetën u mbytën në Mesdhe në natën ndërmjet 26 dhe 27 gushtit, duke u përpjekur të iknin nga Libia. Ndërmjet tyre, edhe shumë fëmijë. Qendra e jezuitëve “Astalli” u kërkon shteteve evropiane të përmbushin “detyrën e tyre për të shpëtuar jetë njerëzore”.

R.SH. - Vatikan

Lajmi për një tjetër tragjedi në det, para brigjeve të Libisë, që u mori jetën të paktën 40 vetëve, e nxiti edhe një herë Qendrën e jezuitëve “Astalli” në Romë, t’u tërheqë vëmendjen qeverive evropiane, duke u kërkuar “t’i japin fund kasaphanës, për të cilën jemi dëshmitarë prej vitesh”. “Emergjenca humanitare e Mesdheut - deklaron, në një intervistë për Vatican News, atë Camillo Ripamonti, kryetar i Qendrës “Astalli” - kërkon një përgjigje korale nga shtetet evropiane, që e kanë për detyrë të shpëtojnë jetë njerëzish”.

Evropa duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e veta

“Evropa duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e saj dhe ta trajtojë fenomenin e migracionit si çështje evropiane dhe jo si një problem, që ka të bëjë vetëm me shtetet individuale, duke gjetur kështu, një procedurë, për të cilën të ndihen të gjithë përgjegjës dhe të bëjnë detyrën e tyre” vazhdon meshtari, që thekson se “dikur, çështjet përballoheshin si Evropë, tani, gjatë periudhës së fundit, ngulim këmbë në politikat e shteteve individuale”.

Politika të rimarrë në dorë rolin e vet

         “Nevoja për të fituar vota dhe konsensus ka bërë që politika ta harrojë rolin e saj të vërtetë, që është puna për të mirën e përbashkët të çdo njeriu”, denoncon atë Ripamonti, duke kujtuar se “të drejtat u përkasin të gjithëve, sepse janë qenie njerëzore dhe jo vetëm pse janë nënshtetas të një vendi. Politika duhet të jetë sërish garante për mbrojtjen e këtyre të drejtave, të cilat i takojnë gjithkujt, në veçanti, subjekteve më të cënueshme”.

28 gusht 2019, 17:59