Kërko

 Kisha kaldease- Kishë martirësh Kisha kaldease- Kishë martirësh 

Kardinali Sako, Papës: Kisha në Irak është Kishë martirësh

Patriarku i Babilonisë së Kaldejve, kardinali Louis Raphael Sako, i dërgoi një letër Papës Françesku, në hapje të Sinodit të Kishës kaldease, që vijon deri më 13 gusht, në Erbil. “Ju presim me padurim në Irak - nënvizon patriarku - lajmi i vizitës suaj na mbush me gëzim e me guxim”.

R. SH. - Vatikan

“Po e shfrytëzoj këtë rast, që t’i shpreh Shenjtërisë Suaj mirënjohjen e thellë të Kishës kaldease për lutjen e afërsinë Tuaj me të krishterët dhe gjithë qytetarët të Irakut e të rajonit”.  Eshtë një fragment  i letrës  dërguar Papës Françesku nga kardinali Louis Raphael Sako, patriark i Babilonisë së Kaldejve, në hapje të sinodit vjetor të Kishës vendase, në program deri më 13 gusht, në kompleksin patriarkal të Ankawa-s, lagje periferike e Erbilit, në Kurdistanin irakian.

Sinod i hapur për laikët

Në letër, kardinali flet për pjesëmarrjen e disa laikëve, përfaqësues të të gjitha dioqezave, gjatë dy ditëve të para të Sinodit. Asambleja u hap - vijon - me ushtrimet shpirtërore, kryesuar nga kryeipeshkvi maronit i Qipros, Youssef Soueif. Duke nisur nga e enjtja, 8 gusht, në seancat e punimeve do të marrin pjesë vetëm ipeshkvijtë – kujton.

Kishë misionare e martire

Patriarku tregon sesi Kisha kaldease “edhe pse e pakët në numër, është  një shenjë e madhe për Kishën universale e për të krishterët tjerë”. Kishë misionare qysh në shekujt e parë, “që e kumtoi Ungjillin duke arritur deri në Kinë. Kishë, që dha aradhe të tëra martirësh e vijon t’i japë edhe sot. Kishë që ishte e është martire gjatë gjithë udhës së saj historike”.

Vuajtje e përbashkët me myslimanët

letër, kardinali Sako kujton: “Edhe qytetarët tanë myslimanë vuajnë e humbasin jetën ditë për ditë. Shpresojmë - shkruan - se vuajtja jonë e përbashkët do të jetë shenjë shprese për një ardhmëri më të mirë”.

Vizita e Papës në Irak, mbështetje e madhe!

“E pritëm me gëzim - nënvizon Patriku - lajmin e vizitës suaj në Irak. Prania juaj ndërmjet nesh është mbështetje dhe inkurajim i madh, posaçërisht  në këto rrethana. Ju presim me padurim!”.

05 gusht 2019, 15:36