Kërko

Vatican News

Imzot Hinder: në Jemen, konflikti është gjithnjë më i dhimbshëm

Nga Abu Dabi, Imzot Paul Hinder, vikar apostolik i Arabisë Jugore, flet për luftën e harruar në Jemen, ku gjendja është gjithnjë e më dramatike. Prelati komenton lindjen e Komitetit të Lartë për arritjen e objektivave të Dokumentit për Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar shkurtin e kaluar nga Papa dhe Imami i Madh i Al Azharit.

R.SH. - Vatikan

Imzot Hinder pohon se gjendja në Jemen mbetet dramatike, edhe sepse është hapur një front tjetër ndeshjeje ndërmjet filo-sauditëve dhe separatistëve të mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe - të dy grupet, në luftë kundër rebelëve Houthi, të afërt me Teheranin. Lufta në Jemen, që filloi në vitin 2014, ka shkaktuar tashmë mbi 10 mijë të vdekur dhe 55 mijë të plagosur. E këto janë shifra zyrtare, pasi organizma të pavarura deklarojnë se vetëm ndërmjet janarit 2016 dhe fundit të korrikut 2018, kanë gjetur vdekjen 57 mijë vetë. Për OKB-në, konflikti ka shkaktuar “krizën më të rëndë humanitare në botë”. Rreth 24 milion banorë të Jemenit (80% e popullsisë) kanë nevojë urgjente për ndihmë, ndërsa shqetëson emergjenca e kolerës. Në planin shoqëror, fëmijët ushtarë duhet të kenë arritur në 2.500 vetë dhe gjysma e vajzave martohen para moshës 15 vjeç. Gjendja ndërlikohet edhe nga përçarja e tanishme në koalicionin anti-Houthi. Javët e fundit, ndeshjet i kanë kapërcyer kufijtë e Adenit, duke u përhapur në Taiz, në qendër të vendit. Për imzot Hinder, dialogu është pothuajse i pamundur, sepse secila nga palët në konflikt do me çdo kusht fitoren përfundimtare. Vikari shpreson në krijimin e një konfederate:

         Konflikti është sigurisht shumë i dhimbshëm dhe i dhunshëm në disa zona të vendit. Ka uri, sëmundje, njerëzit ikin në anë të tjera... Duhet parë nëse forcat në lojë do të jenë në gjendje të mblidhen rreth një tryeze për të filluar një dialog të vlefshëm: kjo më duket gjëja më e vështirë. Askush nuk dëshiron të bëjë kompromise, çdo palë e do fitoren për vete dhe kjo nuk është aspak inkurajuese. Nëse nuk do të ketë kurrë paqe, drejtësi - vendi që është shumë i ndërlikuar, vërtet shumë i ndërlikuar, me shumë grupe dhe interesa të ndryshme ekonomike, politike apo fetare… - sipas meje, zgjidhja mund të jetë një lloj konfederate, ku të mbizotërojë respekti i ndërsjellë, por, duke pasur parasysh gjendjen, nuk e di nëse është realiste të mendosh se mund të arrihet ndonjë zgjidhje.

         Ndërkaq, nga Gadishulli Arabik nuk vijnë vetëm lajme negative. Për shembull, lindja e Komitetit të Lartë për të arritur objektivat e Dokumentit për Vëllazërimin Njerëzor. Cila është rëndësia e tij, sipas jush?

         Jam i lumtur për këtë nismë, që duket se vjen sidomos nga qeveria jonë e Abu Dabit, për t’i dhënë vazhdimësi procesit të filluar me nënshkrimin e Dokumentit nga Papa dhe nga Imami i Madh i Al-Azharit. Mbetet për t’u parë ç’fryte do të japë. Mendoj se këtu në Emiratet synohet të kemi një Qendër në atë “Shtëpi abrahamike”, pra, të kemi një vend simbolik, ku të vazhdojmë punën në këtë drejtim. Pastaj, gjëja më e rëndësishme për njerëzit, edhe për banorët, është që kjo Deklaratë e nënshkruar në shkurt të japë fryte konkrete, në shkolla, në mësimin e katekizmit edhe nga ana e Kishës... Është fjala për respektin e ndërsjellë për një fe tjetër: ata i kemi fqinjë; ne jetojmë këtu, ndërmjet tyre.

28 gusht 2019, 15:22