Kërko

Vatican News
 Paqe në botë! Paqe në botë! 

“Paqe pa kufij” – takim i madh ndërkombëtar në Madrid

Dialog i organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, në Madrid: “Paqe pa kufij”, me më se 300 lider fetarë e të botës së kulturës

R. SH. - Vatikan

Do të mbahet më 15 deri më 17 shtator, takimi i madh ndërkombëtar, me titullin domethëns, “Paqe pa kufij”, ku priten mijëra vetë nga e gjithë Evropa e më se 300 liderë fetarë, nga të katër anët e botës. Do të jenë së bashku, për t’i thënë ‘jo’  botës, që vijon të grindet, të ndeshet, të luftojë, të gjakoset, të rrënojë. Jo, shoqërisë së konsumit! Jo, klimës së dhunës. Jo, racizmit. E për të pohuar njëzëri se njerëzimi do “paqe pa kufij”. 

Organizatore, Bashkësia e Shën Egjidit, në bashkëpunim me kryedioqezën e kryeqytetit spanjoll. Objektivi: “të japë përgjigje konkrete për paqen dhe dialogun, jo vetëm përballë vatrave ende të pashuara të luftës, por edhe klimës së konflkitit, me të cilën janë mësuar shoqëritë tona, duke nisur nga dhuna verbale, domethënë nga sharjet e fyerjet e lëshuara fare pa kontroll, për të vijuar me fenomenet e racizmit e të ksenofobisë, që e çorodisin fytyrën e bukur të njerëzimit! Përtërihet, kështu, çdo vit “fryma e Asizit”!  Shën Egjidi shkel mbi gjurmët e Gjon Palit II, “duke vijuar të ecë në atmosferën e Lutjes për Paqen të tetorit 1986”  - me synimin “të zgjerojë rrjetin e dialogut, për  një paqe preventive, në të katër anët e botës. E edhe për t’i mbajtur fetë larg nga luftërat e nga çdo formë e dhunës edhe e terrorizmit”.

Për tri ditë rresht liderët e krishterë, hebrenj, myslimanë e edhe të feve aziatike, do të bisedojnë, së bashku me përfaqësuesit e institucioneve të botës së kulturës, rreth tridhjetë tryezave të rrumbullakta. Të panumërta, argumentet, në qendër të vëmendjes. Ndërmjet tyre, domosdoshmëria e çarmatosjes, emergjenca ambientale, ardhmëria e Evropës, fenomeni i migrimeve, temat e zhvillimit e të drejtësisë shoqërore.

Parashikohet edhe pjesëmarrja e një numri të madh personalitetesh institucionale, fetare dhe të botës së kulturës, deri tani 300 vetë, ardhur nga të pesë kontinentet. Ndërmjet tyre, kryeipeshkvi i Madridit, kardinali Carlos Osoro Sierra; Komisari i lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi; ekonomisti amerikan Jeffrey Sachs; presidenti i Republikës Qendrafrikane, Faustin-Archange Touadera; kryerabini i Tel Avivit, Israel Meir Lau; rektori i Universitetit të Al-Azhar, Mohammad Al-Mahrasawi dhe themeluesi i Shën Egjidit, Andrea Riccardi.

Takimi do të hapet  më 15 shtator, në Pallatin Bashkiak të Kongreseve, në Madrid, për të vijuar, më 16, me takime gjatë gjithë ditës. Ndërsa më 17 shtator, në qendrën historike të kryeqytetit spanjoll, do të organizohet ceremonia përfundimtare në Plaza de la Catedral de la Almudena.

16 korrik 2019, 14:16