Cerca

Vatican News
 Kryqi mbi dolomitet Kryqi mbi dolomitet 

Më jep, të jap: dhuron me të vërtetë, vetëm kush dhuron vetveten

Dhuratat e shkëmbyera me raste, nuk mund të quhen dhuratë. Dhurata e dhënë, gjithnjë me natyrë reciproke, është gjithnjë shumë më e madhe, se ajo që merr.

R. SH. - Vatikan

Dhuratat e shkëmbyera me raste, nuk mund të quhen dhuratë. Dhurata e dhënë, gjithnjë me natyrë reciproke, është shumë më e madhe, se ajo që merr. Nuk është e vetvetishme E kemi dëgjuar shpesh shprehjen “Të jap, më jep!”. Madje është ndoshta një nga shprehjet më të përsëritura. Për t’i kujtuar njeriut se dhurata e dhënë - përkon gjithnjë me dhuratën e marrë. Më jep, të jap! Por, kujdes! Kur kujtojmë fjalën dhuratë, nuk duhet të mendojmë vetëm për shkëmbime sendesh materiale. Ka dhurata të tjera, shumë më të mëdha…:

“Armikut mund t’i dhurosh faljen;

kundërshtarit, tolerancën;

mikut, dashurinë;

fëmijës, shembullin e mirë;

vetes, respektin;

jetës - Jetën!”.

Të pranosh me dashuri një dhuratë që të pëlqen, edhe kur nuk ke me se ta shkëmbesh, do të thotë se ke dhuruar diçka shumë më të madhe, se ajo që more! Sepse dhurata më e madhe në botë, është dashuria! Mund të dhurosh, pa dashur, por kurrë të duash, pa dhuruar!

Dhurata e vërtetë

Nuk e kemi fjalën për dhuratat materiale! Dhuratat e vërteta, që shkëmbehen, duhet të jenë të tilla, që ta shndërrojnë njeriun! Ta bëjnë njeri tjetër, krejt i ndryshëm nga ai, që ishte para se ta merrte peshqeshin. Para se të takoja ty, që ma dhurove. A para se të më takoje mua, që ndoshta  isha duarthatë. Ky, kuptimi shpirtëror i “të jap, më jep”. Jo para! Jo sende që shiten e blihen. Dhurata e vërtetë nuk shitet as nuk blihet. Sepse del nga shpirti. E shpirti nuk ka vitrina, ku mund të kërkosh një dhuratë për mikun a shokun. E nuk të lejon ta banalizosh shkëmbimin tejet delikat të “të jap, më jep”.

Fjala “dhuratë” vjen prej latinishtes, donum e donatio (“dhuruar” e edhe “akti i të dhuruarit”. Të kujton  se e djeshmja është histori; e nesërmja, mister; e sotmja, dhuratë!

Po, çka duhet të më dhurosh, pasi të dhurova?

Më jep, të jap! Më jep një iskër drite nga shpirti yt, të jap një rreze nga imi. Kjo është dhurata më e bukur, që mund të bëhet në të katër anët e botës, por që, për fat të keq po e humbet gjithnjë më shumë kuptimin e zanafillës, për t’u shndërruar në dhuratë vitrinash.

Dhuratat më të bukura janë njerëzit, jo sendet!

Mos shpenzoni, prandaj, para për ta! Shpenzoni kohë!

Shikimi i atij, të cilit i  bëre një dhuratë, është  kënaqësia më e madhe që të jipet.

Çdo ditë vjen me dhuratat e veta: mjafton t’ia zgjidhësh fjongot!

Nëse pret gjithnjë të të japin diçka kur jep, domethënë se nuk di të dhurosh, por vetëm të marrësh ryshfete. Kush jep për të marrë, nuk dhuron asgjë!

Po shpirti nuk di të marrë ryshfete…

Zemra hapet për të dhënë e për të marrë sende, që i njeh vetëm ajo! Aty nuk mund të hyjnë kurrë gjërat materiale. Hyjnë vetëm sendet, që shikohen me sytë e shpirtit. E shkëmbehen me duart e zemrës. Prandaj mund shikojmë çdo ditë një Dorë që jep, e një tjetër, që e shporon! Ju jepni tepër pak, kur dhuroni pasuritë tuaja. Keni dhënë me të vërtetë vetëm, kur dhuroni vetveten.

12 korrik 2019, 15:59