Kërko

 Loja e bixhozit Loja e bixhozit 

Ipeshkvijtë e Argjentinës: bixhozi, tejet i rrezikshëm për të varfërit dhe të rinjtë

“Loja e bixhozit është një nga burimet më të mëdha të parave, në dobi të pak njerëzve e në dëm të shumicës, posaçërisht të më të varfërve. Të shtyn të kërkosh rrugëdalje magjike, të cilat përfundojnë duke krijuar fatkeqësi të reja e mjerim të ri”. Kështu pohon Komisioni ipeshkvnor i baritorisë shoqërore të Konferencës ipeshkvnore argjentinase.

R. SH. - Vatikan

“Loja e bixhozit është një nga burimet më të mëdha të parave, në dobi të pak njerëzve e në dëm të  shumicës, posaçërisht të më të varfërve. Të shtyn  të kërkosh rrugëdalje magjike, të cilat përfundojnë duke krijuar fatkeqësi të reja e mjerim të ri”. Kështu shkruan, në një notë, Komisioni ipeshkvnor i baritorisë shoqërore të Konferencës ipeshkvnore argjentinase, përhapur dje, me titull: “Nuk mund të luhet me jetën tënde e të familjes sate!”.

Ipeshkvijtë e Argjentinës: bixhozi, tejet i rrezikshëm për të varfërit dhe të rinjtë

Kisha argjentinase e ndjek me shqetësim përhapjen gjithnjë më të madhe të lojës së bixhozit, që shpesh krijon vartësi të rrezikshme. E, doemos, varfëri të mëtejshme. Shqetësimi buron nga fakti se në mbarë vendin, posaçërisht pranë lagjeve të varfëra, vijojnë të hapen kazino e bingo. Pranë tyre, edhe lokale për baste. Ndërsa vijon të thellohet gjithnjë më shumë edhe loja on line, përmes mënyrave gjithnjë më masive, që vënë në rrezik sidomos të rinjtë. Sipas ipeshkvijve argjentinas,  kjo “kulturë” e bixhozit, duhet zhdukur plotësish, për t’u zevendësuar “me dinjitetin e punës”, posaçërisht në dritën e “situatës shoqërore dhe ekonomike, që kalon sot vendi latinoamerikan”. Kërkohen, prandaj, për lagjet më të varfëra, politika publike, që sigurojnë zhvillimin e gjithanshëm të të rinjve e të familjes. Urohet edhe që Shteti të punojë për mbrojtjen e saj, duke pasur mirë parasysh se loja mund të çojë në vartësi të tilla, që e shkatërrojnë gjithë familjen. Gjë mund të thuhet edhe për videolojërat, të cilat hyjnë në jetën e fëmijëve që në moshë të njomë, e mund të krijojnë  edhe vartësi të mëvonshme.

Kur luan për të fituar para, vë në lojë dinjitetin

Ipeshkvijtë vërejnë se në këtë drejtim “roli i shtetit është themelor” e se  është krejtësisht i papranueshën justifikimi, sipas të cilit “legalizimi bëhet për t’iu kundërvënë lojës së fshehtë”. Njëkohësisht shikohet si themelore  detyra e edukimit dhe e prandalimit, që u takon familjeve, bashkësive fetare e mbarë shoqërisë civile. “Loja për para nuk e shpëton ekonominë, aq më pak, dinjitetin e njeriut. Përkundrazi! E dëmton seriziosht, së bashku me atë të familjes” - përfundon nota, me vlerë për të gjitha vendet, ku bixhozi vijon të përhapet, duke shkaktuar të njëjtat dëme, që kujton në këtë notë, Konferenca ipeshkvnore e Argjentinës!

17 korrik 2019, 12:49