Kërko

Vatican News
 Civilë sirianë duke ikur nga zonat e luftës Civilë sirianë duke ikur nga zonat e luftës  (AFP or licensors)

Famullitari i Halebit: mirënjohës ndaj Papës, për gjestin e dashurisë ndaj Sirisë

Atë Firas Lutfi falënderon Papën Françesku, duke kujtuar thirrjet e tij të shumta për paqen dhe letrën dërguar Assadit për zgjidhjen e tragjedisë siriane

R. SH. - Vatikan

Atë Firas Lutfi falënderon Papën Françesku, duke kujtuar thirrjet e tij të shumta për paqen dhe letrën dërguar Assadit, që flet vetë për dashurinë e tij ndaj Sirisë. Në fjalët e Famullitarit të Halebit ndjehet fort drama e të krishterëve të Idlibit, që vijojnë të  pësojnë persekutime e poshtërime.

Famullitari i Halebit e shikon plot shpresë thirrjen e  re të Papës për paqen:

“I shprehim mirënjohjen tonë Atit të Shenjtë për ndërhyrjet e tij të drejtpërdrejta. Shumë herë iu drejtua vendit tonë, duke e quajtur ‘Siria ime e dashur’. E na deshi vërtet aq, sa të mos na harronte asnjëherë”.

Lajmi për dorëzimin e letrës arriti pikërisht në atë çast kur katër raketa të reja fluturonin drejt Halebit. Vranë dhjetra civilë, ndërmjet të cilëve, edhe fëmijë - denoncon meshtari.

Mos i harroni të krishterët e Idlibit!

Në Idlib kriza humanitare është më e rëndë se në viset e tjera. Këtu xhidadistët i dëbuan gjithë të krishterët nga strehët e tyre. I dëbuan e i mbytën. Episodi i fundit ndodhi një javë më parë. Një profesoreshë e krishterë u dhunua e, më në fund, u mbyt me gurë! Këtu mbytja me gurë nuk është gojëdhënë, që vjen nga shekujt e kaluar. Eshtë realitet. I shëmtuar. E tejet tragjik. Tregon sa shqetësuese është situata “- pohon atë Lutfiu.

24 korrik 2019, 04:38