Çelësi i fjalëve të Kishës: Ungjilli sipas Lukës - tabllotë e ungjilltarit
R.SH. - Vatikan
Së pari, diptiku i fesë dhe i gëzimit: Zakaria dhe Maria (Lk 1). Kombinimi i guximshëm i mosbesimit të meshtarit të lodhur dhe i freskisë plot hir të vajzës së Nazaretit na prek shpirtin e na bën të mbetemi pa fjalë para atij engjëlli, që pret (e ne bashkë me të) përgjigjen e virgjërës së re të Galilesë. Nuk është e rastit që skena e Lajmërimit të Zojës e përshkon historinë e pikturës, duke frymëzuar një sërë kryeveprash, nga Giotto tek Simone Martini, nga Betao Angelico tek Piero della Francesca, nga Leonardo da Vinci tek Lotto e Caravaggio… E kur Maria vashë vihet për udhë, ja edhe kënga e gëzimit, “Falemi M’ri” e Elizabetës, që vazhdon me “Benedictus”-in e Zakarisë (të cilit i vjen sërish zëri) e me “Nunc dimittis” të Simonit, jo më parë se të dëgjojmë pikërisht atë vetë, Marinë, që e larton zërin në këngën më të bukur e më të gëzueshme të Besëlidhjes së Re, “Magnificat”-in, në të cilën feja e së resë bashkohet mrekullisht me urtinë e ungjilltarit:
“Shpirti im e madhëron Zotin,
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur:
ja, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet:
i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre
e i lartësoi të përvuajturit.
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
e të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë ‑
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve
të tij në amshim” (Lk 1,46-55).
Shpella e Betlehemit (Lk 2). Ç’do të ishte jeta jonë pa Krishtlindjen? Pa mendojeni pak? Gjithçka lindi nga shën Luka ungjilltar: shpella, grazhdi, Maria dhe Jozefi, barinjtë, engjëlli, Gloria. E këtu s’mund të numërohen ata që, përgjatë historisë, kanë pikturuar Krishtlindjen, ashtu siç nuk mund të numërohen edhe abuzivët, që sikur e kanë sekuestruar Krishtlindjen për vete: tregimi i Lukës është vërtet unik! Është tregim, që i ka dhënë jetë “magjisë së Krishtlindjes”, për ata që i besojnë Plakut të Krishtlindjes dhe, “mrekullisë së Birit të Zotit”, për ata që i besojnë përshkrimit të shën Lukës ungjilltar, i cili shndërrohet në betlehemin e shtëpive të krishtera, çdo vit, më 25 dhjetor.
Afresku i vdekjes, i dhimbjes dhe i jetës (Lk 7). Del në skenë një afresk i vërtetë: Luka na vë para syve dhimbjen e dëshpëruar të një nëne vejushë, që çon në varr birin e saj të vetëm. Skena është kaq e gjallë, sa të duket sikur e ndien atë dhimbje, ashtu siç e ndien piktori murin akoma të freskët, kur përzien ngjyrat. Një vështrim, një fjalë, një penelatë e… kemi përpara mrekullinë më të madhe e më të bukur të Jezusit. Fëmija i vdekur është sërish i gjallë në krahët e nënës.
Në shtëpinë e fariseut Simon (Lk 7). Ç’farë ndodh në shtëpinë e Simonit nuk lë asnjë dyshim. Mënyra me të cilën Jezusi pret gruan mëkatare i cënon me gjithësej rregullat e normat fetare e shoqërore. Luka, edhe këtu, dëshmon se është tregimtar i zoti e me penën e tij, pikturon një diptik tjetër, duke vendosur paralelisht qëndrimin e gruas dhe atë të fariseut.
“…ti nuk më dhe ujë për t’i larë këmbët. Kjo, përkundrazi, me lot m’i lau këmbët e me flokët e kresë m’i fshiu. Ti nuk ma dhe puthjen e detyruar. Kjo, përkundrazi, që kur hyri, nuk pushon së puthuri këmbët e mia. Ti nuk ma leve kokën me vaj. Kjo, përkundrazi, me parfum m’i leu këmbët e mia” (Lk 7,44-46).
E pastaj? Edhe më keq: shkandullit i shtohet shkandull tjetër, madje, duket blasfemi e vërtetë:
“Këndej po të them: iu falën mëkatet e shumta, sepse tregoi dashuri të madhe. Ai, të cilit i falen më pak, më pak dashuri tregon”(Lk 7,47).
A s’ishte vallë e kundërta? Në atë kohë, mbretëronte mendimi se donte dhe duhej dashur më shumë ai, që bënte më pak mëkate. E sot, a nuk e mendojmë shpesh edhe ne kështu? Javën që vjen, do të vijojmë të përshkruajmë këto tabllo të mrekullueshme nga jeta e Jezu Krishtit, që shën Luka ungjilltar i pikturon me mjeshtëri. E për të vijuar meditimin e sotëm, do të shohim si Luka e ngre në art dhembshurinë.