Kërko

20190611_154014.jpg

Zoja e Këshillit të Mirë mbledh studiuesit në Vatikan

R.SH. - Vatikan

Dje, me nismën e ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, u mbajt në Romë, pikërisht në selinë e Radio Vatikanit, konferenca me temë “Zoja e Këshillit të Mirë, simbol marian ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë”. Morën pjesë si relatorë studiues të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, si prof.sha Lucia Nadin, e cila solli para auditorit dëshmi të pranisë shqiptare në Venedik dhe sidomos prani të fugures së Zojës së Shkodrës në rajon, në forma e mënyra të ndryshme. Shqiptarët, nënvizoi ajo, nuk konsideroheshin të huaj në Venedik e kanë qenë të parët, që hapën një vend kulti në këtë qytet. Përmendi Statutet e Shkodrës, tekst qytetërimi të zhvilluar në Shkodrën tejet të krishterë (siç thuhet në Statutet), që e bënte atë dhe Shqipërinë pjesë përbërëse të qytetërimit mesdhetar dhe evropian. Foli pastaj për meshtarët dhe rregulltarët, që erdhën në tokën venedikase, të cilët, sipas dëshmive, kanë sjellë me vete fuguret e ngjashme me atë të Zojës së Këshillit të Mirë, që gjendet në Gjenancan, pranë Romës.

Prof. Italo Sarro nënvizoi si u arrit në kultin kushtuar Zojës së Këshillit të Mirë, duke përmendur të gjitha shkrimet dhe dokumentet historike, që e dëshmojnë atë. Më pas, dhanë kontributin e tyre prof.sha Edlira Çaushi nga Universiteti i Tiranës, që foli për analizat e bëra mbi fuguren e Zojës së Gjenacanit; dr. Andrea Di Giuseppe, pedagog në Universitetin Roma Tre, që theksoi të dhënat historike, të cilat dëshmojnë prejardhjen e fugures nga Ballkani dhe; don Pasquale Ferraro, ish-koordinator kombëtar për baritorinë e katolikëve shqiptarë në Itali, i cili u përqendrua mbi shtegtimin e besimtarëve tek Pajtorja e tyre në Gjenancan.

Suvaja mbi të cilën është pikturuar Zoja, sipas studimeve të Departamentit të Arkeologjisë dhe të Trashëgimisë Kulturore në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, nuk vjen nga zona e Lacios, ku ndodhet Gjenancani. Pikërisht për këtë studim, flet në mikrofonin e Klaudia Bumçit, prof.sha Edlira Çaushi

Dëgjo intervistën me Edlira Çaushin...

E së fundi, ia drejtuam mikrofonin tonë, don Pasquale Ferraros, që për 18 vjet ka shërbyer si koordinator i baritorisë së katolikëve shqiptarë në Itali, duke ia lënë tani vendin meshtarit të ri shqiptar, don Elia Matija. Çdo vit, të dielën e fundit të majit, ai dhe meshtarët e tjerë shqiptarë, në bashkëpunim me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë, kanë organizuar shtegtimin e besimtarëve te Zoja e Këshillit të Mirë, te Pajtorja e tyre Qiellore. Pikërisht për këto shtegtime foli don Pasquale. Ta dëgjojmë, gjithnjë në mikrofonin e Klaudia Bumçit…

Dëgjo intervistën me don Pasquale Ferraro-n...

 

12 qershor 2019, 18:56