Kërko

Solemniteti Rrëshajëve, festa Zbritjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Çenakull Solemniteti Rrëshajëve, festa Zbritjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Çenakull 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Rrëshajëve ‘C’

Rrëshajët shënojnë Zbritjen e Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt, plotësimin e premtimeve të Jezu Krishtit: dërgimin e Shpirtit Shenjt për t’i ndihmuar dishepujt e vet në misionin, veprimtarinë, lodhjen e frikën e tyre. Ai u tha: “Do të ju dërgojë Shpirtin Shenjt. Ai do të ju japë forcë, guxim e entuziazëm”! Çka është ajri për jetën biologjike, është Shpirti Shenjt për jetën shpirtërore.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor të shtunës me Fjalën e Zotit të dielës. Kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të solemnitetit të Rrëshajëve, festës së Zbritjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Çenakull: që nga ajo ditë, historia e njerëzimi ka një hov të ri, një shtytje të re, një jetë të re. 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Rrëshajëve

Atmosferë solemniteti në Kishë: mbarë bota e krishterë rijetoi atmosferën e Rrëshajëve. Kisha katolike kremton solemnitetin e zbritjes së Shpirtit Shenjt mbi Apostujt e Marinë, mbledhur në Çenakull. Kanë kaluar 50 ditë nga solemniteti i Pashkëve e sot, me Kishën në festë, kremtojmë dhuratat që Jezu Krishtit Zot na i ka dhuruar: Shpirtin Ngushëllues që vjen nga Ati Qiellor e,  festa e Rrëshajëve shënon ditëlindjen e Kishës. Pesëdhjetë ditë pas Pashkëve realizohet premtimi, që Jezusi u pati bërë dishepujve: pagëzimi në Shpirtin Shenjt dhe ndikimi nga lart i pushtetit, për t’ia kumtuar me bindje e forcë Ungjillin mbarë popujve. Me Rrëshajët përmbushet, pra, plani i Hyjit për krijimin e një populli të ri dhe lind Kisha. Liturgjia e Fjalës së Zotit na ofron kryesisht figurat, me të cilat paraqitet Shpirti Shenjt.

Duke kujtuar rrëfimin mbi Rrëshajët, sipas Veprave e Apostujve, vërejmë se Shpirti Shenjt paraqitet me figurën e stuhisë e të zjarrit. Stuhia përshkruhet si erë e fortë. Kjo metaforë na bën të mendojmë për ajrin, që e dallon planetin tonë nga të tjerët e falë të cilit jetojmë. Ajri e Shpirti Shenjt janë të dy të domosdoshëm, pa ta s’mund të ketë jetë. Çka është ajri për jetën biologjike, është Shpirti Shenjt për jetën shpirtërore; e ashtu si ekziston ndotja atmosferike, që helmon mjedisin e qeniet e gjalla, ekziston edhe ndotja e zemrës dhe e shpirtit, që e helmon dhe e nxin jetën shpirtërore.

Pas paralelizmit ndërmjet ajrit e Shpirtit Shenjt, mund të përdorin edhe një similitudë tjetër: Siç përpiqemi t’i spastrojmë helmet e ajrit – e prandaj impenjimi ekologjik sot është një detyrë e dorës së parë – ashtu duhet të bëjmë me gjithçka që e prish Shpirtin. Metafora e erës së rrëmbyer të Rrëshajëve, na bën të mendojmë sa rëndësi ka të thithësh ajër të pastër: si me mushkëri, ajrin fizik, ashtu me zemër, ajrin shpirtëror, ajrin e shëndetshëm, që është dashuria. Të duket, veç, se me shumë prodhime që ndotin mendjen e zemrën, të cilat qarkullojnë në shoqëritë tona - për shembull figura që përpiqen t’i bëjnë sa më tërheqëse kënaqësinë, dhunën ose përbuzjen për burrin e gruan - nuk është aspak e vështirë për t’u mësuar. Thuhet se edhe kjo është liri, pa menduar fare se gjithë kjo ia ndot, ia helmon shpirtin njeriut, sidomos breznive të reja e, së fundi, kushtëzon edhe vetë lirinë.

Liturgjia e Fjalës ndalet, më pas, tek zjarri, figurë tjetër e Shpirtit Shenjt, për të cilën na flasin Veprat e Apostujve. Zjarrin e vërtetë, Shpirtin Shenjt, e solli mbi tokë Jezu Krishti. Ai nuk ua rrëmbeu zotave, si bëri Prometeu, sipas mitit grek, por u bë ndërmjetës i ‘dhuratës së Hyjit’, duke nxjerrë për ne hirin e aktit më të madh të dashurisë: vdekjen e vet mbi kryq.
Zoti dëshiron të vijojë t’ia dhurojë këtë zjarr të gjitha breznive njerëzore e, me që është shpirt, ‘fryn ku dëshiron’. Rruga që zgjodhi Hyji për ta lëshuar zjarrin mbi tokë është Jezusi, Biri i tij i vetëm, që u mishërua, vdiq e u ngjall. Po njeriu i sotëm duket se dëshiron ta zërë vetë vendin e Zotit. Dëshiron ta ndryshojë botën, duke e përjashtuar Krijuesin e gjithësisë, duke e lënë mënjanë, madje duke mos e pranuar fare.

Njeriu nuk do të jetë më shëmbëlltyrë e Hyjit, por e vetvetes; deklaron se është i pavarur, i lirë, i pjekur. Natyrisht kjo sjellje, që zbulon një marrëdhënie të pavërtetë me Hyjin, është pasojë e figurës së rreme që ka krijuar për vetveten, ashtu si djali plëngprishës i shëmbëlltyrës ungjillore, që beson se do të realizohet, duke u larguar nga shtëpia e të atit. Ky largim nuk është thjeshtë rravgim shpirtëror, por edhe rrezik për mbarë njerëzimin. Në duart e një njeriu të tillë, ‘zjarri’ e fuqia e tij e pamasë, bëhen tejet të rrezikshme: mund të kthehen kundër jetës e kundër vetë njerëzimit, siç na e dëshmon, për fat të keq, e gjithë historia. Mjafton të kujtojmë qortimet e përhershme që vijnë nga Hiroshima e Nagasaki, ku energjia atomike, e përdorur për qëllime luftarake, mbolli vdekjen në përmasa të papara ndonjëherë.

Të marrësh dhuratën e Shpirtit Shenjt Zot, do të thotë të kuptosh të jetuarit në bashkësi, në bashkim me tjerët, në dritën e Shkrimit Shenjt. Në rrëfimin, që përshkruan Rrëshajët, nënvizohet se dishepujt ishin të gjithë së bashku në të njëjtin vend. Ky vend është Çenakulli, ku Jezu Krishti kaloi me apostujt e vet Darkën e Mbrame e ku iu duk atyre, i ngjallur. Por duhet pasur parasysh se Veprat e Apostujve nuk ngulmojnë aq për të treguar vendin fizik, sesa gjendjen shpirtërore të dishepujve: të gjithë ishin të përqendruar prore së bashku në uratë (Vap 1,14). Pra kushti për zbritjen e Shpirtit Shenjt është harmonia ndërmjet dishepujve; e parakusht i harmonisë, është lutja.

Ky parakusht vlen edhe për Kishën e ditëve tona. Në se dëshirojmë që Rrëshajët të mos kthehen thjeshtë në rit ose në përkujtim, sado madhështor, por të jenë ngjarje aktuale shëlbimi, duhet ta presim dhuratën e Zotit duke e dëgjuar të përvuajtur e të heshtur Fjalën e Tij. Që Rrëshajët të vijnë rishtas në kohën tonë – pa i hequr asgjë lirisë së Hyjit – duhet, ndoshta, që Kisha të shqetësohet më pak për veprimtari e t’i kushtohet më shumë lutjes.

Shpirti Shenjt e mund frikën. Dishepujt ishin strehuar në Çenakull pas arrestimit të Jezusit, Mësuesit të tyre e ishin strukur aty, nga frika se mund të pësonin të njëjtin fat. Por në Rrëshajë, kur Shpirti Shenjt pushoi mbi kokat e tyre, këta burra dolën jashtë pa pikë frike e nisën t’ua kumtonin të gjithëve lajmin e mirë të Jezu Krishtit të kryqëzuar e të Ngjallur. Nuk patën frikë fare sepse e ndjenin veten në duart e më të fortit. Po, aty ku hyn Shpirti i Zotit, frika zhduket; Shpirti Shenjt na bën të pranojmë e të ndjejmë se jemi në duart e Gjithëpushtetit të dashurisë: çfarëdo që të ndodhë, dashuria e tij e pakufishme nuk na braktis.

                                            Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Vap 2, 1-11
Pashkët janë çlirimi i një populli; Rrëshajët i japin këtij populli realizimin konkret të kësaj lirie. Festa e krishterë e Rrëshajëve është e treguar me të njëjtat fjalë që përshkruajnë shfaqjen e Hyjit mbi malin Sinaj. Por shpallin një liri më të vlefshme dhe që zgjat: lirinë e Shpirtit që ka ringjallur Jezu Krishtin.

Lexim prej Veprave të Apostujve

Kur erdhi dita e Rrëshajëve, të gjithë ishin së bashku në të njëjtin vend. Dhe, ja, papritmas, u ndie një ushtimë nga qielli si shungullimë e erës së fortë dhe e mbushi të gjithë shtëpinë, ku ata ishin. Atyre atëherë ju dukën gjuhë, si të ishin zjarri. Këto u ndanë e zunë vend nga një mbi secilin prej tyre. Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme, ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste të shpreheshin. 
Dhe aso herë në Jerusalem banonin judenj, njerëz të përshpirtshëm, të ardhur prej të gjitha kombeve të botës. Dhe, kur u dëgjua ajo ushtimë, ngarendi një shumicë e madhe dhe mbetën të habitur, sepse secili i dëgjonte duke folur në gjuhën e vet. 
Të gjithë çuditeshin e u mrekullonin dhe thoshin: “Këta njerëz që po flasin, a thua vallë nuk janë të gjithë galileas? Po si atëherë secili prej nesh i dëgjon duke folur në gjuhën e vet amtare? Partë, medë, elamitë, banorë të Mesopotamisë, të Judesë, të Kapadokisë, të Pontit e të Azisë, të Frigjisë e të Pamfilisë, të Egjiptit, të krahinave të Libisë rreth Cirenës, njerëz të ardhur nga Roma, judenjt e proselitë, kretas e arabë – të gjithë ne po i dëgjojmë duke shpallur veprat e madhërueshme të Hyjit në gjuhët tona amtare. Fjala e Zotit.

Psalmi 104

Plot është toka me Shpirtin tënd, o Zot. 
--- --- ---
Bekoje, shpirti im, Zotin!
O Zot, Hyji im, sa i madh je!
Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua!
Plot është toka me krijesat e tua.
--- --- ---
Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen,
dhe kthehen në pluhur përsëri.
Po e dërgove frymën tënde, 
përsëri përtërihen,
dhe e rinon fytyrën e dheut.
--- --- ---
E amshueshme qoftë lavdia e Zotit,
u gëzoftë Zoti në veprat e veta!
I pëlqeftë Zotit kënga ime,
kënaqjen time e kam vënë në Zotin!
--- --- ---

Leximi i dytë Rom 8, 8-17
Shën Pali na fton të jetojmë nën ndikimin e Shpirtit. Kjo do të thotë të jemi në bashkim me vdekjen dhe ringjalljen e Zotit, të çlirohemi nga skllavëria e mëkatit dhe e egoizmit, të pranojmë mënyrën e jetesës së Krishtit. Ai do të bëhet kriteri i çdo zgjedhjeje dhe angazhimi.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, ata që jetojnë nën ndikimin e trupit, nuk mund t’i pëlqejnë Hyjit. Ju nuk jeni nën ndikimin e mishit, por nën atë të Shpirtit Shenjt, në qoftë se Shpirti i Hyjit banon në ju. Nëse ndokush nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Atij. E nëse Krishti është në ju, trupi është patjetër i vdekur për shkak të mëkatit e Shpirti është jetë për shkak të drejtësisë. Nëse Shpirti i Atij që e ngjallli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju.
Këndej, o vëllezër, ne kemi detyrim, por jo kundrejt mishit, që të jetojmë nën ndikimin e mishit: sepse, në qoftë se jetoni simbas ndikimit të mishit, do të vdisni, por, përkundrazi, po qe se i bëni të vdesin veprat e mishit nën ndikimin e Shpirtit, atëherë do të jetoni. Sepse bijtë e Hyjit janë ata, të cilët i udhëheq Shpirti i Hyjit. Ju veç nuk e keni marrë shpirtin që bën robër në mënyrë që përsëri të trembeni, por keni marrë Shpirtin që ju bën bij të adoptimit, në saje të cilit ne thërrasim: Abba! O Atë! Vetë Shpirti Shenjt dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi fëmijët e Hyjit. E nëse jemi fëmijë, atëherë jemi edhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Hyjit e bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, sikurse në të vërtetë vuajmë bashkë me Të, që edhe të lavdërohemi bashkë me Të. Fjala e Zotit.

Ndjekësorja

O Shpirt Shenjt, deh zbrit mbi ne,
e prej qiellit derdh mbi ne
rrezet tua plot me dritë.

Eja, o Atë, për nevojtarë,
eja, ti n’dhanti bujar,
eja, ti që mendjet shndrit.

Ti n’ngushtica ngush’llim bjen,
ti ndër zemra si mik vjen,
t’lodhunt n’jetë rishtas forcon.

N’mund e djersë ti je pushim,
n’vapë e luftë ti je freskim,
lot ti terë, zemrat ngushllon.

Dritë Hyjnore, plot shejtni,
shndritnai mendjet e n’dashuri
kalle flakë kënd n’ty shpreson.
Ku s’je ti, gjithçka dështon
n’natyrë t’njerit gjë s’qëndron
që t’jetë shenjte, si ti don.

Njollat hiq, dangat pastro,
n’shpritra tanë hiret rigo,
varrët e mëkatit na i shero.

Çka ësht’ t’brishtë, këndshëm lako,
çka ësht’ t’ftohtë, me flakë rretho,
çka ësht’ t’shtrembët, ëmbël drejto.

Jepna ne që n’ty besojmë,
jepna ne që n’ty shresojmë,
shtatë dhantitë që aq dëshirojmë.

Mundin tonë ti na e shpërble,
n’mëkat me vdekë ti mos na le, 
bën me ty n’amshim t’lumnojmë.

ALELUJA, aleluja.
Eja, o Shpirt Shenjt, mbushi zemrat e besimtarëve të tu, 
dhe ndeze në ta zjarrin e dashurisë sate.
Aleluja

Ungjilli Gjn 14, 15-16.23-26
Shpirti Shenjt është dëshmitari i madh që udhëzon Kishën. Ai pa i shtuar asgjë fjalës së Birit të Atit, u shpall Ungjillin e Krishtit të krishterëve të të gjitha kohrave. Ai edhe sot vazhdon të shpjegojë atë që është thënë një herë e përgjithmonë, duke zbuluar edhe realitetet e ardhshme të filluara me ringjalljen e Zotit. 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë. 
Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta duajë, tek ai do të vijmë dhe tek ai do të banojmë. Kush nuk më do, nuk i mban fjalët e mia. E fjala që po dëgjoni, nuk është imja, por është e Atij, që më dërgoi, e Atit. Këto fjalë jua thashë ndërsa banova me ju. E Shpirti Shenjt, Mbrojtës, të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim, Ai do t’jua mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka unë ju thashë.”  Fjala e Zotit.

07 qershor 2019, 16:35